Botërori i çiklizmit, Shqipëria me Zhupën dhe Halilajn – ERTV

Botërori i çiklizmit, Shqipëria me Zhupën dhe Halilajn

Botërori i çiklizmit në Bergen të Norvegjisë ka regjistruar pjesëmarrjen modeste, por domethënëse, të kombëtares shqiptare, që edhe pse pa shumë pretendime në lojën ekipore, ia kanë dalë të jenë protagonistë në jo pak pjesë të cirkuitit.

Profesionisti i “Wilier Triestinës” në Itali, Eugert Zhupa, dhe talenti tjetër shqiptar, Redi Halilaj, janë ata që po mbajnë lart flamurin kuqezi në turneun prestigjioz në vendin nordik.

Botërori ka nisur më 17 shtator në Bergen dhe do të përfundojë mbrëmjen e kësaj të diele, me çmimet përkatëse në disa kategori, që nga çiklistët “Junior” deri në kategorinë “Elite”, me gara në kronometër dhe ato në linjë.

Zhupa dhe Halilaj përfunduan pa sukses garën e kronometrit, duke mbetur jashtë 50 më të mirëve, ndërsa në podium u ngjit holandezi Tom Dumoulin.

Finalja e madhe është prova në asfalt e meshkujve, me 267.5 kilometra, me nisjen që u bë nga qyteza Rong, për të kaluar më pas në Straume, e për ta mbyllur në Bergen të Norvegjisë.