Panairi i mjaltit në Librazhd, risi për 150 biznese – ERTV

Panairi i mjaltit në Librazhd, risi për 150 biznese

Për herë të parë Bashkia e Librazhdit në bashkëpunim me World Vizion kanë organizuar panairin e produkteve bujqësore, blegtorale dhe artizanale.

Panairi në qendër të tij kishte mjaltin, prodhimin kryesor dhe më të njohur në Librazhd, ku më shumë se 400 bletërritës merren me prodhimin e tij. E pasur me pyje dhe kullota të shumta, por edhe me pyje gështenjash, zona e Librazhdit cilësohet si kryesorja për prodhimin e mjaltit cilësor në vend.

Në panair morën pjesë më shumë se 150 biznese, ndërsa Bashkia e Librazhdit synon ta kthejë në traditë atë që tani e tutje do të cilësohet si “Festa e Mjaltit”.

“Kjo është një iniciativë e parë dhe jam i bindur se do ta kthejmë në traditë çdo vit. Në këtë periudhë do të afrojmë më shumë. Sot janë 150 biznese që kanë sjellë produktet e tyre për t’i promovuar”, u shpreh Kastriot Gurra, kryetar i bashkisë Librazhd.
Edhe pse me shumë pak traditë në këtë drejtim kuzhinieret pranojnë se mjalti gjithnjë e më shumë po gjen përdorim në gatime të ndryshme.

“Kohët e fundit është ndërthurur kuzhina e athtë me të ëmbël. Kemi ndërthurje të kuzhinës, mishit me mjaltin, apo me produkte të tjera. Zona e Librazhdit ka më shumë produkte bio se çdo zonë tjetër e Shqipërisë”, tha Naim Bashmili.

Festa e Mjaltit mblodhi në qendër të Librazhdit qindra njerëz që jo vetëm u njohën me produktet tërësisht bio, por edhe me traditat dhe kulturën e zonës.