Botërori 2018, Franca niset drejt Rusisë me shumë “pikëpyetje” – ERTV

Botërori 2018, Franca niset drejt Rusisë me shumë “pikëpyetje”

Me afrimin e Kupës së Botës, diskutimi më i zakonshëm është ai që ka të bëjë me parashikimet. Kush do ta fitojë Botërorin? Për cilën skuadër do të rrezikonit para?

Franca, padyshim ka një nga skuadrat më të forta në kompeticionin rus, por jo të shumtë janë ata që mund të presin prej tyre t’i shkojnë deri në fund konkurrencës.

Trajneri Didier Deschamps ka lënë emra të mëdhenj, si Alexandre Alcazette, Kingsley Coman, Adrien Rabiot dhe Anthony Martial në shtëpi, gjë që tregon sesa shumë opsione ka pasur në dispozicion ai.

Tekniku i “gjelave” humbi gjithashtu shërbimet e Dimitri Payet dhe Laurent Koscielny për shkak dëmtimesh, ndërsa zëvendësuesit e tyre, Nabil Fekir dhe Adil Rami, nuk mund të konsiderohen “të dobët”.

E megjithatë, ekziston ende ajo ndjenja se Franca do të mposhtet në njëfarë pike në Rusi, ndoshta nga Spanja, nga Brazili apo nga Gjermania. Pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm që ka në përbërje, pavarësisht një progresi të qartë të bërë nga çerekfinalet e Botërorit të 2014-s deri në finalen e “Euro 2016”, ata do të udhëtojnë drejt Moskës më 10 qershor me më shumë pyetje, sesa përgjigje.

A është Deschamps trajneri i duhur? Apo i gabuari…?
Në Francë ekziston një perceptim i gjerë se Deschamps, si lojtar dhe si trajner, gjithnjë ka pasur fatin në krahun e tij. Gjithsesi, që prej marrjes së drejtimit të Francës në verën e vitit 2012, fati i tij i mirë duket se e ka braktisur.

“Euro 2016” është karakterizuar në çdo qelizë të sajën prej emrit të tij. Pasi udhëhoqi Francën drejt triumfit në Kupën e Botës 1998 si kapiten, ai mund të shtonte një tjetër kapitull në “legjendën” e tij, duke e udhëhequr vendin drejt një tjetër suksesi madhor në tokën franceze. Megjithatë, në finalen kundër Portugalisë, Deschamps bëri gjithçka gabim, më së shumti për shkak të kujdesit të tepruar, pavarësisht se ekipi i tij ishte në kryesim.

A mund ta ketë humbur ndikimin e tij? Kjo është ende herët për ta thënë. Futbollistët besojnë ende tek ai, por ka pasur edhe disa incidente të vogla, ku vendimet e tij kanë qenë të diskutueshme dhe qasja e tij disi e vakët. Ai bëri zgjedhjet e gabuara në ndeshjen kualifikuese për Botërorin në Suedi, në qershor të vitit 2017. Ai vendosi të aktivizonte si titullarë Blaise Matuidi, Moussa Sissoko dhe Payet, në vend të N’Golo Kante, Ousmane Dembele dhe Kylian Mbappe, të cilët ishin më mirë, fizikisht e moralisht. “Les Bleus” e humbën ndeshjen dhe trajneri humbi shumë nga besueshmëria e tij. Shtatorin e kaluar në Tuluzë, Franca nuk arriti të mposhtte Luksemburgun në një tjetër kualifikuese për Botërorin, pasi Deschamps sërish përzgjodhi të gabuarit në formacion. Pamundësia e tij për t’u kundërpërgjigjur, kur “gjelat” shpërdoruan një avantazh të dyfishtë (2-0) në shtëpi, për t’u mposhtur 3-2 nga Kolumbia, në një miqësore të muajit mars, përbën gjithashtu një shqetësim.

“Unë marr vendime bazuar mbi analizat dhe vëzhgimet e mia, – tha ai në kundërpërgjigje të kritikave. – Marr përgjegjësinë time për çdo lojtar që zgjedh në Kombëtare”.

Deschamps ka një kontratë deri në vitin 2020, por ai e di shumë mirë sesa i rëndësishëm është ky Botëror. Franca ka grupin më të mirë të lojtarëve që prej vitit 1998, kur vet ai ishte pjesë e fitores. Ndaj është koha që ai ta bëjë grupin të triumfojë.

A mund të jetë Pogba, udhëheqësi i brezit të tij?
Përgjatë të gjithë historisë së futbollit francez, ekipet më të sukseshme të Francës kanë pasur gjithnjë një udhëheqës të jashtëzakonshëm në fushën e blertë. Raymond Kopa udhëhoqi grupin drejt vendit të tretë në Kupën e Botës 1958. Më pas, “gjelat” kanë pasur brezin e Michel Platinisë, që arritën dy gjysmëfinale botërorësh në vitet 1982 dhe 1986, teksa fituan Euro 1984. Së fundi, mes viteve 1998 dhe 2006, ishte radha e Zinedine Zidane për të “mbretëruar” dhe për të sjellë më shumë trofe.

Zinxhiri Kopa-Platini-Zidane duhet të vazhdojë e për këtë ka nevojë për një udhëheqës, dikë që të jetë i aftë ta shtyjë përpara ekipin aktual të Francës. Në fakt ekziston vetëm një kandidat për të qenë i tillë.

“Është koha e Paul Pogba për të udhëhequr”, thotë ish-anësori sulmues i Arsenalit, Robert Pires, ish-koleg në fushë me Deschamps në vitin 1998. “Ai thotë se është i gatshëm të marrë këtë rol dhe përgjegjësi. Ja pra erdhi koha. Ai dëshiron të bëhet bosi. Besoj se është mjaftueshëm i maturuar dhe mjaftueshëm i fortë për ta bërë diçka të tillë. Nëse Franca dëshiron të fitojë këtë Kupë Bote, ata duhet të kenë në formën optimale Pogbanë. Është ky lojtar që duhet të udhëheqë lojtarë të tjerë si Mbappe apo Dembele, drejt nivelit maksimal. Ai nuk është udhëheqësi i vetëm. Hugo Lloris, Raphael Varane, Matuidi dhe Antoine Griezmann janë që të gjithë figura të shquara në këtë skuadër. Por Pogba duhet të jetë kryesori. Ai u shpall lojtari më i mirë i ri gjatë Botërorit të kaluar. Tani, ai duhet të synojë të shpallet lojtari më i mirë i turneut, kaq dhe pikë”.

Por, çfarë mendon Pires për Mbappe, i cili kaloi në formë huazimi nga Monaco te Paris SG vitin e kaluar, për të cilin parizienët do të paguajnë plot 180 mln euro këtë vit për ta bërë zyrtare transferimin? Pires mendon se është ende herët për këtë adoleshent, edhe pse nuk ka aspak dyshime se një ditë edhe ai do ta marrë këtë rol të rëndësishëm. “Ai është vetëm 19 vjeç, ka ende shumë kohë përpara – shtoi Pires. – E rëndësishme është që të mos ushtrohet shumë presion ndaj tij. Ky është kompeticioni i parë madhor për të. Besoj se ai do të shkëlqejë në fushë, por ky kompeticion do të jetë pjesë e ecurisë së tij të të nxënit”.

Lidershipi ka qenë një problem te Franca, që kur Zidane u tërhoq pas Kupës së Botës në vitin 2006. Kushdo mund të ketë lojtarë të zgjuar dhe me karakter, por të kesh një udhëheqës real, si brenda edhe jashtë fushe, kjo është një tjetër çështje.

Pse nuk ka pasur progres që nga viti 2016?
“Euro 2016” ishte një dështim i dhimbshëm për Deschampsin dhe të besuarit e tij. Ai supozohej të ishte kompeticioni që do ta rikthente sërish Francën në krye. Shpresat ishin të mëdha, ishte pikërisht trofeu që duhej lakmuar prej tyre. Por, humbja në finale ndaj Portugalisë ishte një goditje e madhe dhe dhimbja mbeti për një kohë tejet të gjatë. Që prej vitit 2016, Franca nuk është përmirësuar të themi të drejtën, pavarësisht shpërthimit të disa talentëve të mrekullueshëm si Dembele, Corentin Tolisso dhe Mbappe. Pikërisht atëherë kur trajneri dhe lojtarët duhej të garantonin se e kishin lënë pas krahëve zhgënjimin e 2016-s dhe të ngriheshin mbi gjërat pozitive që bënë në Europian (mposhtën Gjermaninë, Griezmann shkëlqeu), ata u shembën. Ndoshta e morën si të mirëqenë, apo të falur, faktin se progresi i tyre do të vazhdonte, ose thjesht e nënvlerësuan detyrën që kishin përpara. A është kjo mungesë ambicieje?

Për turneun e kësaj vere, objektivi i vendosur nga presidenti i Federatës franceze të Futbollit, Noel Le Graet është arritja e gjysmëfinaleve. Por, çfarë po shkon gabim që të mos synohet titulli? Pse mendohet vetëm për gjysmëfinalet? Mungesa e vazhdimësisë nga disa prej lojtarëve, veçanërisht atyre kryesorë, ka qenë një problem. Taktikisht, Deschamps është ende në kërkim të formacionit të tij më të mirë. A do të vijojë ai t’i besojë ende skemës 4-4-2 që funksionoi në vitin 2016? Apo është 4-3-3 më i përshtatshëm për skuadrën që ka aktualisht për të fituar Kupën e Botës? Sigurisht, vendimi do t’i takojë atij.

Gjithsesi, ka disa sinjale se ai ka bërë ndryshime nga viti 2016. Ai ka grumbulluar vetëm 9 lojtarë për Kupën e Botës, nga ata që kanë qenë edhe në Europian: Lloris, Mandanda, Umtiti, Rami, Pogba, Kante, Matuidi, Griezmann dhe Giroud. Por a janë të mjaftueshme këto ndryshime? Kjo mbetet për t’u parë, e nuk do të duhet edhe shumë kohë.

A mundet Franca të frymëzohet nga brezi i 1998-s?
Plot 20 vite më parë, më 12 korrik Franca ngriti trofeun e Kupës së Botës në tokën e saj, për herë të parë. Prej atëherë është ndjekur një rrugë e gjatë dhe me ulje-ngritjet e saj. Performancat më të mira u regjistruan në 2000, 2006 dhe 2016, por pati edhe vite zhgënjyese si 2002, 2004, 2008 dhe 2010. Padyshim kërkohet që edhe fati “të udhëtojë” drejt Rusisë me skuadrën e Francës. Shumica e lojtarëve të grumbulluar nga Deschamps janë rritur me kujtimet e vitit 1998 dhe me finalen e pabesueshme Francë-Brazil. Mbappe, për shembull, nuk kishte ardhur në jetë kur Deschamps ngriti trofeun në “Stade de France” verës së asokohe, por ai ka parë regjistrimet miliona herë teksa rritej. Brezi i 1998-s duhet të ketë padyshim pasardhës dhe ndoshta mund të jetë e shkruar që brezi i 2018-s të jetë ekzaktësisht ai i duhuri. Pritshmëritë janë të larta, por po aq i lartë edhe presioni.

“Nuk duhet të ketë një barrë të rëndë mbi këtë brez”, thotë ish-kampioni i botës Bixente Lizarazu. “Nuk duhet të ketë presion të shtuar ndaj tyre, se duhet të fitojnë vetëm pse e bëmë ne 20 vite më parë. Gjithsesi, nëse ata mund ta shfrytëzojnë këtë stimul si një shtysë për të ecur më tej, ndoshta mund të funksionojë. Didier ka qenë në një situatë të ngjashme më herët, ia ka dalë mbanë e me siguri do të ketë mjaftueshëm këshilla për lojtarët, veçanërisht për ata më të rinjtë, për t’i udhëhequr drejt këtij procesi dhe t’i çojë sa më larg të mundet”.

Fitorja e Botërorit 20 vite pasi Zidane e bëri një gjë të tillë do të ishte diçka speciale për Pogbanë dhe ekipin e Francës. Ata kanë ende çështje për të zgjidhur, pyetje për t’iu dhënë përgjigje, e ndoshta mund të mos jenë në krye të parashikuesve për momentin. Por, siç thonë francezët e jo vetëm, asgjë nuk është e pamundur…