Ndalohet në Spanjë drejtuesi i grupit “Bajri” – ERTV

Ndalohet në Spanjë drejtuesi i grupit “Bajri”

Enver Bajri i dyshuari si drejtuesi i grupit te Bajri është ndaluar nga policia spanjolle, pasi policia shqiptare e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Bajri dyshohet se është drejtuesi i grupit kriminal “Bajri”, që ishte aktiv kryesisht në zonën e Shkodrës dhe u godit disa javë më parë nga Policia e Shtetit në një operacion të gjerë. Enver Bajri u ndalua në San Huan, Alicante te Spanjës.

Policia e Shtetit ishte në gjurmim të tij, duke përdorur metoda speciale të hetimit dhe në bashkëpunim me agjencitë e huaja ligj zbatuese, arritën të konkretizonin arrestimin e tij. Bajrit në momentin e ndalimit iu gjet një armë pistoletë, që e mbante pa leje dhe rreth 9 mijë euro. Enver Bajri është dënuar edhe në Itali me 6.6 vite burg për veprat penale të “Organizim i emigracionit të paligjshëm”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Falsifikim”.

Grupi Bajri u godit nga policia e shtetit dhe 11 persona u arrestuan. Grupi Bajri, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në Evropë dhe paratë e fituara nga ky aktivitet i investonin brenda vendit”. E provuar sipas prokurorisë është edhe akuza për dy vrasje. Mes të arrestuarve është edhe ish-portieri Armir Grimaj.

Ai dyshohet për trukimin e ndeshjes Vllaznia-Tërbuni, një ndeshje e zhvilluar në muajin maj dhe e mbyllur me rezultatin 2-1. Nga ana tjetër, prokuroria po heton edhe për pastrim parash, një vepër që ka dyshime se kryhej përmes fajdeve. Nën hetim pasuror janë edhe pasuritë e të dyshuarve, mes të cilave edhe dy biznese.