Bashkia e Tiranës prezanton “Guidën Studentore” me informacione për studentët e rinj – ERTV

Bashkia e Tiranës prezanton “Guidën Studentore” me informacione për studentët e rinj

Studentët që kanë ardhur në Tiranë për të ndjekur studimet e larta do të marrin edhe një broshurë mirëseardhjeje nga Bashkia e Tiranës, e cila do t’u shërbejë si një guidë për të njohur qytetin. Prezantimin e saj e bëri kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një takim me studentët, i cili tha se kjo guidë do t’ju vijë në ndihmë studentëve të rinj që kanë nisur këtë tetor universitetin.

Veliaj i njohu banorët më të rinj të Tiranës me disa nga mundësitë e shkëlqyera që ofron kryeqyteti, jo vetëm për të kaluar kohën e lirë, por edhe për t’u angazhuar në projekte apo aktivitete vullnetare. Ai nënvizoi se Tirana sot ofron çdo ditë aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore, duke i dhënë mundësi gjithkujt të gjejë veten e tij. Ndaj, Veliaj ftoi studentët e rinj që të frekuentojnë Parkun e Liqenit, Amfiteatrin e rindërtuar, apo aktivitetet e tjera që organizohen në kryeqytet.

“Na duhen vullnetarë dhe kur them vullnetarë, nuk flas për llaç e tulla. Na duhen vullnetarë që mund të shërbejnë si këshilltarë, si psikologë, si punonjës socialë, që dikush që mund të ketë kaluar një situatë të vështirë në familje, të mund ta rrëfejë ose të kërkojë ndihmë. Rrjeti ynë i vullnetarëve, pavarësisht profilit tuaj, qofshi sportiv, si Maratona e Tiranës, Triathloni, qofshi të profilit artistik, si Tirana Art Fest, apo edhe të profilit social, keni mundësi pafund. Patjetër që na ndihmoni, por jam i bindur se një vullnetar ndihmon edhe veten”, theksoi Veliaj.

Bashkia e Tiranës e ka kthyer në traditë “Guidën Studentore”, broshurën me informacione të vyera për qytetin që u shpërndahet studentëve të rinj që vijnë në Tiranë me fillimin e universitetit.