Lali Eri një lajm të mirë për Tiranën: Vitin tjetër nisim me autobusët elektrikë – ERTV

Lali Eri një lajm të mirë për Tiranën: Vitin tjetër nisim me autobusët elektrikë

Gjatë prezantimit të “Guidës Studentore”, krybashkiaku i Tiranës dha një lajm të mirë, jo vetëm për studentët, por për gjithë qytetarët e kryeqytetit, se vitin e ardhshëm do të vijë flota e parë e autobusëve elektrikë, që do të rrisë jo vetëm cilësinë e shërbimit, por do të ofrojë transport publik pa ndotje.

Po ashtu, i ftoi ata të përdorin më shumë biçikletën, duke qenë se në Tiranë korsitë e biçikletave janë kthyer në trend, sidomos pas ardhjes së Mobike.

“Vitin tjetër do fillojmë me autobusët elektrikë. Është një mënyrë shumë më komode për të përdorur transportin publik, sidomos tani që po bëjmë linjat e dedikuara jo vetëm për biçikletat, por duke filluar në unazë edhe për autobusët. Nëse doni të lëvizni në Tiranë është më mirë të përdorni një biçikletë”, tha Erion Veliaj.

Ai e cilësoi një lajm të mirë edhe vendimin për të hequr pikat e basteve nga qyteti, e për pasojë edhe nga Qyteti “Studenti”. “Kështu çunat do të kenë më shumë kohë për sport dhe më shumë para në xhep. Mezi pres të vijë 1 janari, që të lirohen edhe hapësirat e zëna me pika e biznese të tilla në Qytetin Studenti. Ato janë para që mund të shpenzoheshin shumë më mirë me sport, aktivitete, ekskursione”, u shpreh Veliaj.