Lotito blindon Igli Taren – ERTV

Lotito blindon Igli Taren

Lazio mendon për të ardhmen dhe e nis duke blinduar Drejtorin Sportiv të klubit, Igli Taren. Ky i fundit rinovoi kontratën me klubin roman deri në vitin 2020 me opsion për zgjatjen e saj edhe për 2 vjet të tjerë.

Kontrata e Tares skadonte në 30 nëntor të këtij viti, por të premten ai pranoi të zgjasë bashkëpunimin me bardhekaltrit sigurisht duke përfituar edhe një dyfishim të pagës së tij në pak më shumë se 1 milion Euro në sezon.

Igli Tare është prej një dekade në bordin drejtues të Lazios dhe gjatë kësaj kohe ai ka kontribuuar në skuadër duke sjellë futbollistë që më pas kanë mundësuar rritje të të ardhurave te Lazio në merkaton e transferimeve.

Keita, Felipe Anderson apo Biglia janë disa prej lojtarëve që janë bërë pjesë e skuadrës laziale me Taren në rolin e Drejtorit Sportiv, listë së cilës i bashkohet edhe emri i Thoma Strakoshës, që tashmë është një titullar i padiskutueshëm.

Por ajo që rezulton si blerja më e mirë e Tares duke u bazuar te shifrat, është ajo e Milinkovic Savic i cili u mor nga skuadra belge e Genk për vlerën e 14 milionë Eurove.

Paraqitjet e 23 vjeçarit kanë qenë impresionuese dhe kjo ka bërë që vlera e kartonit të tij në merkato të rritet me një shpejtësi të madhe duke arritur në 150 milionë Euro. Janë këto arsye të mjaftueshme për Lotiton për të vendosur rinovimin me Igli Taren që ka treguar se është i aftë në detyrën e tij duke shpresuar në kualifikimin e Lazios në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.