Rama-Meta shah me “koka” njerëzish – ERTV

Rama-Meta shah me “koka” njerëzish

Nga Mentor Kasa — Polaku i natyralizuar francez, Savielly Tartakower e fitoi titullin “Grandmaster” në shah në vitin 1950, por në tre dekadat paraardhëse, si gazetar e shkrimtar ai ishte i njohur në rrethin e shahistëve dhe në opinion, jo vetëm për stilin e lojës së tij, por edhe për mprehtësinë, aforizmat e krahasimet e goditura për të paralelizuar këtë sport të mendjes me thuajse çdo fushë të jetës.

“Është gjithmonë më mirë që të sakrifikosh figurat e kundërshtarit”, është një prej citimeve të famshme të tij.

Duke mos pasur në mes përcaktimin “shah”, ky citat familjarizohet në çdo fushë tjetër, kur përballë janë dy kundërshtarë dhe aq më tepër në politikë. Shahu është një lojë që luhet ekskluzivisht nga dy persona dhe kur luhet në politikë, kundërshtarët si rregull duhet të jenë njëri në pushtet dhe tjetri në opozitë. Kjo lojë nuk pranon vend për një lojtar të tretë, por për një “gjyqtar” mbi palët po.

Pra, me rregullat e shahut, Lulzim Basha duhet të ishte kundërshtari në këtë lojë i Edi Ramës dhe Presidenti Ilir Meta, Kushtetuta e ligjet “gjyqtari mbi palët”. Çuditërisht, në Shqipëri këto ditë po luhet mes Kryeministrisë dhe Presidencës, e konfirmuar kjo edhe nga mesazhi i Edi Ramës drejtuar deputetëve të tij që të heshtnin për vendimin e Presidentit Meta për të mos dekretuar Sandër Lleshin.

“Lutem asnjë lloj komenti askush për vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t’i dalim Zot njerëzve, vendit, Kushtetutës me maturi dhe vendosmëri. Politika është shah, mos e harroni”, lexohet në mesazhin që u dërgoi Rama deputetëve.

Në skakierë shpesh “sakrifikohen” të gjithë “ushtarët” për t’i shërbyer një qëllimi më madhor; fitimit të lojës. Aty, ata janë të gdhendur, përgjithësisht në dru, por në politikë ‘ushtarët’ janë njerëz realë që sakrifikohen për një qëllim më të madh në lojën, ku i gjithë synimi është kapja “mat” e mbretit rival.

Për ta thënë më thjesht, në shahun Kryeministri-Presidencë dihet se kush janë “mbretërit” nën komandën e të cilëve po lëvizin e po sakrifikohen “ushtarët”, që nuk janë të paktë.

Në këndvështrimin e një shahisti, edhe amator qoftë, kuptohet lehtë se Sandër Lleshi, që mban gradën gjeneral, në lojën Rama-Meta është veçse një “ushtar” dhe në këtë mes ishte njëri prej të sakrifikuarve.

Lëvizja e Presidentit bllokoi “ushtarin Lleshi” dhe si kundërpërgjigje pasoi lëvizjen e Kryeministrit, duke manovruar me emërimin e tij si zv.ministër të Brendshëm. Presidenca u kundërpërgjigj me shtyrjen përpara të një tjetër “ushtari”, duke sfiduar Kryeministrin dhe propozuar Vitore Tushën si kandidaturë për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Vitore Tusha aktualisht është gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese. Ajo e ka kaluar Vettingun por vështirë se do të votohet nga socialistët në Kuvend, edhe për shkak të së shkuarës. Tusha mbahet mend si gjyqtarja që nëntor të vitit 1995 rrëzoi kërkesën e ish-Kryeministrit Fatos Nano, i cili kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu pasi ishte dënuar me 12 vite heqje lirie.

Kësaj lëvizjeje të Presidencës, Kryeministri iu përgjigj me një lëvizje “taktike” përmes rrjeteve sociale.

“Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00”, shkruante ai në Twitter ditën e hënë.

“Paralajmërimi” që nuk mbaron me kaq duket se ka nxitur Presidencën që të bëjë lëvizjen e radhës, duke dekretuar një emër që qëndronte për më shumë se një vit në sirtaret e Ilir Metës. Helidon Bendo është edhe zyrtarisht kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, pasi prej një viti e drejtonte këtë institucion me kompetenca të plota të dhëna nga Kryeministrit, por si zv.drejtor i SHISH.

Dekretimin e Bendos e përshëndeti edhe Edi Rama në seancën e jashtëzakonshme të kësaj të marte. Ai mirëpriti vendimin e Presidentit. “Jo pse populli thotë më mirë vonë se kurrë, por çdo reflektim pozitiv është për t’u përshëndetur, aq më tepër kur reflekton Presidenti i Republikës”, deklaroi Rama.

Presidenti vetë, kur Rama shqiptonte këto fjalë në Kuvend kishte udhëtuar drejt Kalabrisë për të marrë pjesë në aktivitete në kuadër të Vitit të Skënderbeut dhe paralajmërimi i dytë i Kryeministrit, kur i thotë që “krisja të mos bëhet thyerje”, premton që loja e shahut politik mes tyre të vazhdojë./ Nga Mentor Kasa