Tushaj, prova e radhës së “luftës” President-mazhorancë – ERTV

Tushaj, prova e radhës së “luftës” President-mazhorancë

Kur Lleshi tashmë është një ministër i Brendshëm i komanduar, “lufta” mes Presidentit dhe Qeverisë dhe mazhorancës socialiste do të fokusohet te dekreti i Metës për emërimin e Vitore Tushës në postin e kreut të KLSH-së.

Dekreti i Presidentit mësohet se akoma nuk është dërguar zyrtarisht në Parlament. Gjithashtu mazhoranca nuk ka një vendim final për këtë propozim të paraqitura nga ana e Metës, ku me propozimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, duket se nuk është mbështetur te të gjitha kriteret ligjore, pasi Presidenti nuk ka marrë në konsideratë faktin që e propozuara për këtë post mbush moshën e pensionit pas tre vitesh.

Mandati i kreut të KLSH-së, sipas Kushtetutës është 7-vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje. Sipas nenit 20 të ligjit “Për organizimin e funksionimin e KLSH”, “Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit duhet të zgjidhet shtetasi shqiptar, që plotëson kushtet e mëposhtme: a) ka arsim të lartë në ekonomi, financë ose drejtësi; b) përvojë profesionale në çështje financiare; c) ka kualifikime të larta profesionale dhe përvojë pune në profesion jo më pak se 10 vjet; ç) gëzon integritet të lartë moral dhe profesional; d) nuk është dënuar më parë për kryerjen e një krimi me vendim gjyqësor të formës së prerë”.

Por në nenet e tjera theksohet se mandati i kryetarit të KLSH-së mund të ndërpritet për disa shkaqe.

“Mandati i Kryetarit të KLSH-së mbaron kur: a) mbaron afati shtatëvjeçar i qëndrimit në detyrë; b) dënohet nga gjykata me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi; c) nuk paraqitet në detyrë për shkaqe të paarsyeshme; ç) jep dorëheqjen; d) deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë; dh) mbush moshën e pensionit; e) vdes”, thuhet në nenin 23 të ligjit.

Gërma “dh” e ligjit mund të penalizojë të propozuarën e Metës në krye të KLSH-së, pasi Tushaj mbas tre vitesh mbush moshën e pensionit.

Pikërisht ky mund të jetë argumenti që mazhoranca mund ta përdorë në rast se do të vendosë që të rrëzojë dekretin e Presidentit për kreun e KLSH-së, duke i kërkuar që të propozojë një kandidaturë tjetër. Gjithsesi dekreti pritet të jetë edhe pjesë e ndonjë kompromisi politik të radhës mes mazhorancës dhe Presidentit.

Meta mund të tërhiqet nga ideja e mos dekretimit të Sandër Lleshit si ministër, duke “detyruar” kryeministrin që ta riparaqesë sërish propozimin dhe Kuvendi ta miratojë propozimin që Tushaj në krye të KLSH-së.

Ky mund të ishte kompromisi, nëse një gjë e tillë mund të jetë arritur më parë duke përfshirë edhe dekretimin e Bendos në krye të SHISH.

Ndërkaq mazhorancës i duhet të pranojë që kreu i ri i KLSH-së të ketë një mandat de facto trevjeçar për shkak të moshës së pensionit, e që pas tre vjetësh, kreu i këtij institucioni të zgjidhet nga mazhoranca e re që do të dalë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2021, por me President sërish Ilir Metën, si propozues.