Vitore Tusha në “prag” pensioni – ERTV

Vitore Tusha në “prag” pensioni

Takimi i zhvilluar dje në Presidencë mes kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe presidentit Ilir Meta duket se e ka “shtensionuar” situatën konfliktuale ndërmjet mazhorancës dhe kreut të shtetit. Fakti që Presidenti doli dhe e përcolli Ruçin nga ky takim, i buzëqeshur, duke mos bërë të njëjtin veprim pas takimit të një dite më parë me Ramën, tregon se mes tyre diçka ishte arritur dhe mbi të gjitha u përcoll si një mesazh i rëndësishëm për mazhorancën socialiste, e cila një vit më parë e zgjodhi me votat të saj në krye të këtij institucioni.

Dhe menjëherë pas këtij takimi filluan lëvizjet e para nga Presidenca, e cila nisi të shpallte vendimet nëpërmjet dekreteve. Së pari dekretoi datën e zgjedhjeve, 30 qershorin, duke plotësuar edhe dëshirën e socialistëve. Më pas nxori dekretin për t’i propozuar Kuvendit të Shqipërisë, anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha si kryetare të Kontrollit të Lartë Shtetit.

Kur dukej se tensioni vijonte në nivelin më të lartë mes dy institucioneve kryesore në vend, presidenti Meta, sot, dy orë para nisjes së seancës parlamentare, njoftoi për nxjerrjen e dekretit për emërimin e Helidon Bendos si Shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror.

Një vendim i marrë vetëm pas një viti, pasi propozimi i kryeministrit Edi Rama kishte kohë që ishte “fshehur” në sirtaret e Presidencës. Dekreti ishte firmosur dje, por Meta preferoi ta publikonte sot, përpara se të niste vizitën e tij drejt Italisë dhe pikërisht para se Parlamenti të votonte për shkarkimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm, e para se kryeministri Rama të fliste për këtë konflikt me Presidentin.