Dënimi i Shullazit, ambasadorja gjermane: Askush nuk qëndron mbi ligjin – ERTV

Dënimi i Shullazit, ambasadorja gjermane: Askush nuk qëndron mbi ligjin

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka reaguar për dënimin e Emiljano Shullazit.

Susanne Schüt vlerëson procesin dhe thekson se dënimi i Shullazit dhe anëtarëve të tjerë të bandës së tij treguan se askush nuk qëndron mbi ligjin.

“E kam ndjekur me shumë vëmendje procesin ndaj pesë të pandehurve në çështjen Emiljano Shullazi dhe përshëndes faktin që tanimë është marrë një vendim në shkallë të parë. Vendimet e Gjykatës për Krimet e rënda të bëra të ditura ditën e djeshme tregojnë, që askush nuk qëndron mbi ligjin, sikundër nënvizojnë forcën e shtetit ligjor në Shqipëri”, shkruhet në faqen zyrtare të ambasadës gjermane në Facebook.

Më tej ajo shton se është e rëndësishme që drejtësia shqiptare të vazhdojë të veprojë kundër krimit të organizuar mbi bazën e ligjit dhe të drejtës.

“Përmirësimi i bilancit të sukseseve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga detyrat qendrore të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.”, thekson ambasadorja gjermane.