Dënimi i Shullazit, reagon ambasada amerikane – ERTV

Dënimi i Shullazit, reagon ambasada amerikane

Pas vendimit që dha drejtësia shqiptare për Emiliano Shullazin dhe anëtarët e tjerë të bandës së tij, ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë.

Përmes një njoftimi në rrjetin social facebook, ambasada amerikane e cilëson ditën e dhënies së vendimit për të, si një hap domethënës për qytetarët shqiptarë që kërkojnë dhe meritojnë drejtësi të vërtetë nga sistemi i tyre gjyqësor.

“Ne u inkurajuam nga puna e prokurorëve shqiptarë, të cilët, duke u bazuar në prova, bindën gjykatësit e Krimeve të Rënda se një bos i krimit dhe kriminelë të tjerë e kanë vendin në burg. Përshëndesim shqyrtimin e kujdesshëm të këtij rasti. Vendimi i marrë është një fitore për sundimin e ligjit në Shqipëri” shkruhet në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në facebook.

Reagimi, pas dënimit të Shullazit mbyllet me një pyetje, që sipas tyre bëhet nga qytetarët shqiptarë, se kush e ka radhën?, duke nënkuptuar me këtë, se ka ende elementë kriminalë që janë të lirë dhe që përgjegjësia bie mbi institucionet ligjzbatuese të vendit.