Liga e Kombeve/ Varianti i “çmendur” që kualifikon Shqipërinë! – ERTV

Liga e Kombeve/ Varianti i “çmendur” që kualifikon Shqipërinë!

Në futboll gjithçka është e mundur dhe historia na ka dhuruar rezultate dhe kombinime nga më të pa besueshmet. Në vigjilje të sfidës kundër Skocisë, e fundit për Shqipërinë në Ligën e Kombeve, ekipit të Panuçit i duhet më shumë se një “mrekulli” për të synuar kualifikimin.

Në fakt ekziston vetëm një variant ku Shqipëria mund të kualifikohet si e para e grupit. Duhet që kuqezinjtë të fitojnë ndeshjen në Shkodër ndaj Skocisë me një diferencë prej 4 ose më shumë golash. Vetëm në këtë mënyrë golavarazhi i kuqezinjve do të shkonte +1. Ndërkohë, do të duhej që tre ditë më vonë, Skocia të tregonte egon e saj dhe të mundë Izraelin me 2 gola diferencë. Në këtë mënyrë, të tre skuadrat do të ishin me pikë të barabarta, 6 pikë, dhe në lojë do të hynte golavarazhi i përgjithshëm i grupit, me vetëm Shqipërinë që do ta kishte pozitiv, ndërsa i Izraelit do të ishte 0 dhe i Skocisë -1.

Ky është një kombinim shumë i vështirë, rezultate te cilave nuk i beson shumë as presidenti Duka, i cili do të ishte i kënaqur edhe nëse Kombëtarja e mbyll me fitore dhe pa u kualifikuar. Nuk beson shumë as Panuçi, por të gjithë besojnë se Shqipëria e ka potencialin për të mundur Skocinë, pak rëndësi ka nëse fiton ose jo me 4 gola diferencë.