Turqi, në sektorin e ndërtimit bien këmbanat e alarmit – ERTV

Turqi, në sektorin e ndërtimit bien këmbanat e alarmit

Gati 2 milionë vetë në Turqi janë të punësuar në sektorin e ndërtimit. Por tani rënia e çmimeve të apartamenteve po kthehet në problem jetik për këtë sektor. Qeveria përpiqet të veprojë, ekspertët janë skeptikë.

Qeveria turke ka shumë dëshirë të prezantojë projekte prestigjioze – ura pompoze, ndërtime gjigande, qendra tregtare të mëdha, projekti më i madh aktualisht, aeroporti i Stambollit, që një ditë synon të jetë më i madhi në botë. Sinjali që do të dërgojë qeveria: sektori i ndërtimit po lulëzon.
Për 15 vite me radhë ky sektor shihej si forca lëvizëse e ekonomisë turke, por tani kanë filluar të bien këmbanat e alarmit. Gati 2 milionë vetë janë të punësuar në sipërmarrjet e ndërtimit në Turqi. Por ato janë të zhytura në borxhe, me rreth 60 miliardë euro, tani atyre iu ngushtuar edhe më laku. Ndërkohë që kërkesa në sektorin e ndërtimit po bie dhe shitja e apartamenteve bie rregullisht me rreth 10% në muaj.
Fryrje artificiale
Qeveria turke e sheh veten të detyruar ta shpëtojë nga kriza sektorin e rëndësishëm që vitin e kaluar ka ofruar 4,7% të prodhimit të brendshëm bruto-. Sipas raportimeve në media Ankaraja po përgatit një paketë masash ndihme, por ekspertët janë skeptikë, nëse ato janë masat e duhura. Një problem i këtij sektori është fryrja artificiale e bumit të tij. Dikur ishte shumë e lehtë për sipërmarrjet e ndërtimit të merrnin kredi në shuma të mëdha, me norma të ulta interesi dhe afatgjata, thotë eksperti i financave, Uğur Gürses.

„Për një kohë të gjatë ky sektor merrte kredi me 1% normë interesi. Kjo e rriti kërkesën për apartamenteve duke sjellë një bum ndërtimesh.”
Por shenjat e para të krisjes u dukën që në vitin 2016, pas përpjekjes për puç ushtarak e zhvillimet e mëparshme politike në vend sollën keqësimin e koniunkturës, që po ashtu çoi në rënien e çmimeve të imobilieve.

Nga ana tjetër, thotë Gürses, në Turqi është derdhur shumë më pak kapital në këto vite, gjë që ka krijuar probleme në sektorin financiar të ndërtimit. Gjithnjë ka pasur fushata të sektorit të ndërtimit për ta zgjidhur problemin. Mbështetësit më të mëdhenj të këtij sektori kanë qenë bankat publike, por edhe burimet e tyre financiare me ngadalë po pakësohen, sipas ekspertit.
Sipas Autoritetit Turk të Mbikqyrjes së Bankave, BDDK kreditë e sektorit të ndërtimit përbëjnë 15% të të gjithë kredive në Turqi. Ndërsa Instituti Turk i Statistikave, TÜIK konstaton se blerja e apartamenteve në shtator 2018 shënoi një rënie me 9,2% krahasuar me një vit më parë.