Dosja e pronës në Tiranë, Gjykata e Apelit nuk njeh Kushtetuesen – ERTV

Dosja e pronës në Tiranë, Gjykata e Apelit nuk njeh Kushtetuesen

Problemet me pronat në vendin tonë vazhdojnë të mbeten ndër fenomenet më shqetësuese, me pasoja jo vetëm ekonomike, por edhe sociale, për shkak të konfliketeve që lindin.

Në këtë problematikë, një pjesë të rëndësishme kanë edhe gjykatat, të cilat jo në pak raste nuk kanë dhënë drejtësi, duke kundërshtuar madje edhe vendime të gjykatave supreme.

I tillë është rasti i Nadire Qinamit, e cila është përjashtuar nga e drejta e pronësisë të një objekti, pikë karburanti në Tiranë, të cilën e ka ndërtuar vetë në një tokë të blerë prej saj dhe dy bashkëpronarëve të tjerë.

Gjykatat i kanë njohur pronësinë bashkëpronarëve të tokës, duke përjashtuar Nadiren, që është investitorja kryesore e objektit. Por Gjykata Kushtetuese, në bazë të ankesës së bërë nga kjo e fundit, ka konstatuar shkelje në vendimet e njohjes së pronësisë dhe ka vendosur ta shqyrtojë çështjen në seancë gjykimi.

Por këtu nis një tjetër padrejtësi, sipas Nadires, pasi gjykata e Apelit nuk pranon të pezullojë ndarjen fizike të pronës, derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet për mënyrën se si janë përcaktuar bashkëpronarët e objektit.

“Në bazë të vendimit të Kushtetueses, Gjykata e Shkallës së parë vendos pezullimin e ndarjes së objektit, por pala e apelon dhe Gjykata e Apelit në mënyrën më të papërgjegjshme e prish vendimin e pezullimit dhe lejon vazhdimin e procedurës së ndarjes. Në cilin ligj bazohet Gjykata e Apelit, që del mbi Gjykatën Kushtetuese, e cila thotë se ka konstatuar shkelje në mënyrën e përcaktimit të bashkëpronarëve”, tregon Nadirja.

Në kushtet kur as Gjykata e Lartë dhe as Kushtetuesja, nuk kanë kuorum për gjykim, Nadires nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të presë për drejtësi, ndërsa pronën e gëzojnë të tjerë persona.