Gjykata liron protestuesit! Në burg mbetet vetëm 1 – ERTV

Gjykata liron protestuesit! Në burg mbetet vetëm 1

Gjykata e Tiranës ishte “blinduar” me masa sigurie që herët në mëngjes nga policia. Familjarët e të ndaluarve të “Unazës së re” nuk u lanë të hynin në seancë, ndërsa vështirësi për të ndjekur gjyqin patën edhe deputetë, madje edhe avokatët e të pandehurve.

Seanca nisi rreth orës 11, teksa të ndaluarit dolën para gjyqtarit Besnik Hoxha.

Ndërkohë që po zhvillohej seanca për masën e sigurisë për 11 të ndaluarit, banorët e ‘Unazës së re’, të mbështetur edhe nga deputetë të opozitës, e kanë zhvendosur protestën e tyre para Gjykatës së Tiranës.

Prokurorët kërkuan masën arrest me burg për 5 nga 11 të ndaluarit, por pasi dëgjoi edhe palën mbrojtëse, gjyqtari Hoxha vendoi masën “detyrim paraqitjeje” për 10 persona.

Në burg u mbajt vetëm Dorian Protoduari, i cili ditën e protestës u arrestua në mjediset e Spitalit të Traumës.

Ndërkohë, më herët Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për shtetasin Iljas Katiraj, i cili tentoi të qëllonte me këpucë kryeministrin Rama, pasi ky i fundit vizitoi në Spitalin e Traumës policen e gjymtuar, Ina Nuka.

Katiraj akuzohet për “goditje për shkak të detyrës”, ndërsa pas përfundimit të seancës, deputetët e opozitës mbajtën qëndrim kundër.

Ndërkohë, masa e sigurisë për të arrestuarin tjetër, Daniel Drobaj do të zhvillohet të hënën. 18-vjeçari akuzohet se është personi që hodhi kapsollen e fuqishme, që dëmtoi rëndë policen e “Shqiponjave”, ndërsa edhe për të Prokuroria pritet të kërkojë “arrest me burg”.

Vendimet, si më poshtë:
Erald Muçaj, detyrim paraqitjeje çdo muaj ora 12; Ali Naliç, detyrim paraqitje; Alban Ahmetcenaj, detyrim paraqitje, Paolo Ahmetcenaj, detyrim paraqitje, Lulzim Dozhlani, detyrim paraqitje, Fluturim Koleci, detyrim paraqitje, Ruzhdi Daci, detyrim paraqitje, Marsel Velillari, detyrim paraqitje, Dorjan Protoduari, arrest me burg, Amarildo Sinanaj, detyrim paraqitje, Shpati Bilbilaj, detyrim paraqitje.