Kombëtaret e moshave, 120 futbollistë u testuan sot në Fier – ERTV

Kombëtaret e moshave, 120 futbollistë u testuan sot në Fier

Federata Shqiptare e Futbolli ka filluar ditën e sotme seleksionimet për ekipet kombëtare të moshave, për të parë nga afër të gjithë kandidatët për Kombëtaret U-15, U-17 dhe U-19. Seleksionimet do të zhvillohen në 6 Rajone të Shqipërisë ku ndodhen Zyrat Rajonale të FSHF, Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier dhe Korçë, si edhe në Itali e Greqi.

Drejtori Teknik Dzemal Mustedanagic i shoqëruar nga trajneri i ekipit Kombëtar U-21 Alban Bushi, Sulejman Mema, specialist i ekipeve kombëtare, Nevil Dede, trajneri i ekipit Kombëtar të femrave U-19, po ashtu nga trajneri i ekipit Kombëtar të femrave U-17, Armand Dama si edhe specialisti i sektorit të ekipeve kombëtare Denis Lilo. Të gjithë ishin të pranishëm në qytetin e Fierit ku kanë vëzhguar nga afër 120 futbollistë të datëlindjeve 2001-2005/2006.

Ndeshjet u zhvilluan në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”. Me këtë seleksionim do të përzgjidhen lojtarët për ekipet kombëtare rajonale, proces që do të vazhdojë në 5 rajonet e tjera.

Sektori i ekipeve Kombëtare në FSHF pasi të ketë përfunduar seleksionimet brenda Shqipërisë do të ndjekë nga afër edhe të rinjtë shqiptarë në Itali dhe Greqi, për të përzgjedhur elementët më cilësorë.