Plagosësi i efektives lihet në burg, avokati: Policia e rrahu me grushte! – ERTV

Plagosësi i efektives lihet në burg, avokati: Policia e rrahu me grushte!

Me dorën e fashuar, u shfaq sot në sallën e gjyqit në Gjykatën e Tiranës, 18-vjeçari Daniel Drobaj, i cili akuzohet se ka plagosur efektiven e forcave “Shqiponja”, Ina Nuka.

Në gjyqin për protestuesin e “Astirit”, togat e zeza vendosën masën e sigurisë “Arrest me burg” për 18-vjeçarin, ndërsa në sallë ka pasur tension, teksa me kërkesë të gjyqtarëve u nxorën jashtë deputetët e opozitës.

Në ngarkim të Drobajt rëndojnë veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”.

I riu pretendon se policia i ka thyer gishtat si hakmarrje për gjymtimin e polices në dorë.

“Theksoj se kam pasur vetëm tre kapsolla të cilat i kam ndezur dhe i kam hedhur në drejtim të llamarinave që rrethojnë Namazgjanë që po ndërtohet”, ka dëshmuar 18-vjeçari para Prokurorëve të çështjes.

Menjëherë pasi gjykata e la në burg Drobajn, për mediat foli avokati i tij, i cili tha se Prokuroria nuk ka asnjë provë që të faktojë plagosjen e efektives nga i riu.

I pyetur nga gazetarët, nëse ka pamje filmike që vërtetojnë se Drobaj hodhi kapsollën që lëndoi efektiven e “Shqiponjave”, avokati tha se diçka e tillë nuk ekziston.

“Prokuroria nuk ka asnjë provë që klienti im ka hedhur kapsollin drejt efektives së policisë. Ai ka pranuar, se ka pasur kapsolla dhe i ka hedhur ato drejt llamarinave të Namazgjasë. Në lidhje me kundërshtimin e forcave të policisë, klienti ka dalë në mbrojtje të banesës së tij, nuk ka dhunë ndaj policisë. Ai nuk ka pranuar ta shoqërojnë me makinën e policisë. Paraqita para Gjykatës kërkesat e familjarëve të tij. Ka qenë një çështje minutash ku i ati e ka nxjerrë nga banesa për ta dorëzuar”, tha avokati i 18-vjeçarit.

Ndërkohë njësoj si i riu edhe avokati akuzoi policinë se ka dhunuar klientin e tij.

“Është ushtruar dhunë sipas tij me të gjitha mënyrat, me sharje nga më rrugaçet e deri te goditjet me grushta”, u shpreh ai.