Prishen edhe dy objekte të tjera tek Unaza e Re – Video – ERTV

Prishen edhe dy objekte të tjera tek Unaza e Re – Video

Ka vijuar edhe sot ne mëngjes aksioni i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe Bashkisë se Tiranës për prishjen e ndërtimeve që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe, në segmentin nga mbikalimi te Pallati me Shigjeta deri te Dogana.

Pas shembjes mbrëmjen e djeshme të dy shtëpive të para, mjetet e IMT-së dhe Bashkisë se Tiranës nisen punën qe ne orët e para të mëngjesit për shembjen e dy objekteve të tjera.

Siç shihet edhe nga pamjet, bëhet fjalë për dy ndërtime që janë në aksin kryesor të këtij segmenti, në afërsi të sheshit “Shqiponja”. Ashtu si edhe dy familjet e para, edhe familjet që zotëronin ndërtimet që u prishën sot janë sistemuar në banesat sociale, te mobiluara, komode dhe me te gjitha kushtet e nevojshme.

Kryebashkiaku Erion Veliaj publikoi mëngjesin e sotëm fotot nga familjet e para të cilat janë transportuar me automjetet e shërbimit social të Bashkisë së Tiranës në apartamentet e reja.

Ai u ka bërë thirrje të vazhdueshme banorëve të zonës së Astirit që të distancohen nga përdorimi politik që po u bën opozita dhe të aplikojnë sa më parë pranë Bashkisë Tiranë për të përfituar nga programet e saj sociale.

Veliaj beri të ditur se për të gjitha familjet që ndërtesat i kanë me leje do të shpronësohen sipas parashikimeve që bën ligji, ndërsa për ata që s’kanë dokumente pronësie do të ofrohet mbështetje sociale, duke filluar që nga bonusi i qirasë e deri te banesat sociale.