Të zhdukurit nga droga e Vlorës, fakte të patreguara të një historie kriminale – ERTV

Të zhdukurit nga droga e Vlorës, fakte të patreguara të një historie kriminale

Rrëmbime në qendër të qytetit të Vlorës, piratë në mes të detit dhe vrasje të tmerrshme, janë fokusi kryesor i Top Story-t.

Nëpërmjet dëshmive ekskluzive dhe dokumenteve të prokurorisë, Top Story zbërtheu një seri rrëmbimesh, të kryera për shkak të përplasjeve në trafikun e drogës.

Gjithashtu, Top Story ka siguruar ekskluzivisht statistikat zyrtare të të zhdukurve në qytetin e Vlorës, për trafikun e drogës.

“Rezulton se numri i personave të raportuar, të zhdukur, të humbur, nga familjarët… nga viti 2015 deri tani, ka pasur një numër rreth 80 referimesh”, – thotë prokurorja Flora Çela.

Nga denoncimet e familjarëve organet ligjzbatuese kanë evidentuar vetëm katër raste për ekzistencën e veprave penale, atë të trafikimit të lëndëve narkotike dhe të rrëmbimit të personit.

“Dy raste janë aktualisht nën hetim, sepse dyshohet për element të një vepër penale, ndërsa në dy rastet e tjera në vitin 2016, 2017. Në një rast është dyshuar për element të veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike, pra që personi kishte lidhje me këtë pjesë. Ashtu dhe një rast tjetër të veprës penale rrëmbim personi që lidhej gjithashtu me element trafikimi”, – thotë prokurorja.

Minutat e fundit të zhdukjes së Albano Xhaferajt tek Kompleksi Oslo
Vlora është një ndër qytetet që po numëron viktimat e një beteje që duket se është sunduar nga krimi i organizuar. Top Story përmes përshkrimit dhe inskenimeve në terren, solli në vëmendje disa histori personazh të zhdukur nga droga. Ndër to është dhe i zhdukuri Albano Xhaferaj.

Mëngjesin e 17 qershorit, Albano Xhaferaj u largua nga shtëpia, pa u ndarë me fëmijët dhe gruan, Danielën. Doli për një kafe me mikun e tij Arbër Turja. Gruas i tha se do të kthehej shpejt në shtëpi, një apartament i vogël në rrugën trasballkanike në Vlorë, ku prej dy vitesh bonon familja e 34 vjeçarit.

Albano sapo ishte kthyer nga Beligjika. Në Anversë, një qytet ky belg i njohur për një prezencë të madhe të kominutetit shqiptar, kishte qëndruar tre muaj ndaj kish shumë për ti rrëfyer mikut të tij.

Teksa konsumonin kafen, Albano merr një telefonatë dhe i kërkohej një takim i menjëhershëm. Pak minuta më vonë, një makinë tip Audi, me targa AA560 TR ndalon në lokalin e rrugës Transballkanike.

Babai i dy fëmijëve hipën në të, e më pas askush nuk e sheh më me sy.

Daniela, duke menduar se bashkëshorti i saj ishte nën shoqërinë e miqve, nuk shqetësohet se Albano nuk u kthye në shtëpi.

Gruan e re e zë paniku të nesërmen, kur telefoni i dilte i fikur. Për 7 ditë me radhë ka trokitur në çdo derë të miqve të bashkëshortit të saj, por asnjëri prej tyre nuk e kishte parë.

Mëngjesin e 25 qershorit, ajo i është drejtuar komisariatit të Policisë së qarkut të Vlorës.

Oficerit të policisë gjyqësore, Fatmir Myrtajt, i ka rrëfyer gjithë sa dinte për zhdukjen pa lënë gjurmë të burrit. i ka treguar se kush e thërriti Albanon në telefon e kush ishte personi i fundit që e ka parë të gjallë.

Neglizhenca e treguar nga policia detyroi Lutfi Xhaferraj, babai i 34 vjeçarit, të denonconte publikisht zhdukjen e Albanos.

“Po tani atje se kush e mori dhe i tha hajde, dhe ai iku. Nuk mori as pasaportë, as dokument, as nuk i tha as gruas së tij, edhe mund të jetë rrëmbyer, edhe mund të jetë larguar prap, kështu e kanë këto punë”, – tha Lutfi Xhaferri, babai i Albano Xhaferrit.

Më 2 korrik Daniela i drejtohet prokurorisë së Rrethit të Vlorës për fatin e hetimeve.

E dërgojnë sërish në dyert e policisë, ku gruaja e re jep të njëjtën dëshmi, por tek një tjetër oficer të policisë gjyqësore, Gjergji Çepele.

Si u rrëmbye 24-vjeçari Elvis Troqe, pak orë përpara fejesës
Një tjetër djalë i ri zhduket mbrëmjen e 17 korrikut 2018 në Vlorë. Elis Troqe, 24 vjeç rrëmbehet në mes të qytetit. I sapokthyer nga Italia, ku kishte kryer dënimin për trafikim të lëndëve narkotike, Elvisi kishte vendosur të ndërtonte një jetë të re.
Ditën e ditëlindjes së nënës, Marselës, më 17 korrik 2018 do ti prezantonte dhe vajzën e ëndrrave të tij.

Pak para darkës së madhe, rreth orës 18:00, ka dalë nga shtëpia, për tu takuar me një mikun e tij. Vendtakimi ishte Bar “Havana”.

Ka porositur një kafe dhe ujë dhe pas 5 minutash është ngritur nga tavolina duke I thënë mikut të tij se do të takonte 2 minuta një shok e do të kthehej shpejt.

Një “Mercedes Benz” me ngjyrë gri, e priste në rrugën kryesore. Ervisi pasi përshëndetët me drejtuesin e mjetit hipën në makinë ku dallohen dy persona.

Makina merr rrugën për në “Lungo Mare”, tek vendi i quajtur “Kryqëzimi i shtatë pallateve” drejtohet për nga hotel “Rexhina”. Më pas makina zhduket në afërsi të kompleksit Oslo në Vlorë.

Në mbrëmjen e vonë, Krenar Troqi shqetësohet për mungesën e të birit, nis të kërkojë për të nëpër lokalet e qytetit. Asgjëkundi nuk gjen gjurmë të Elvisit.

Po atë natë, Krenari i është drejtuar Policisë duke denoncuar humbjen e të birit.

Zhdukja e Albano Xhaferajt dhe Elvis Troqes janë rastet e zhdukjes së personit që po hetohen nga prokuroria.
“Kemi pasur dy raste, që pas verifikimeve të kryera nga prokuroria e Vlorës, duke qenë se janë konstatuar element të veprave penale, të rrëmbimit të personit, prokuroria gjyqësore e rrethit Vlorë, sigurisht ka bërë regjistrimin e materialeve që janë referuar nga komisariatet”, – thotë prokurorja Flora Çela.

Policia ka arrestuar Besart Zharran, pronari i makinës ku është parë për herë të fundit i gjallë Elvisi.

Të dhënat e dosjes hetimore tregojnë se Zharra ka dëshmuar se makinën e ka për përdorim vetjak dhe nuk ka asnjë njohje me 24 vjeçarin.

Më 18 korrik 2018, një ditë pas zhdukjes së Troqes, policia ka shkuar në banesën e shtetasit Inez Hajrulla, i gjetur me paterica dhe me një këmbë.

I pyetur në lidhje me rrethanat e hetimit, Inez ka shpjeguar për oficerët e policisë se më datë 17 korrik 2018, rreth orës 17:30 ka dalë nga banesa për të bërë fizioterapi dhe se nuk ka asnjë njohje me 24 vjeçarin.

Por ecurinë e hetimeve prokuroria e Vlorës i konsideron sekret hetimor.

“Aktualisht për materialet që ne kemi,unë nuk mund të them shumë për këtë pjesë”, – thotë prokurorja Flora Çela.

Zhdukja një një kohë të shkurtër e dy të rinjve nuk tronditi vetëm qytetarët e Vlorës.

Flasin familjarët e të “penduarit”, zbërthehen disa nga vrasjet makabre në Vlorë
Top Story ka mundur të sigurojë dëshmitë e familjarëve të Gazmend Merkaj, një tjetër person i zhdukur nga droga e Vlorës. Ai dhe pse jetonte një një apartament shumë afër Drejtorisë së policisë nuk dilte më nga shtëpia.

Nëna e tij, Aleksandra Merkaj tregon për Top Story se i biri, e ka telefonuar duke i thënë se do e vrisin dhe atë.

“Para një jave e kishte marrë të vëllanë në telefon, I thoshte mos dil se do të vrasin. Më thoshte dhe mua mos dil shumë, se do të vrasin dhe ty. Ata që kamë ngrenë e kam pirë do më vrasin më tha”, – rrëfen nëna.

Gazmentit i është marrë pasaporta dhe çdo mjet tjetër identifikimi ndërkohë që miqtë e ftonin për të dalë jashtë Vlorës.

Grupi e konsideronte Gazmentin një njeri të dobët jo të besuarin e tyre, ndërsa ai, në një mbrëmje të fundit të korrikut i shikon nga dritarja që i vinin rrotull makinës së parkuar. 36 vjeçarin e zë paniku.

Gazmenti dyshon se i kanë vendosur lëndë eksplozive ndaj dhe lajmëron policinë.

“Pash dy veta nga dritarja që më vendosen tritol në makinë. I kuptova se kush ishin ata që vendosen tritolin. Ai që e vendosi tritolin më pa, unë ika lajmërova policinë e Vlorës për tritolin, pastaj ika vajta në Fier sepse këta të Vlorës i mbulojnë kriminelët, këta që bën këtë veprimin në makinë”, – tregon nëna.

Pas kësaj ngjare, Më 1 gusht 2016 Gazmenti është dorëzuar ne komisariatin e Policisë së Fierit. Oficerëve të policies, Gazmenti u ka treguar se kishte dijeni mbi ngjarjet e fundit kriminale të ndodhur në Vlorë.

36 vjecari u tha hetuesve, se Albano Xhaferri, ishte rrëmbyer dhe ekzekutuar me çekiç në makinë dhe se ai i njihte autorët.

Gazmenti u ka rrëfyer se ndihej i kërcënuar nga miqtë e tij, Ardian Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj.

“Unë me këtë Edisonin, Gazmendin se kam parë asnjëherë, ndërsa me këtë Sokolin, Shakajn dhe me Klodin që kanë ndërruar emrat, me ata ishin shok. Kur kanë ardhur nga Italia, më kanë marrë pasaportën thotë”, rrëfen nëna.

Gazmenti tregon se ka mësuar prej tyre rrëmbimin e Albanos qëllim për ta dorëzuar në ambientet e kompleksit Oslo. Rrëmbimi bëhej për llogari të Edison Harizajt sepse Albano kishte dijeni për atentatin, që iu organizua Fredinant Llanajt, ngjarje kjo e ndodhur në muajin tetor të vitit 2017.

Për këtë qëllim, sapo është kthyer nga Blegjika, Albano është ndjekur për një kohë të gjatë me makinën tip benx 250 ngjyrë e erret në përdorim të shtetasit Aleksandër Çaushaj.

Për vrojtim më të mirë makinës I janë bërë edhe dy vrima, e vërtetuar kjo nga prokuroria e cila ka gjetur makinën tip benc në fshatin Pocem të Tepelëns.

Ndërsa makina tip audi është në kërkim. Fillimisht ajo është sjellë në Tiranë për tu pastruar dhe ende nuk dihet vendndodhja e saj.

Gjatë transportit, nga rruga trasballkanike për tek Oslo, Albano është marrë në pyetje, ku përveç kërcënimeve është goditur në kokë dhe me çekic. Kështu ka gjetur vdekjen 34 vjeçari, trupi i të cilit është i zhdukur.

I arrestuari I vetëm për këtë ngjarje kriminale u la i lire pasi Gjykata e Apleit të Vlorës nuk gjeti elementë të veprës kriminale që implikonin personin që vetëm ka bërë larjen e makinës AUDI në Tiranë.

Prokuroria është në kërkim të trupit të Albano Xhaferrit që do të vërtetojë dëshminë e Gazment Merkaj, i penduari i vetëm i kësaj ngjarje.

I vënë nën akuzë për armëmbajtje pa leje, Merkaj ndodhet në dhomat e paraburgimit në Fier ndërsa familjarët e tij në mëshirë të fatit. Në shtëpinë e prindërve, në lagjen e njohur si Cole në Vlorë, nuk ka asnjë punonjës policie.

“I penduari” Gazment Merkaj, u rrah barbarisht në ambientet e burgut
Familja jeton në një banesë thuajse të rrënuar ndërsa zyrtarisht 36 vjeçarit nuk i është dhënë statusi i të penduarit. Që kur Gazmenti u vetëdorëzua familja jeton në frikë.

“Edhe këtu ku jam, jam me frikë se dhe djalin e madhe e kam këtu 40 vjeç dhe tani ka ardhur nga Greqia, rri brenda se ka frike të dale tashi, se duke i thënë ai mos dil mos dil, ka frikë të dale, të na vrasin ne kush na qan, të vritemi ne të dy, moshatarë jemi, por fëmijët”, – tha nëna.

Gazment Merkaj dhe pse është dëshmitari kyç në zbardhjen e një ngjarje kriminale, sipas nënës së tij është keqtrajtuar edhe në ambietet e paraburgimit.

“Më merr në telefon dhe më thotë se jam në Tiranë. Vajta atje, u futa tek spitali, ai sa më pa mua, më tha kush më ka sjell këtu? Nuk di gjë I thash. Në atë moment më ktheu kokën, me 4 të qepura, ato fashot i vareshin dhe ishte i lyer me gjak. Vjen ajo sekretarja, më thotë që hajde se të do drejtori. U futa Brenda dhe ai më tha se djali jot jo se ka qarë kokën, por I ra sëmundja e tokës. Uuaa thash unë. Ça sëmundje toke, djali 37–vjeç I bie sëmundja e tokës? Dhe djali e kishte kokën me 4 të qepura, nëse djali ka bërë ndonjë gabim, dënoje por jo ti çani kokën”, rrëfen nëna e Gazmentit.

Burime të sigurta i thanë Top Story se më datë 8 shator 2018 Gazment Merkaj është shtruar në spitalin e burgut ku ka qëndruar disa ditë.

Aleksandra Merkaj thotë se ka frikë për jetën e djemve pasi Gazmenti ka ngritur gishtin jo vetëm për implikimin e policisë, por dhe një prej personave të konsideruar nga policia e shtetit me rekorde të rënda kriminale.

“Frikë kam edhe djalin tjetër që e kam në Itali. Në polici na thanë që nëse do keni ndonjë problem, na njoftoni por ne deri më sot nuk ka ardhur askush për të na pyetur e për të na marrë në mbrojtje”, – tha nëna.

Prokuroria e Vlorës, bazuar në veprimet e para hetimore, beson se Albano Xhaferi është vrarë për shkak të mosmarrëveshjeve që mund të ketë pasur brenda ose jashtë shtetit me persona të tjerë dhe trupi është transportuar dhe fshehur për të bërë të pamundur zbardhjen e ngjarjes.

Nga ana e policisë gjyqësore janë thirrur dhe pyetur Ardit Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj, të cilët kanë deklaruar se nuk e njohin Albano Xhaferi dhe as janë takuar ditën e ngjarjes me të.

E ndërsa prokuroria rreket të zbardhë ngjarjet, bandat duket se kanë filluar të lajnë hesapet mes tyre.

Si u ekzekutua Edison “faqedjeguri”, i akuzuari për një seri rrëmbimesh
Në një atentat i tipit mafioz në afërsi të Shkozetit në Durrës, ekzekutohet Edison Harizaj. I plagosur rëndë, e më pas ndërron jetë në spital edhe miku i tij, Genci Çaçi.

Policia shoqëroi 40 persona, por deri më sot nuk ka një të ndaluar për këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Në dosjen e prokurorisë janë vetëm gëzhojat e sekuestruara në vendngjarje dhe skeletet e dy makinave, një të djegur që autorët braktisën dhe makina e bërë shoshë nga plumbat, me të cilën udhëtonte Harizaj dhe shoku i tij.

I papërmenduar asnjëherë publikisht, por i skeduar nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë, vetëm pas vrasjes, në media rrodhën informacione në lidhje me aktivitetin kriminal të Edison Harizajt.

Informacionet implikonin Harizajn edhe në vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Komomi, ngjarje kjo e ndodhur në shtator të vitit 2013. Makina e gjyqtarit shpërtheu në qendër të Vlorës.

Harizaj kishte përfituar edhe nga sistemi i drejtësisë duke kryer pak vite burg pasi u dënua fillimisht me 24 vite vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes të shtetasit Erjon Ahmeti dhe plagosjen e rëndë të dy shokëve të tij Ferdinand Deda dhe Neritan Rama, krim i ndodhur në 22 korrik 1999.

Përplasjet mes grupeve kriminale kanë prodhuar një numër të lartë viktimash, por zyrtarisht prokuroria nuk e konfirmon.

Por ishte kryeministri Edi Rama ai që certifikoi këtë luftë mes bandave kriminale në vend.

Duke folur në emisionin “Repolitix” kreu i qeverisë deklaroi se vrasjet e fundit janë produkt i përplasjeve mes grupeve kriminale, për të cilët u shpreh “le të hanë kokat e njëri-tjetrit”.

Zbërthehet rrëmbimi i Nanit, kishte miqësi me Ervin Dalipajn dhe Xhino Dautin
I ekstraduar nga Kanadaja në vitin 2008, pasi ishte i dënuar për akuzën e vjedhjes me dhunë, Leonard Mehmeti, babai i tre fëmijëve është zhdukur mesditën e 22 nëntorit të vitit 2016.

Leonardi, i njohur me emrin Nani, kishte ngritur bizneset e tij. Një restorant në zonën e “lungo mares” dhe një fermë kuajsh në Panaja të Vlorës, ku dhe është parë në herën e fundit i gjallë.

Mehemet Mehmeti rrëfen se ishin shokët e tij që e lajmëruan për zhdukjen e të vëllait.

“Vjet me 23 nëntor më lajmërojnë se është zhdukur vëllai, Më thanë shokët e vet se nuk po dukej gjëkundi. Dhe na thanë që është vrarë në Durrës. Më 25 shkova dhe denoncova në polici, jo një herë por kam bërë 2-3 herë denoncime në policinë e Vlorës”, – rrëfen i vëllai.

Ajo që dihet për Leonardin është se mesditën e 22 nëntorit të vitit 2016 është nisur nga Vlora në drejtim të Tiranës,
“Të zhdukesh nga Vlora deri në Tiranë… ku di unë. Hapëm kamerën që tek shtëpia, e kontrolluam… që në atë ditë s’kemi lënë vend pa kërkuar, prokuroria këtu hiç”, – tha për Top Story i vëllai.

Gjatë pasdites së 22 nëntorit Mehmeti ka provuar të telefonojë disa herë vëllain e tij, por askush nuk përgjigjej.

“E kur ka folur ajo vajza, e dashura e tij ishte një punonjëse police, ka folur me mesazh zanor në orën 1 dhe më tha se ishte në punë. Në orën 8 të darkës e kam marrë unë në telefon, nga shtëpia ime, binte zilja por nuk e çonte telefonin. një shoku i vet tha e mora unë në orën 10 dhe ishte I fikur telefoni”, tha i vëllai.

Nga tabulatet e numrit telefonik rezulton që nga numri që posedonte Leonardi të ketë patur komunikimi deri më datën 27 nëntor, ku qeliza e antenave tregon vendndodhjen e fundit në Shijak.

Mehmeti tregon se i vëllai frekuentonte shpesh Durrësin për shkak të miqësisë që kishte me Ervin Dalipajn, punonjës policie dhe Xhino Dautajn, i proceduar dhe dënuar në vitin 2012 nga Gjykata e rrethit të Vlorës për vrasje me paramendim.

“Ai shoqërohej me Juxhin Dautin dhe Ervin Dalipajn. Këta merreshin me kultivimin e kanabisin. Takoi vëllanë e dytë Juxhinin dhe i tha që s’dimë gjë ku ndodhet. Por pas 6 muajsh u vranë dhe ata në Shijak. Këta merreshin me kultivimin e kanabisit që për të marrë mallin dhe lekët, mund t’i ketë ndodhur kjo”, tha i vëllai.

Familjarët: Nani u rrëmbye për shkak të trafikut të drogës me Dalipin dhe Dautin
Ish-shefi i krimit ekonomik në Tiranë, i akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut u ekzekutua në prill të vitit 2017, teksa po lëvizte me një makinë “Audi” së bashku me mikun e tij Juxhin Dauti në autostradën Tiranë – Durrës, në afërsi të kryqëzimit të Sukthit.

Ngjarja është ende e pazbardhur për policinë, ndërsa Mehmet Mehmeti thotë se zhdukja e të vëllait ka lidhje pikërisht me implikimin e tyre në trafikun e drogës.

“Për mendimin tim, shkaktari kryesor është vetëm kjo që ju thashë, problem i mallit që u vra. Sepse ai ishte i lirë, bridhte i qetë pa asnjë problem”, thotë Mehmeti.

Lidhjet me kupolën e policisë së shtetit për Mehmetin kanë penguar dhe hetimet për zbardhjen e fatit të vëllait të tij.

“Unë them që këtyre nuk u ka interesuar fare kjo punë. Po të ishte përshpejtuar kur unë kam bërë denoncimin, edhe mund të ishte gjetur. Sido që të kishte ndodhur”, – tha i vëllai.

Të kenë një varrë për të vëllanë është gjithë sa kërkon familja Mehmetit, pasi e dinë që tani më leonardi nuk është më gjallë.

“Ne jemi të shqetësuar shumë, dhe sipas mendimit tim, ai është i vrarë, i zhdukur, por dëshira jonë e madhe është për ta gjetur dhe ata çojmë tek të shumtit”, – shprehet për Top Story i vëllai.

Jetojnë me ankthin e vdekjes sapo në Vlorë gjendet një kufomë e dekompozuar, apo deti nxjerrë në breg trupa të pa jetë.

“Kjo kufoma që është gjendur, është gjetur mbas dy tre muajve. I dekompozuar, si gjatësi si numër këmbe, ne dyshuam por përgjigjja nuk na u dha e saktë. Më morën ADN dhe mbas një muaji më lajmëruan se nuk ngjason, madje shkova në Zvërnec për ata të mbyturit, dhe nuk ishte. Ndërsa kjo kufoma në Karburna, që diskutuam deri tani, është pa emër deri më sot, ndaj dyshojmë akoma dhe sot”, tha i vëllai.

Babai i Mario Metushit: Djali im ishte skafist droge, e rrëmbyen për 150 mijë euro
Top Story vizitoi dhe familjen e Bahri Metushi, i cili jeton në lagjen 28 Nëntori në Vlorë. Marjo Metushi rezulton i zhdukur që nga 16 qershori i vitit 2017. Prokuroria ka pezulluar procedimin ndaj tij e rregjistuar për veprën penale, kalim të paligjshëm të kufirit.

“Ka ikur nga shtëpia në orën 10. I bie telefonit, në orën 3 që do vinte këtu, I mbyllur telefoni. Kërkova në Greqi, Itali, por asgjë”, tha Bahri Metushi, babai i Marjo Metushit.

Shpresës, gruas së tij i ka thënë se do të shkonte në Fier pasi kishin pak punë në Seman. “I kishte thënë të shoqes se do të ikte në Fier e kur nuk u kthyer kemi bërë denoncim”, tha babai.

Bahriu thotë se i biri ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

“Me transport me gomone, ka qenë pilot. E ka bërë tërë kohën, nga Shqipëria në Itali. Ikte dhe vinte dhe me kohë të keqe. Nuk vinte me shokë por vetëm. E keqja e tij ishte se nuk tregonte se nga po vente”, tha babai.

Në vitin 2000 Marjo është arrestuar nga policia italiane ku edhe ka vujtuar dënimin me 5 vjet heqje lirie. 70 vjeçari thotë se ishin arsyet ekonomike atë që detyruan të birin të rimerrte përsipër dërgimin e lëndëve narotike përtej detit.

“U kap në Itali me njerëz të tjerë çonte hashash në det. Bëri tre vjet burg. Arsyeja se ngeli pa punë, pa shpi, pa katani. Nuk donte ta bënte po ngeli, ja kjo është arsyeja. Nga llafet e njerëzve gomonia ka qenë e tija, ka qenë polic se çka qenë në Fier”, – tha babai.

Pazaret për drogën apo dhe pagesa për punën e kryer në transportin e lëndëve narkotike gjatë muajit gusht 2017 është kjo arseyja që Bahri Metushi beson se është vrarë i biri.

“Ai kishe punuar për të tjerët dhe nuk i kishin dhënë lekë, do të japin një hyrje apo një kështu dhe nuk ia kishin dhënë. 150 -20 mijë euro për qershorin vetëm. Shkonte dhe vinte, kaq është ajo 1 orë vatje-ardhje .. Unë nuk e dija se ç’bënë e sa rrugë bënte vetëm kur më erdhi makina këtu dhe më thanë shokët e tij se ia kanë dhënë filanit . Ishte një makinë e mirë, e mbajta një muaj e shita dhe ia dhashë lekët nuses. Kjo makinë dhe ca lekë . 5 mijë euro që bënte makina dhe 5 mijë euro lekë 10 mijë euro, kjo ishte për rrugët e fundit”, rrëfeu për Top Story. babai.

Menjëherë pas zhdukjes së të birit, Bahri Metushi i është drejtuar policisë së Fierit duke denoncuar implikimin 40-vjeçarit në implikimin e trafikimit të lëndëve narkotike.

“Në Fier kam vajtuar, por jo zyrtarisht takova drejtorin e policisë dhe i kërkova ndihmë se e njihja. Pas dy javësh, pasi kërkova në burgje se flitej mos ke dalë jo këtëj jo andej atëherë i jam drejtuar policisë”, tha babai.

69 vjeçari thotë se Marjo transportonte lëndë narkotike në Itali për llogari të një grupi kriminal në rrethin e Fierit, por policia dhe prokuroria nuk ka hetuar për zbardhjen e ngjarjes

“Jo nuk bëri hetime ndoshta është lidhur me këta të Vlorës por nuk bënë hetim. Deri sa ke telefonatat e fundit, koordinanat janë këto veriu i Sazanit nuk bie në det. Se kanë marrë njerëz të tjerë brenda jo ato që kam thënë unë”, thotë babai.

Dhe pse nuk ka marrë kurrë një përgjigje për fatin e të birit, Bahri Metushi thotë se ishte nën kontroll për çdo lëvizje që bënte. Sa herë që ai trokiste në polici për fatin e hetimeve, gjithmonë do kishte një telefonatë që interesohej për qëllimin e lëvizjeve të tij.

“Unë ikja në Fier, ku ishe, deri në Vlorë. E dënim gjithë lëvizjet. Fillimisht telefonatat i bënin nuses pse vajti vjehrri në degë pse vajti atje e kësisoj gjerash . .. ka nderuar numër pastaj..”, rrëfen babai.

Prokurori i çështjes nuk ka krijuar bindjen për ekzistencën e veprës penale dhe pse Shpresa Metushi u ka rrëfyer oficerëve se kohët e fundit Marjo ishte shumë i stresuar.

Në shtator të 2018 prokuroria ka pezulluar hetimet për Marion, i cili gjithë sa ka lënë pas është një varr i hapur dhe familjen në varfëri.

“Të gjithë që e kanë bërë këtë punë e kanë bërë për hall”, – tha babai.

Bahri Metushi kujton që ditën që u zhduk i biri nuk ishte rasti i vetëm i nisjes së gomoneve më lëndë narkotike nga brigjet e vlorës.

“Atë natë që është nisur ky, janë nisur dhe dy gomone të tjera. Ai që ikte Mario u gjet por u gjet i qëlluar. I mbytur”, u shpreh babai.

Qamil Laze, “peshkatari” që u gjet i vdekur në mes të detit për trafikun e drogës
Qamil Laze është një tjetër i zhdukur, trupi i të cilit u gjet 1 milje larg bregut, pranë ishullit të Sazanit, mëngjesin e 24 marsit të vitit 2017.

Familjarët kishin denoncuar zhdukej e tij më 11 marsit, datë në të cilën policia gjeti dhe një gomone të braktisur pranë ishullit me pako me 1.2 ton lëndë narkotike.

Në lagjen Isa Boletini ku jeton familja Laze, ende mbahet zi për peshkatorin që të gjithë e njohin me emrin Numan.

Një shtëpi 3 katëshe, pa mobiluar, papafingoja e së cilës është sistemuar për të jetuar tre vajzat dhe nëna e tyre është gjithë sa la pas Qamil Laze.

Trëndafile Laze, gruaja e peshkatarit tregon se është lajmëruar për kufomën e të shoqit nga peshkatarët, që e gjetën trupin në në detë.

E veshur korb në të zeza, Trendafilja shqetësimin të vetëm ka përballimin e jetesës me tre vajzat e saj. Janë pa pension dhe mbajnë frymën me ndonjë punë të rastësishme që mund të sigurojë e veja.

Më drejtësinë i kanë mbyllur hesapet, e besojnë atë çfarë u ka thënë policia, që Mania u mbyt në det.

E ndërsa familja Laze i mbylli hesapet me drejtësinë me varrosjen e Manes, më 6 majit 2017, salla operative e drejtorisë vendore e policisë lajmërohet për gjetjen e një trupi të kompozuar në afërsi të ishillit të Sazanit.

Familjarët identifikuan viktimën si Ardian Hitaj, babai i tre fëmijëve banorë i lagjes “4 heronjtë”, për të cilin ishte bërë kallëzim për zhduken e tij në muajin mars.

Sipas dosjes hetimore, bashkëshortja e viktimës, Valbona Hitaj i ka treguar gjithçka dinte për zhdukjen e bashkëshortit që ditët e para por Policia e Vlorës, sipas dokumenteve e ka referuar ngjarjen vetëm pas gjetjes së trupit të tij të mbytur, dy muaj më vonë.

Ngjarja është raportuar si mbytje, duke iu referuar ekspertizës mjeko-ligjore, sipas të cilës trupit nuk i janë konstatuar shenja dhuna. Më 26 qershor 2017, Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet me argumentin se nuk ka vepër penale.

Leonard Senkaj dhe Taulant Çerenishti, dy të zhdukur të tjerë në det nga trafiku i drogës
Si peshkatarë të humbur janë raportuar nga Policia e Vlorës edhe zhdukja e Leonard Senkajt dhe shokut të tij Taulant Çerenishtit, edhe pse vetë familja e Senkajt e pranojnë se ishin të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Ferzilete Senkaj tregon se i biri kishte kryer 4 vjet burg në Leçe pasi ishte arrestuar në tentative për trafikimin e lëndëve narkotike në brigjet italiane.

“Atëherë iku, po në të njëjtën datë që është zhdukur që u kap nga policia, porn ë atë kohë na lajmëroj. Për herën e dytë ne nuk dimë gjë”, tha për Top Storyn nëna Ferzilete.

Leonard Senkaj u zhduk pa gjurmë më 27 dhjetor 2015.

“Data 27 ka qenë një fortunë këtu në det, mbi 8 ballë, një natë e zezë”, thotë nëna, – Në komisariatin e policisë ka mësuar se Leonardi ishte nisur sëbashku për udhë sëbashku me një shokun e tij, Taulantin. Kemi qenë në polici, me datë 30 kemi bërë ne denoncimin, për të njëjtën hall ishte dhe ajo, denonconte ajo për djalin dhe unë për djalin”, thotë nëna.

Gruaja 63 vjeçare iu drejtua policisë pasi shokët e të birit e këshilluan të denonconte zhdukjen e Leonardit.

“Një person që ne nuk e njohëm fare, na ka sjell këtu çantën dhe telefonin e tij. Atë e pyetëm se kush je ti, por na tha se nuk dimë asgjë për të, nuk foli”, tha nëna.

Gjetjen e trupit të djalit të saj apo hetimin e ngjarjes është gjithë sa kërkon familja Senkaj. Ka bindjen se deri më tani organet ligjzbatuese nuk janë përpjekur për zbardhjen e implikimit të djalit të saj.

“Ne nuk kemi asnjëlloj përgjigjje nga prokuroria, policia, na thonë që jemi vetëm në kërkim, ndërsa prokuroria fare, është mbyllur çështja. Unë si prind, si nëna e tij, kërkoj që kush di ndonjë të dhënë, ju lutem të na lajmërojnë, të na thonë ndonjë të vërtetë, çoftë e keqe apo e mirë, e mirëpresim lajmin”, tha nëna.

Vdekja është gjithë sa gjeti Leonardi nga përfshirja në trafikimin e lëndëve narkotike në brigjet italiane.

Gruaja 61 vjeçare rrëfen se pensioni që marrin janë të ardhurat e vetme që mbijeton familja.

“Ai ka pritur qindarkat e babait, nuk ka sjell lekë ai. Ky i shkreti punonte në dy punë, merrte 600 mijë lekë, 300 i hanim dhe 300 bëmë shtëpinë”, tha nëna.

Zhdukja e të birit nuk është gjëma e vetme që i ka rënë mbi krye Fezileta Senkajt.

Bashkëshortja e Leonardit është lodhur duke pritur. Ka marrë dy fëmijët e ka emigruar në Greqi. Ferziletja ka muaj që nuk i dëgjon zërin e fëmijëve që rriti e që ishin gëzimi i vetëm i jetës së saj.

“Kjo qe një dhimbje për së dyti, ikja e fëmijëve ishte dhimbje, u përsërit prapë kjo dhimbje, kërkoj vetëm të flas me to në telefon”, tha nëna.

Freziletja rron me shpresën se i biri është gjallë dhe zëra nuk guxon të hapë dyert e mortit.

“Zemra e nënës dhe babait nuk e thotë dot kurrë nuk e do dot kurrë. Ne nuk dimë asgjë, jemi të dorëzuar, a është në burg, a është i vrarë, nuk dimë asgjë. duam një përgjigje nga shteti, ta dimë çfarë ka ndodhur me të, o të di të ulëras ose të qesh, vetëm ta di”, thotë nëna.

Kush është biznesmeni i përfshirë në trafikun e drogës në Vlorë
Dyert e mortit nuk ka guxuar t’i hapë as Përparim Maze që jeton në një në një shtëpi të papërfunduar në lagjen “15 tetori”, qendër të qytetit të Vlorës.

I biri, Ariseldi është zhdukur mëngjesin e 3 korrikut 2017. 32 vjeçari ka dalë nga shtëpia për të mos u kthyer më kurrë. Familja ka mësuar se Ariseldi ka dalë për peshkim së bashku me mikun e tij, Adriano Jahaj, i njohur si biznesmen në qytetin e Vlorës.

Rrethanat e zhdukjes së Ariseld Mazes dhe Adriano Jahajt janë rasti i vetëm për të cilët Policia e Vlorës e ka referuar në prokurori për dyshime në përfshirjen e trafikut të drogës.

Por megjithë referimin e ngjarjes nga Policia e Vlorës, zyrtarisht Adriano Jahaj nuk ekziston. Me këtë emër biznesmeni njihet vetëm mes miqsh në Vlorë, pasi në dokumente zyrtare dhe pronën e tij, një hotel te lagjja e njohur si “Uji i Ftohtë” në Vlorë, është i regjistruar me emrin Fatosh Jahaj.

“Nga ana e policisë gjyqësore janë ngritur dyshime se shtetasit Adriano Jahaj dhe Ariseld Maze, ditën e ngjarjes janë nisur me mjetin e tyre lundrues në drejtim të shtetit Italian me qëllim trafikimin e një sasie lënde narkotike dhe nuk mund të përcaktohet nëse kanë mbërritur apo jo në brigjet italiane,” shkruhet në dosjen e referuar nga Policia në Prokurorinë e Vlorës, ku kërkohet regjistrimi i procedimit penal ndaj dy personave të zhdukur.

“Shtetasi Adriano Jahaj është person me precedentë të tjerë të mëparshëm në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet rrugëve detare,” shton policia në referimin e saj.

Prokuroria e Vlorës ka shpallur moskompetencë lëndore për hetimin e rastit, duke ia kaluar çështjen për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.

Dosja është rikthyer sërish në prokurorinë e rrethit të Vlorës, ndërsa familjarët e biznesmenit nuk pranojnë të flasin për Top Channel, pasi jetojnë me shpresën se 53-vjeçari është ende gjallë.

Ish-drejtori i Policisë, Premçi: Rrëmbimet në Vlorë, situatë është alarmante
Për Prokurorinë e rrethit të Vlorës ngjarjet e raportuara si të zhdukur nuk janë fenomen shqetësues apo që ngjallin panik në qytet.

“Tani përbën apo nuk përbën panik, është një pjesë që lidhet me sa raste janë referuar. Por në bazë të statistikave, ne dy raste kemi nën hetim”, tha prokurorja e Vlorës.

Por ish-drejtori i policisë së shtetit e sheh gjendjen si alarmante.

“Janë raste të vështira, edhe pengmarrja dhe zhdukja e personave, vrasjet me pagesë janë dy fenomene që Shqipëria i ka pasur shumë sporadike, dhe nëse kemi të bëjmë me shifra të tilla, atëherë gjithë vëmendja duhet të përqendrohet këtu sepse është me pasoja shumë të rënda, nuk mund të neglizhohet as nga oficerët e policisë, as nga prokurorët, në asnjë rast nuk mund të ketë pushim të kësaj çështje, nuk mund të ketë mosfillim të kësaj çështje”, tha për Top Story, Ahmet Premçi, ish-drejtor i Policisë së Shtetit.

Kultivimi i kanabis sative në mbarë territorin e vendit ka sjellë jo vetëm inkriminimin e shoqërisë por dhe të Policisë së Shtetit.

“Në të gjithë këtë histori, shteti dhe institucionet ligjzbatuese kanë bërë sehir ose kanë bashkëpunuar”, tha Premçi.

Por, ish drejtori i policisë së shtetit ka bindjen se inkriminmimi i policisë ka ardhur për shkak të lidhjes së poltikës me krimin.

“Policia e shtetit ka të evidentuar në databazën e vet veprimtarinë kriminale në të gjithë kontigjentin e republikës, por mendoj që ata janë të tulatur, sepse përveç informacionit që ka për kontigjentin kriminal, punonjësit e policisë kanë informacioni dhe për lidhjet e të gjithë kriminelëve të Shqipërisë që kanë me pushtetin, deputetët dhe politikën”, Tha Premçi.

Vullneti politik është ai që motivon edhe organizatën e policisë për të luftuar krimin.

Premçi thotë se policia është e pamotivuar për të luftuar krimin dhe se situata është alarmante jo vetëm në Vlorë, por në disa qytete të Shqipërisë.

“Harta e këtyre veprave penale, nuk është vetëm në Vlorë, por është në Shkodër, në Elbasan, në të gjithë territorin e vendit”, tha Premçi.

Drejtoria e policisë së qarkut të Vlorës nuk pranoi të shpjegojë për Top Story rastet e raportuara si të humbura në qytetin e Flamurit.

Por për herë të parë Policia e Shtetit publikojë emrat e njerëzve me rrezikshmëri të lartë kriminale dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve në kapjen e tyre.