Europa League, Strakosha do vendin e parë, Binaku dhe Grezda kualifikimin – ERTV

Europa League, Strakosha do vendin e parë, Binaku dhe Grezda kualifikimin

Europa League, kompeticioni i dytë më i rëndësishëm në rang klubesh, luan të enjten ndeshjet e pesta në grup. Disa skuadra kanë mundësinë të sigurojnë vendin e parë në grup në xhiron e parafundit të ndeshjeve, disa të tjera luajnë shanset e kualifikimit.

Në fushë pritet të zbresin edhe disa nga futbollistët e Kombëtares, konkretisht portieri Tomas Strakosha, mbrojtësi Egzon Binaku dhe mesfushori Eros Grezda. Po ashtu, në fushë mund të jetë edhe ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli. Strakosha e ka siguruar tashmë kalimin e grupit, ndërsa dy kuqezinjtë e tjerë janë në lojë. Portieri i Lacios, përveç kampionatit, është preferuar titullar nga trajneri Inzagi edhe në ndeshjet e Europa League. Lacio mban vendin e dytë në Grupin H, me 9 pikë, por italianët kërkojnë vendin e parë dhe në transfertën e Qipros ndaj Apollon Limasol do të kërkojnë vetëm fitoren, ndoshta për të përfituar nga ndonjë hap i gabuar i Eintrahtit të Frankfurtit, që ndeshet me Marsejën.

Malmoe e Egzon Binakut mban vendin e tretë në Grupin I dhe pret në fushën e saj Genkun kryesues, që me një fitore të mundshme mund ta parakalojë,duke u ngjitur në kuotën e 8 pikëve. Mbrojtësi i krahut të majtë është aktivizuar javët e fundit me skuadrën suedeze, por mbetet të shihet, nëse edhe mbrëmjen e së enjtes do të jetë në fushë nga minuta e parë, apo do ta nisë nga stoli.

Në të njëjtat pozita me Binakun është edhe mesfushori-sulmues Eros Grezda. Gllasgou Rejnxhërs, me 5 pikë pas 4 ndeshjesh, mban vendin e tretë, por është vetëm 1 pikë larg vendit të parë. Një fitore e mundshme ndaj Vilarealit, një kundërshtar shumë i vështirë, jo vetëm do të rriste shanset për të kaluar më tej, por edhe për vendin e parë në grup.

Nga skuadrat e mëdha të këtij kompeticioni, Arsenali dhe Çelsi e kanë siguruar kualifikimin, ndërsa Milani ende jo. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gatuzo duhet të fitojë medoemos ndaj modestëve të Dudelange për të vazhduar më tej.