Ceremonia përkujtimore e Kacifas, grekët sërish drejt Bularatit – ERTV

Ceremonia përkujtimore e Kacifas, grekët sërish drejt Bularatit

Dyzetë ditë pas ceremonisë mortore të Kostandinos Kacifas, në fshatin Bularat të Gjirokastrës pritet të zbarkojnë me dhjetëra qytetarë të tjerë nga Greqia.

Mediat greke kanë shpërndarë një njoftim, ku theksojnë se të shtunën e 8 dhjetorit ora 11.00 do të mbahet një ceremoni përkujtimore për Kacifas në kishën e Shën Athanasit në Bularat.

“Të gjithë ata që duan të marrin pjesë në këtë përkujtimore duhet të regjistrohen deri në datën 5.12.2018, ndërsa kostoja e udhëtimit është 30€. Lutemi për të gjithë ta shpërndajmë. Të jemi këtu me një mesazh të fuqishëm Të vendosur! Të çojmë mesazhin tonë për atdheun tonë. Është gjëja më e paktë që mund të bëjmë për të nderuar kujtimin e Kostës sonë”, theksohet në njoftimin e tyre.

Gjatë varrimit të 35-vjeçarit në Bularat morën pjesë qindra grekë, mes tyre edhe ekstremistë, ku lëshuan thirrje provokative dhe anti-shqiptare.

Për rreth 50 prej tyre, autoritetet shqiptare i shpallën “non grata”, përfshirë dhe eurodeputeten qipriote Eleni Theocharous.
Kacifas u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me RENEA-n më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Pas disa orësh ndjekjeje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet.