Mema qan papërgjegjshmërinë e lojtarëve. Gega: Rëndësi kanë tre pikët – ERTV

Mema qan papërgjegjshmërinë e lojtarëve. Gega: Rëndësi kanë tre pikët

Një fitore 2-1 me përmbysje shijon gjithmonë, por kur ajo arrihet në derbi merr vlera akoma dhe më të mëdha. Pas triumfit të dytë sezonal me Tiranën, për mediet ka folur trajneri i Partizani Skënder Gega. Tekniku i “të kuqve” i ka mëshuar shumë rëndësisë që kishin tre pikët në këtë sfidë të veçantë. Gega ka vlerësuar të tijët, por edhe rivalët nuk i ka nënvlerësuar, duke thënë se treguan nivel në rritje në këtë ndeshje.

“Rëndësi ka që morëm tre pikëshin. I uroj trajnerit Mema një karrierë të gjatë sepse është profesionit dhe e do fanellën. Patëm vështirësi, kur u ndëshkuam, mendoj se lojtarët u goditën, por treguam forcën. Cdo trajner futet me 11 veta, i respektojmë të gjithë. Hyri në momentin e duhur. Që ditën e parë që kam ardhur jam pyetur për Hebajn, kohët e fundit ka filluar të reagojë, jam shumë i lumtur dhe shpresëplotë që do të vazhdojë këtu.”- tha Gega.

Më tej në prononcimin e tij pas ndeshjes, Gega ka folur edhe për aktivizimin e portierit Alban Hoxha, duke thënë se ishte një vendim përsonal i tij për ta hedhur në fushë përtej të gjitha atyre që ndodhën jashtë fushe.

“Ajo që ndodhi me Albanin s’është e mirë për një profesionist, por është çështje personale. Klubi ka masën e tij administrative. Dy ditët e fundit ka qenë fizikisht shumë mirë dhe unë personalisht mora vendimin për ta hedhur në fushë, edhe pse jo kapiten. Ai dha më të mirën në fushë. Janë ca rregulla dhe pika që ne i kemi në klub. Vendimi ishte i imi.”- u shpreh Skënder Gega.

Pas kësaj humbje të parë në derbi, për mediet ka folur edhe trajneri i Tiranës, Ardian Mema. Tekniku bardheblu e ka me lojtarët e tij, duke thënë se duhet të jenë më të përgjegjshëm.

“Ka ndodhur e njëjta gjë si në ndeshjet e kaluara. Të them të drejtën nuk luajtëm më mirë, por mund të kishim administruar rezultatin dhe të kishim marrë një barazim. E papranueshme të pësosh gol nga rivënia anësore. E kam me Dokën. Kur këto gabime ndodhin vazhdimisht, nuk e di se çfarë mund të bëhet. Nuk mund të fshihemi më pas gishtit. Nuk mund të ketë ulje-ngritje, duhet të jesh gjithmonë i vëmendshëm në futboll. Edhe goli i dytë ka ardhur si pasojë e një gabimi”.- tha tekniku bardheblu.

Më tej ai ka folur edhe për merkaton e Janarit, ku Tirana do të përpiqet që të forcohet sa më shumë. Ai tha se reparti i mbrojtjes do i duhet akoma dhe më shumë punë për të ardhur atje ku duhet.

“Ne vazhdojmë të shpresojmë, nuk dorëzohemi. Merkato e janarit nuk është e përshtatshme për të gjetur lojtarët e duhur. Problemet në mbrojtje: “Është e vërtetë që ky repart ka probleme, edhe pse kemi kaluar dy ditë duke folur për goditjet standarde. Gjithsesi, golat sot nuk i pësuar nga goditjet standarde, por nga gabime individuale. Nuk mund të pësohet gol nga rivënia anësore. Lojtarët duhet të jenë të përgjegjshëm.”- theksoi trajneri i Tiranës, Ardian Mema.