Bojkoti i opozitës “lë” në burg 630 persona – ERTV

Bojkoti i opozitës “lë” në burg 630 persona

Nisma e Qeverisë për të aministuar 630 të burgosur me rastin e festave dhe për shkak të mbipopullimit në burgje rrezikon që të dështojë.

Kushtetua parashikon në nenin 81 të saj se amnistia kërkon shumicën e cilësuar prej dy të tretave që të kalojë në Kuvend. Kjo do të thotë që propozimi i Qeverisë të miratohet duhet të votohet nga 84 deputetë. Por, e vetme PS nuk e ka këtë shumicë të cilësuar dhe në lojë duhet të hyjnë mandatet opozitare.

Por, opozita vetë vijon bojkotin dhe nëse nuk do të rikthehet deri në seancën e fundit të këtij viti, atëherë amnistia mbetet vetëm një propozim në letër. Nga opozita nuk ka ende asnjë sinjal nëse do të thyhet bojkoti për të dhënë votën pro për këtë propozim, por Ylli Manjani lexon pas këtij propozimi të tjera interesa të mazhorancës.

“Qeveria kërkon të joshë opozitën të braktisë bojkotin parlamentar. Të fshijë nga axhenda politike e saj kërkesat për dekriminalizim të politikës; garantimin e zgjedhjeve të ndershme dhe drejtësinë e çliruar nga qeveria. Në rastin më të mirë për qeverinë, një përçarje e mundshme e opozitës do ishte rezultati më i preferuar. Pra një pjesë e deputetëve të paraqiten për të votuar amnistinë, në emër të humanizmit, është qëllimi i preferuar i qeverisë”, shkruan ai në Facebook.

Propozimi i Qeverisë nuk është dorëzuar ende në Kuvend, por ai i është dërguar për mendim Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme. Gazeta “Si” zbardhi më 30 nëntor detajet e draftit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë.

Drafti parashikon që të përfitojnë të gjithë nga amnistia të gjithë personat të dënuar me burgim deri në tre vjet, për dënimet të dhëna deri më 30 nëntor 2018, pavarësisht kohës së mbetur të dënimit. Gjithashtu, amnistohen të gjithë personat e dënuar me burgim, të cilëve deri në datën e hyrjes së fuqi të ligjit, u kanë mbetur pa vuajtur një periudhë deri në dy vite burgim.

“Amnistohen personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ; Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet; Amnistohen personat e dënuara femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç; Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç”, thuhet në draft.