Buxheti që përçau socialistët… – ERTV

Buxheti që përçau socialistët…

Sinjalet se diskutimet në seancë plenare për projektbuxhetin e ri dhe paketën e re fiskale do të ishin të ndezura mes socialistëve, edhe pse në sallë mungonte opozita u dhanë që në orët e para të paraditës së të hënës.

Grupi parlamentar socialist u mblodh para se të niste seanca në Kuvend. Informacioni që doli prej andej bënte fjalë për një përplasje jo fort të qetë mes kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.

Ajo çka buroi nga mbledhja e grupit parlamentar u konfirmua pak orë më vonë përgjatë gjithë seancës së shqyrtimeve për paketën fiskale dhe buxhetin e ri. Braçe dhe Ahmetaj ndanë kendvështrime të ndryshme për shumë pika të buxhetit dhe në disa momente nuk munguan përplasjet me tone të ashpërsuara, edhe pse në sallë ndodhej edhe Kryeministri Edi Rama.

Erjon Braçe kishte dorëzuar disa amendime. Mes tyre ishte rritja e tatimit për lojërat e fatit nga 15 në 30 për qind, zerim të taksës për shitjen e librave dhe rritje të fashës së pagës së patatueshme nga 30 mijë në 40 mijë lekë.

Me ligjin e ri të lojërave të fatit, ato zhvendosen në periferi dhe pikat që do të hapen në hotele me pesë yje do të tatohen 15 për qind. Propozimi i Braçes për të rritur nivelin e tatimit nga 15 në 30 për qind u kundërshtua jo vetëm nga Arben Ahmetaj, por edhe nga vetë Kryeministri Rama. Kryeministri tha se propozimi synon tërheqjen e investitorëve strategjikë në fushën e turizmit.

“Sot kemi një potencial prej 15 brandesh globale që kanë shprehur interes për të investuar në Shqipëri. Unë e shoh këtë si mbështetje për ekonominë sepse është ajo fashë e turizmit që sjell të ardhurat më të shumta në ekonomi dhe punësim më cilësor. Kjo është logjika e qasjes së qeverisë për këtë fashë. S’e ndryshojmë një incentivë sot kur akoma nuk kemi një hotel me pesë yje. Do të ishte mesazh i gabuar tek investitorët”, deklaroi ai.

Me radhë u rrëzua edhe amendimi për zero tatim për librashitjen dhe disa propozime të tjera të Braçes, ndërsa debati më i madh u bë gjatë diskutimeve për fashën mbrojtëse të pagave të patatueshme. Erjon Braçe jo vetëm që i qëndroi bindjes së shprehur edhe në Komisionin e Ekonomisë, se fasha duhej të rritej, por kërkoi që të rishikohet i gjithë ligji, duke propozuar që të ndërtohet një sistem tatimi progresiv për të ardhurat familjare, jo individuale.

“Të rishikohet ligji plotësisht. Unë mendoj se ky vend ka nevojë që të mbrojë një fashë të ardhurash të domosdoshme për çdo familje. Të ardhurat totale të familjes janë ato nga puna, thjesht dhe vetëm nga një rrogë, ashtu siç ndodh që ka edhe të ardhura nga drejtime të tjera. Duhet të bëjmë një debat, të integrojmë të gjitha të ardhurat e një familjeje dhe për t’ja nënshtruar një takse progresivd të të ardhurave familjare në total. Pas kësaj duhet të mbrojmë të ardhurat minimale për çdo familje”, deklaroi ai.

Braçe thotë se kjo do të luftonte pabarazinë në rritje edhe tek të ardhurat nga paga duke shtuar se pesha e pagave nën 40 mijë lekë është shumë e vogël në totalin e pagave.

“Nga shuma e pagave të paguara gjatë 2017, 19.8 mld lekë janë pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra, që zënë 2.2 për qind të totalit. Të ardhura për pagat mbi 4 mln lekë zënë gati 20 për qind të të gjitha rrogave të paguara në Shqipëri. Jemi në hapat e para të pabarazisë edhe tek të ardhurat nga puna, për të mos folur pastaj tek të ardhurat nga puna me të ardhurat nga kapitali. Xhiro e bizneseve të vogla është sa 1.8 për qind e gjithë xhiros vjetore e sipërmarrjes në këtë vend. Duhet të përballemi me një problem shumë madhor, që ka të bëjë me pabarazinë. Duhet ta adresojmë që tani që të jemi të suksesshëm”, u shpreh ai.

Arben Ahmetaj replikoi duke deklaruar se të taksimi i pagave në fashën 300 deri në 400 mijë lekë të vjetra është simbolik dhe e hodhi poshtë propozimin e Erjon Braçes se binte ndesh me teoritë fiskale.

“Nga 300 deri në 400 taksohet vetëm 1.89, që është një tatim simbolik. Kemi bërë shumë mirë që e kemi jashtë taksimit, megjithëse të gjitha teoritë fiskale kërkojnë që të gjithë të kontribuojnë në sistemin fiskal”, tha Ahmetaj.

Ministri Arben Ahmetaj falenderon permes rrjeteve sociale koleget socialiste per votimin e buxhetit
Ministri i Financave mohoi gjithashtu se ka një pabarazi edhe në fushën e sipërmarrjes.

“Të ardhurat nga kapitali ne i kemi nga 0 në 5 milionë tatim fitimin zero dhe nga 5 deri në 14 milionë e kemi 5 për qind. Kemi 91 për qind e sipërmarrjes së vogël që paguan ose 0, ose 5 për qind. Vetëm 9 për qind e sipërmarrjes paguan 15 për qind. Kemi sektorë që u referohemi si me të ardhura të ulta siç është bujqësia që e kemi përjashtuar nga tatimet dhe taksat madje e subvencionojmë në vazhdimësi. Kjo ndihmon punësimin dhe ruan një balancë të drejtë fiskale dhe ngarkesës fiskale. Ta rrëzojmë amendamentin”, shtoi ai.

Para se të hidhej për votim, në sherrin Braçe-Ahmetaj ndërhyu Kryeministri Edi Rama. Ai rrëzoi pretendimin e Erjon Braçes për rritjen e pabarazisë u rreshtua në krah të ministrit të kabinetit të tij duke kujtuar rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Është bërë për një kohë të gjatë ky debat. FMN i qëndron kërkesës për të zbritur më poshtë nivelin e taksimit të pagës, pra për të filluar taksimin e pagës nga 150 mijë lek të vjetra. Jemi shumica që kemi taksuar më fort biznesin dhe ata që fitojnë më shumë. Kemi tatuar më shumë ata që quhen rëndom dhe pa lidhje oligarkë. Sot, këta kontribuojnë më shumë se kurrë në buxhet, ndërsa biznesi i vogël paguan më pak se ç’ka paguar ndonjëherë”, tha Kryeministri.

Gjatë të gjithë diskutimeve nuk munguan ironitë dhe përplasjet mes socialistë, një pjesë e të cilëve mbështetën edhe me karton disa propozime të kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. Në fund, buxheti u miratua më 76 vota pro.