Komisioni i Venecias: Vettingu në politikë, jo ndryshim të Kushtetutës – ERTV

Komisioni i Venecias: Vettingu në politikë, jo ndryshim të Kushtetutës

Komisioni i Venecias u ka dërguar sot palëve politike në Shqipëri, mazhorancë e opozitë, draftin paraprak të opinionit të tyre, ende të pamiratuar, për propozimin e Partisë Demokratike për vettingun në politikë.

Komisioni i Venecias nuk duket se i mbështet propozimet kushtetuese të Partisë Demokratike përsa i përket vettingut në politikë. Draft-opinioni paraprak që ka mbërritur në Tiranë e që iu është shpërndarë palëve, thekson se pavarësisht se qëllimi për pastrimin e politikës nga krimi është legjitim, aktualisht nuk ka një vakuum ligjor për këtë.

“Pa vënë në dyshim qëllimin legjitim për të pastruar klasën politike shqiptare – dhe duke qenë mendje-hapur ndaj nevojave për të mjete të tjera legjislative – Komisioni vëren se amendamentet e propozuara nuk vijnë në kushtet e një vakuumi ligjor”.

Në konkluzionet e raportit prej 20 faqesh, Komisioni i Venecias thekson se amendamentet e opozitës nga njëra prekin të drejtat e subjekteve që prek ligji, duke qëndruar i paqartë përsa i përket udhëzimeve ligjore.

“Propozimi kushtetues për kontrollin e integritetit të politikanëve, nuk arrin të ofrojë udhëzime të përshtatshme dhe masat mbrojtëse të nevojshme, edhe në nivel kushtetues, për një proces kaq të gjerë, kompleks dhe sensitiv, me implikime serioze për të drejtat e subjekteve të prekura prej tij”.

Nga ana tjetër, ekspertët e Venecias nënvizojnë se në kushtet e ekzistencës së ligjit të dekriminalizimit, nuk shikojnë vlerën e shtuar për të pasur ndërhyrje të tjera kushtetuese.

Vettingu në politikë, PD rikthehet në Kuvend për diskutimin

“Duke pasur parasysh nenet ekzistuese të Kushtetutës së Shqipërisë dhe implementimet ligjore përkatëse (në veçanti Ligjin e Dekriminalizimit), ashtu si edhe mekanizma të tjerë demokratike, vlera e shtuar ligjore e propozimeve kushtetuese mund të vendoset në pikëpyetje”.

Gjithsesi, Komisioni i Venecias mbyll raportin duke nënvizuar se është Parlamenti i Shqipërisë që duhet të vendosë, përmes dialogut politik mes të gjitha forcave politike dhe shoqërinë në shkallë të gjerë, në interes të demokacisë shqiptare.

Raporti gjithsesi i lë derën hapur politikës në Tiranë që të bëjë ndryshime ligjore, me gjasa në ligjin për dekriminalizimin, me shpresën e gjetjes së një marrëveshjeje që do të rikthente opozitës në Parlament brenda dhjetorit, duke shmangur djegien e mandateve.

Një hap i parë u hodh paraditen e të mërkurës kur PD dhe LSI mori pjesë rregullisht në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, që shqyrtoi raportet e ekspertëve përkatës mbi këto drafte.

Në pjesën e konkluzioneve të këtij drafti, pika 90 thuhet:

“Pavarësisht synimit legjitim duke parë situatën aktuale në Shqipëri, atë të heqjes së shkelësve të ligjit dhe ndikimit të tyre nga postet e larta qeverisëse dhe jeta politike, drafti kushtetues i propozuar për kontrollin e integritetit të politikanëve dështon të japë udhëzimet e përshtatshme dhe masat mbrojtëse të nevojshme, qoftë edhe në nivel kushtetues, për një proces të kësaj shkalle të gjerë, kaq kompleks dhe sensitiv, që do të ketë shumë implikime të rënda për të drejtat e atyre që do të bëhen subjekt i tij”.

Ndërsa në pikën 97, theksohet:

“Mbi të gjitha, duke marrë parasysh dispozitat ekzistuese në nenet 6/1, 45(3) dhe 179/a të Kushtetutës së Shqipërisë dhe legjislaticionit që implementohet lidhur me këtë aspekt (veçanërisht Ligji për Dekriminalizimin”, sikurse edhe mekanizmat e tjerë demokratikë të mundshëm, vlera e shtuar ligjore e amendamenteve të propozuara kushtetuese mund të vihet në dyshim”.

Në fund, gjithsesi, Komisioni i Venecias rekomandon se, është në dorën e Parlamentit shqiptar për të vendosur hapat e mëtejshëm në lidhje me amendimet e propozuara kushtetuese, përmes dialogut konstruktiv mes të gjitha forcave politike dhe shoqërisë në tërësi, në interes të demokracisë shqiptare.

Ky është drafti paraprak, që do të duhet të miratohet nga mbledhja e Komisionit të Venecias, për të ardhur si vendim përfundimtar nga mesi i muajit dhjetor.