U shpall ‘non grata”, gazetari grek ndalohet të hyjë në Kakavijë – ERTV

U shpall ‘non grata”, gazetari grek ndalohet të hyjë në Kakavijë

Gazetari grek i gazetës “ProtoThema”, Panajotis Savidis, është ndaluar të hyjë pasditen e sotme në Shqipëri në pikën kufitare të Kakavijës, pasi eshte shpallur person ”non grata” nga autoritetet tona.

Savidis ka tentuar të kalojë kufirin shqiptar për të mbuluar nesër ceremoninë përkujtimore të Kostandinos Kaçifas në fshatin Bularat, 40 ditë nga varrimi.

Por policia shqiptare e ka ndaluar gazetarin dhe më pas i ka shpjeguar se ai është person i padëshiruar për të hyrë në vendin tonë.

Pas varrimit të Kaçifasit në Bularat, Ministria e Brendshme e Shqipërisë njoftoi se kishte vendosur të shpallë “persona non grata” dhe t’u ndalojë për pasoje hyrjen në të ardhmen në territorin shqiptar 52 shtetasve grekë, të cilët morën pjesë në 8 nëntor në ceremoninë mortore të minoritarit 35 vjeçar, i cili mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në Bularat të Gjirokastrës.

Sipas zëvendës ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi masa ndaj tyre është marrë “për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi”.

Ndërkohë, nesër disa shoqata atdhetare kanë njoftuar mbajtjen e një tubimi nesër në orën 11:00 në Gjirokastër, në sheshin “Çerçiz Topulli”, si një protestë për shqiptarët e vrarë në Greqi ditët e fundit.

Janë jo pak, por katër persona nga Shqipëria që kanë humbur jetën, dy prej tyre në rrethana ende të paqarta. Kur mbeten vetëm pak orë nga ky tubim, mësohet se policia ka miratuar lejen dhe tubimi do të zhvillohet sipas programit të mëparshëm përpara bustit të heroit Çerçiz Topulli, i cili ndodhet pranë konsullatës greke në Gjirokastër.