Studentët e refuzuan, Nikolla: Dola se më kërkuat, kur do flasim për problemet?! – ERTV

Studentët e refuzuan, Nikolla: Dola se më kërkuat, kur do flasim për problemet?!

Protesta e studentëve u shoqërua sot me tensione, në momentin që ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla doli nga zyra e saj duke tentuar të hyjë në mes të turmës, e shoqëruar nga disa bodigardë dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit.

Nikolla u prit me ovacione dhe ulërima pakënaqësie, çka bëri që të tërhiqet sërish brenda godinës për të shmangur përplasjen me studentët, të cilët nuk pranuan negociata, por kërkuan zgjidhjen direkte të kërkesave të tyre.

Ata i kërkuan ministres të japë dorëheqjen. “Jep dorëheqjen, jep dorëheqjen. Jo politikë, jo politikë”.

Por duket se Nikolla s’është dakord me qëndrimin që mbajtën sot studentët ndaj tentativës së saj për të komunikuar për kushtet që ata kanë vendosur.

“Prej tre ditësh dëgjoj çfarë nuk dëgjoj dhe përpiqem vetëm të komunikoj qetësisht kur më jepet mundësia. Prej tre ditësh i përgjigjem pozitivisht çdo letre apo pusulle me kërkesa që më vjen në derë. Prej tre ditësh jam në zyrë e gatshme të takohem me studentët për të biseduar sy më sy. Kam dëgjuar disa që thonë “s’duam negociata!”, por në fakt as ne s’kemi kërkuar negociata, por dialog, ballafaqim serioz në sytë e publikut dhe bashkëpunim për adresimin e problemeve të ngritura!”, shprehet ministrja.

Teksa thekson se doli pasi dëgjoi nën dritare thirrjet “Lindita dil në shesh!”, ministrja shprehet se është e habitur pasi sipas “nuk më tha kush pse u thirra, por u refuzova!”.

“S’ka asnjë problem, por pyetja ime është e thjeshtë: Kur do të ulemi të flasim për problemet dhe të bashkërendojmë forcat për të adresuar zgjidhjet? Si ka mundësi që të protestohet dhe të mos dialogohet, kur je i ftuar t’i shtrosh në tryezë kërkesat? Si mund të bëhet një punë e mbarë me ultimatume dhe si mund të adresohet për më tepër problematika komplekse e Universitetit, me kërkesa ultimative për tema shumë serioze që meritojnë të trajtohen seriozisht? Si mundet që një protestë kaq e mbarë në qëllimin e saj të afishuar, të mos artikulojë akoma një përfaqësi për dialog me qeverinë?”, thotë ajo.

Ministrja Nikolla gjithashtu pyet: “Apo duhet vazhduar kështu, me një pjesë në rrugë që nis letra, pusulla, e-maile dhe postime në rrjet me kërkesa që bëhen mal dhe qeverinë që pret prej tre ditësh të ulet në tryezën e dialogut?”.