“Venecia” shpëton mandatet e opozitës – ERTV

“Venecia” shpëton mandatet e opozitës

Nisma e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës do të shërbejë edhe si një moment tjetër për të shpëtuar mandatet e deputetëve të PD-së dhe LSI-së. Bojkoti i opozitës i nisur që më 19 korrik të këtij viti ka si afat të mbarimit të mandatit, 19 janarin e vitit të ardhshëm. Sipas Rregullores së Kuvendit, sesioni i parë nis në javën e tretë të janarit.

“Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të janarit, ndërsa sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. Data e mbarimit të sesionit dhe ora e fillimit të sesionit të ri të punimeve të Kuvendit njoftohen nga Kryetari i Kuvendit. Fillimi i çdo sesioni të ri parlamentar bëhet me seancë plenare të Kuvendit”, thuhet në nenin 42, pika 1 të Rregullores së Kuvendit. Mbi bazën e këtij përcaktimi i bie që seanca e parë vitin e ardhshëm të mbahet më 21 janar 2019. Kjo datë përkon përtej afatit të fundit, 19 janar që përfaqësuesit e opozitës duhet të paraqiten në Parlament për të mos djegur mandatet e deputetit.

Mbi bazën e këtij përcaktimi detyrues ligjor e vetmja rrugë është mundësia që PD-ja të jetë e pranishme në seancat e mbetura të muajit dhjetor. Parlamenti, sipas kalendarit të punimeve ka miratuar 3 data seancash për dhjetorin. Njëra është djegur dhe kanë mbetur dy datat 13 dhe 20 dhjetori.

Rruga për shpëtimin e mandateve të opozitës është futja në seancë e çështjes së Vettingut në politikë. Për këtë duket se po i jep ndihmë edhe mazhoranca dhe komisioni i Venecias. Socialistët janë të detyruar që ta fusin për votim këtë nismë për shkak plotësimit të afateve të përcaktuar në Rregullore për zbatimin e procedurave. Ndërsa Komisioni i Venecias ka “ndihmuar” opozitën duke e futur për shqyrtim këtë çështje brenda dhjetorit, pasi mund ta merrte vendimin për nxjerrjen e opinionit të ekspertëve edhe në muajin mars.

Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni i Ligjeve gjatë diskutimit të nismës së opozitës

Më 14 dhe 15 dhjetor është mbledhja e Venecias dhe pas publikimit të raportit, Kuvendi mund ta përfshijë votimin e nismës së opozitës në seancën e 20 dhjetorit. Sinjali për votimin në këtë seancë është, pasi ditën e premte Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni i Ligjeve pasi dëgjoi raportet e dy relatorëve Vasilika Hysi dhe të Oerd Bylykbashi, rrëzoi me votë nismën e opozitës. Tashmë rruga është hapur për ta hedhur në seancë.
Paralajmërimi për pjesëmarrjen në seancën për këtë çështje është dhënë ditë më parë nga nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, i cili theksoi se demokratët do të jenë prezent në Parlament kur të shqyrtohet ajo.

“Ne do të jemi në Parlament, pasi është iniciativa jonë dhe do duhet të bisedojnë për modalitetet e implementimit. S’jemi të shqetësuar për mandatet tona, por të miratohet vetting-u i politikanëve, që të mos ketë më politikanë që flenë me krimin, as në institucione qendrore, as në pushtetin vendor”, thotë Edmond Spaho.

Opozita nuk ka dhënë ende një qëndrim final për djegien ose jo të mandateve të deputetëve, por PD-ja duket se është edhe nën presionin e aleatëve, të cilët kërkojnë që mos e ndërmarrin një akt të tillë. Vetë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi disa ditë më parë se nuk e djeg mandatin e deputetit.

“Unë mandatin e kam marrë me gjak. Nuk e lë Edi Ramën që të bëjë ç’të dojë. Nuk është problemi tek mandati im. Por hyj prapë unë, i fus një të votuar dhe dal prapë. Po ashtu nuk quhet bojkot. Ne jemi me shqiptarët. Mandati është i imi dhe jo i Edi Ramës, nuk ma heq dot mandatin ai mua. E djeg unë atë me kuç e me maç, me gjithë kriminelët. Me gjithë orgjitë politike që ai bën. Tani nuk e toleron më njeri LSI dhe PD, shumë shpejt as në PS. Ka future edhe kushërinj të deputetëve të PS të futur në burg”, deklaroi Kryemadhi.

Gjithashtu edhe kryerepublikani Fatmir Mediu, aleati i PD-së, ka dalë kundër djegies së mandateve.“Opozita duhet të jetë në Parlament për të ndërtuar shpresën e këtij vendi. Duhet t’i kthejmë besimin shqiptarëve. Qëndrimi ynë aktual ka të bëjë me disa çështje që e kanë të nevojshme këtë vendim. Por personalisht mendoj se duhet të jemi në Kuvend”, u shpreh Mediu, duke theksuar se kjo s’ka të bëjë me emrat që janë në Kuvend, por me përfaqësimin e njerëzve që besojnë tek opozita.