Studentët përzënë pedagogun e “Lëvizja për Universitetin”: Duan përçarje! – ERTV

Studentët përzënë pedagogun e “Lëvizja për Universitetin”: Duan përçarje!

Studentët në Tiranë po protestojnë edhe sot përpara godinës së Ministrisë së Arsimit duke kërkuar plotësimin e 8 kushteve që i kanë vendosur qeverisë.

Por në një moment ka pasur tension në protestë, pasi qindra studentë kanë kundërshtuar që pedagogu Jani Marka të marrë fjalën në tubim.

Studentët i kanë ndërprerë fjalën pedagogut, duke mos e lejuar të flasë dhe duke u konfrontuar fizikisht me të. Sipas tyre, profesori është një nga anëtarët e organizatës “Lëvizja për Universitetin”, dhe ata e kanë larguar pasi ai mban një qëndrim politik.

Është futur një militant dhe ata duan ta largojnë. Ai është pedagog”, tha një student.

Ndërkohë, disa mbështetës të pedagogut Jani Marka, i Departamentit të Biologjisë në Universitetin e Tiranës dhe pjesë e “Lëvizjes për Universitetin” kanë thënë se po tentohet të shuhet zëri i pedagogëve që mbështesin kauzën studentore.

“Eksponentë të partive politike nuk na lejojnë të marrim pjesë në këtë protestë”, u kundërpërgjigj një student që mbështet pedagogun Marka.

Ndërkohë një tjetër student deklaroi: “Forumet rinore të partive opozitare synojnë të marrin nën kontroll protestën”.