Antikorrupsioni/ Gjonaj bën bilancin e një viti: 445 masa ndëshkimore, ky është vetëm fillimi – ERTV

Antikorrupsioni/ Gjonaj bën bilancin e një viti: 445 masa ndëshkimore, ky është vetëm fillimi

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në rolin e Kordinatores Kombëtare Antikorrupsion bëri bilancin e një viti pune në krye të kësaj njësie gjatë një konference të përbashkët me ambasadorin e BE-së Luigi Soreca. Ndërsa prezantoi arritjet dhe rezultatet në lidhje me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit në vitin 2018, Gjonaj siguroi shqiptarët se viti 2019 do të jetë vendimtar dhe sinjifikativ për të shënuar më shumë rezultate në lidhje më luftën kundër korrupsionit.

Me ngritjen e KLGJ dhe KLP, ministrja siguroi se do të ndëshkohen edhe zyrtarët e lartë të përfshirë në çështje korrupsioni. “Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë si mekanizma që do të garantojnë edhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në çështje korrupsioni do të jetë një hap shumë i rëndësishëm që do të ndihmojnë në rifitimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe do të shënojnë një gur themeli në luftën kundër korrupsionit”,- tha Gjonaj.

Në prag të ngritjes së KLP dhe KLGJ, institucionet që do ta bëjnë të pandalshme zbatimin e reformës në drejtësi, ministrja apeloi për një proces të drejtë dhe transparent dhe inkurajoi pjesëmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Përfitoj nga rasti duke mbajtur në konsideratë se nesër dhe pasnesër do të mbahen dy mbledhjet më të rëndësishme për dhënien jetë dy organeve qeverisëse të sistemit të Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të inkurajoj të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët të marrin pjesë në mbledhjet e përgjithshme respektive, për të ushtruar detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre në zgjedhjen e kandidatëve të KLGJ dhe KLP.

Inkurajoj dhe nxis dhe drejtuesit e mbledhjeve të përgjithshme respektivisht për gjyqtarë dhe prokurorë për të garantuar një proces të drejtë, transparent, të qetë për ti treguar qytetarëve se gjyqtarët dhe prokurorët kanë kurajo për zbatimin e reformës në drejtësi”,- u shpreh ministrja.

Ndërsa duke u ndalur tek rezultatet konkrete, përgjatë 1 viti ministrja tha se janë marrë 296 masa administrative, që janë masa të cilat jepen institucioneve për përmirësimin e veprimtarisë së tyre dhe 445 masa disiplinore për drejtues dhe punonjës të administratës, të gjetur në shkelje ligjore dhe afera korruptive, nga të cilët 33% janë për pozicione në nivel drejtues.

“Nga këto masa disiplinore vlen të theksoj se 102 prej tyre janë largime nga puna. Ndërsa 36 punonjës janë kallëzuar penalisht pranë organeve të Prokurorisë, pasi kanë qenë të dyshuar për veprat penale të korrupsionit apo shpërdorimit të detyrës”,- vijoi ministrja.

Ministrja Gjonaj është shprehur se lufta kundër korrupsionit është një nga sfidat më të rëndësishme për qeverinë, rezultatet e së cilës impaktojnë në mënyrë të drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve e në të njëjtën kohë edhe zhvillimin ekonomik, social e kulturor të vendit, sikurse edhe rruga e vetme prej nga kalon procesi i integrimit të vendit në familjen e madhe europiane.

Janë pikërisht këto arsye madhore, sipas ministres Gjonaj që e kanë shndërruar luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor në një betejë të detyrueshme për t’u fituar dhe në një objektiv real të Qeverisë Shqiptare.