Kakofonia e megafonëve studentorë – ERTV

Kakofonia e megafonëve studentorë

Zhurma e përhapur me shpejtësi përmes rrjeteve sociale dhe një pjese të mirë të protaleve që “demaskuan” eksponentë të forumeve rinore partiake në protestën e një ditë më parë u reflektuan me tensione dhe përplasje mes protestuesve këtë të dielë.

Turma u grumbullua sërish në orën 10:00. Të parët që mbërritën ishin po studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe të Arkitekturës e Urbanistikës. Mes tyre janë edhe aktivistët e lëvizjes “Për Universitetin”.

Brenda 30 minutave grupit të tyre iu bashkuan edhe dy grupe të tjera. Të dy grupet e reja u mirëpritën, por dakordësia për parrullat dhe sloganet që do të hidhnin u shua menjëherë.

“Lindita Nikolla dil në Bulevard! Shkolla është e jona,s’është biznes privat!”, ishte kori që po brohoritej deri në atë moment.

Pikërisht këtu ka patur një përplasje mes studentëve. Një pjesë e atyre që merrnin megafonët për të folur kundërshtuan këto thirrje dhe kërkuan që të këmbëngulej tek thirrja “Jo negociata” për kërkesat e tyre.

Amullia do të kulmonte kur megafonin e mori në dorëpedagogu Jani Marka, gjithashtu aktivist i lëvizjes “Për Universitetin”. Një pjesë e protestuesve kundërshtuan fjalën e tij dhe më vonëi hoqën me forcë megafonin dhe e larguan nga protesta.

Pas këtij incidenti, pedagogu doli para mediave. Ai akuzoi se personat që i hoqën megafonin me forcë nuk ishin studentë, por aktivistë të forumeve rinore të Partisë Demokratike. Akuza u përforcua nga vetë lëvizja “Për Universitetin” përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Sot, për të tretën ditë radhazi, studentë dhe veprimtarë të Lëvizjes Për Universitetin janë sulmuar fizikisht, kërcënuar dhe ofenduar nga rrugaçë partiakë. Goditje me çelësa, tërheqje nga flokët, shkelma, shuplaka dhe grushte, janë format kryesore të dhunës me të cilat të rinjtë janë përballur.Të paktën 12 raste sulmesh të tilla nga keqbërës të partive janë evidentuar gjatë këtyre ditëve, prej të cilave, shumica e të cenuarve kanë qenë vajza. Në pjesën më të madhe të këtyre rasteve, agresorët kanë qenë të forumeve të Partisë Demokratike. U bëjmë thirrje strukturave drejtuese të PD-së, si dhe kryetarit Lulzim Basha, që të tërhiqen nga aktet e dhunës dhe metodat e tjera që synojnë intimidim dhe përçarje”, thuhet në reagim.

Po aty akuzohen disa media për përhapjen e lajmit se lëvizja “Për Universitetin” ishte ajo që dëboi banorët e “Astirit” një ditë më parë. “Jo vetëm që kjo gënjeshtër u zbulua nga mungesa e fakteve që lidhin studentët e Lëvizjes me rastin në fjalë, por edhe vetë akuzuesit kanë pretenduar më vonë përmes fotove se bëhej fjalë për ndonjë veprimtar partiak që nuk e lidh asgjë me ne”, thonë ata.

Kakofonia e të paktën 5 megafonëve në një protestë që për nga përmasat nuk kishte intensitetin e protestës së të premtes çoroditi edhe më shumë pjesëmarrësit e thjeshtë. Çoroditja vazhdoi për minuta me radhë, ku gara ishte mes aktivistëve të lëvizjes “Për Universitetin” dhe grupeve të tjera, që herë akuzoheshin si të forumit rinor të PD-së, herë si të PS-së e herë si të LSI-së.

Për t’i bërë bashkë të gjithë studentët, jo në ide, por të paktën në një podium menduan studentët e Akademisë së Arteve. Ata zbarkuan para Ministrisë së Arsimit me një sistem audio të përforcuar dhe bokse të mëdha. Për të tërhequr vëmendjen zgjodhën që si fillim të luajnëhimnin kombëtar me violinçel.

Ja dolën mbanë që të tërhiqnin pas vetes një grup të madh studentësh, por shpejt u konkurruan sërish nga megafonët e lëvizjes “Për Universitetin”, që brohorisnin sloganet e tyre. Si të mos mjaftonte kjo, studentëve të Akademisë së Arteve shpejt u prenë dritat e sistemit audio.

Për të marrë energjinë ata kishin lidhur një kabëll tek një dyqan çantash aty pranë. Në dyqan kanë hyrë një grup personash, të cilët kanë kërcënuar shitësen dhe kanë hequr prej andej energjinë elektrike.

Dyqani i çantave ku një grup personash u futën dhe shkëputën energjinë elektrike për studentët e Arteve
Gazeta “Si” konfirmon se brenda ambienteve të këtij dyqani të vogël ka patur një përplasje. Një pjesë e çantave ndodheshin ende në shesh gjatë bisedës tonë me shitësen, e cila nuk pranoi që të flasë, por tha vetëm që i ka dhënë urdhër shefi që të mos e lidhë më energjinë elektrike.

Së bashku me shitësen ndodhej edhe tekniku që kishte ardhur bashkë me studentët e Akademisë së Arteve për të ngritur sistemin e aparaturave audio. Burri rreth të 50-tave tha për gazetën se disa persona kishin kërcënuar shitësen, në portretin e së cilës dukej lehtë paniku që e kishte zënë.

Incidenti shkakoi pakënaqësi mes protestuesve. Pjesa më e madhe e tyre nuk mbështetën asnjë grup që ‘rivalizonte’ për të marrë frenat e protestës në dorë.

“S’e kuptoj këtë që po ndodh. Jemi bërë lëmsh dhe nuk dimë se çfarë po kërkojmë. Duhet të shmangim dhunën dhe le t’i izolojmë të infiltruarit partiakë”, na thotë njëri prej tyre.

Jo të gjithë janë dakort me kërkesat e bëra. Një pjesë e protestuesve thonë se duhet të kërkohet më shumë. “Ne nuk duhet të kemi sikletin për të kërkuar më shumë. Partitë politike t’i mbajmë larg, por s’kemi pse t’i kufizojmë kërkesat tona”, na thotë Adi, student në Universitetin e Durrësit, por që deklaron se i është bashkuar protestës në Tiranë prej 3 ditësh.

Mes thirrjeve “Jo politike” dhe akuzave të ndërsjella për deklarata, ose përfshirje politike studentët në protestën e kësaj të diele dukeshin më të përçarë se në ditët e tjera, pavarësisht thirrjeve të herëpashershme “Jemi një!” dhe “Studentët e bashkuar kanë për të fituar”.

Megjithatë, në një pikë bien dakort që të gjithë grupet dhe gjithë turma; atë që protesta duhet të vazhdojë. Por, rrugët se si duhet të vazhdojë kjo protestë duken të ndara. Ata bien dakord për ultimatumin e dhënë deri të martën për Ministrinë e Arsimit, por nuk janë njëzëri nëse pas këtij ultimatumi do të hyjnë në grevë urie apo jo.

Një pjesë e mbështesin këtë hap, një pjesë thonë se do të ndjekin rrugën që do të ndjekë shumica e studentëve protestues, ndërsa të tjera kërkojnë vijimin e protestave në shesh dhe përshkallëzimin e tyre.