Humbi gishtat në protestë, operacioni i polices del me sukses në Turqi – ERTV

Humbi gishtat në protestë, operacioni i polices del me sukses në Turqi

Ina Nuka, policja, e cila mbeti e plagosur pas shpërthimit të një kapsolleje në protestën e 22 nëntorit që u zhvillua para Kuvendit, i është nënshtruar sot një tjetër ndërhyrje kirurgjikale. Pas plot 7 orësh ndërhyrje në një spital në Ankara të Turqisë, 24-vjeçarja ia doli me sukses. Ky fakt është bërë i ditur nga zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Genti Mullai.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ Mullai teksa ka uruar kolegen e tij për një shërim të shpejtë, shton se ajo ia doli.

“Besoj se rrjedha e furishme e përditshmërisë, shumëllojshmëria e ndodhive, evenimentet dhe hapësira kohore e fashitën sadopak ngjarjen para sallave plenare të Parlamentit të Shqipërisë, ku padrejtësisht e fatkeqësisht mbeti e gjymtuar një nga koleget tona, e re në moshë dhe në profesion, INA NUKA, – nis komentin e tij Mullai. – Por pavarësisht gjithë këtyre faktorëve, jemi ne familja më e madhe, Policia e Shtetit që s’të harron, që është krahas familjes tënde dhe njerëzve të t’u të dashur, është vëmendja dhe përkushtimi i Ministrit dhe Kryeministrit që bënë të mundur që Ti kolege, pas 3 operacionesh në Ankara të Turqisë, ku sot operacioni zgjati 7 orë në këto momente të ndihesh më e lehtësuar nga ajo dhimbje vrastare, nga ajo ngjarje e shëmtuar, kur përveçse bëje detyrën s’kishe asnjë faj tjetër që duhet të gjymtoheshe kështu, sa të rrezikuan seriozisht edhe jetën”.

Mes të tjerash, Mullai shkruan se Ina Nuka, pavarësisht se u kthye në lajmin kryesor të ditës, duke rënë pre edhe e sulmeve të qëllimshme, u shndërrua në një motiv për të gjthë kolegët e Policisë së Shtetit. “Ne familja jote e madhe, të urojmë shërim të shpejtë dhe sa më parë në krye të detyrës”, – përfundon ai.

Ndërkohë, burime bënë me dije se policja ka humbur përfundimisht gishtin e njërës dorë, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ndërkohë që vijon të mjekohet.

Për ngjarjen në fjalë u arrestua Daniel Drobaj, i cili ishte pjesë e protestës së banorëve të Unazës së Madhe që protestuan kundër shembjes së banesave të tyre.