“Studentët”, Rama: Protesta i dha shuplakë qeverisë dhe grusht opozitës – ERTV

“Studentët”, Rama: Protesta i dha shuplakë qeverisë dhe grusht opozitës

Me mijëra studentë që nga sheshi para Parlamentit kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre dhe 8 deputetë të opozitës në Kuvend që e akuzojnë për arrogancë ndaj tyre, kryeministri Edi Rama mori fjalën në seancën plenare dhe për të parën herë pranoi se protesta e të rinjve i ka dhënë një “shuplakë qeverisë, por edhe një grusht opozitës.

“Protesta i dha një shuplakë qeverisë. Protesta i dha një grusht opozitës dhe e treta i dha një shpresë shoqërisë. Shoqëria kërkon zgjidhje dhe nuk mund ta pranojë që zgjidhja të vijë nga Doktoresha e Shkencave Monika Kryemadhi, Lulzim Ziu apo nga Profesor Qorri”, tha Rama.

Duke ju referuar deputetit të LSI, Luan Rama, i cili tha se “studentët kanë të drejtë të na nxjerrin të gjithëve jashtë”, kryeministri ju drejtua opozitës, duke thënë se “juve ju kanë nxjerrë jashtë, pasi u detyruat të hidheshit në ilegalitet”.

“Opozita kërkon vetëm bllokimin e zgjidhjes, pasi kërkon të nxjerrë gështenjat nga zjarri duke futur studentët në qorsokak. Qeveria zgjidhjen e ka dhe do ta japë me dialog. Sa i përket propozimit të tyrte, nuk është çështje proceduriale, por janë të refuzuar. Janë propozime të bëra për të mos u bërë kurrë”, u shpreh Rama për PD dhe LSI.

E teksa ju përgjigj pyetjes pse duhet dialogu me studentët, shefi i qeverisë u ndal sërish te LSI dhe ironizoi titullin doktore shkencash të Monika Kryemadhit, e cila u akuzua për plagjiaturë nga ish-zv/ministri i Arsimit Taulant Muka.

“Na duhet dialogu për Vettingun e titujve akademikë. Ne kemi një plan si bëhet kjo dhe brenda 6 muajve të ardhshëm kryetarja e LSI do të jetë doktoresha e parë që do të heqë bluzën e doktorit dhe do të mbetet me çizmet e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, deklaroi Rama.