Kthimi i Buxhetit 2019 – A bllokohet Qeveria? – ERTV

Kthimi i Buxhetit 2019 – A bllokohet Qeveria?

Teksa Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim ditën e enjte ligjin për buxhetin 2019 në parlament dhe studentët vazhdonin protestën në shesh duke përshëndetur këtë vendim, ekspertët e fushës së ekonomisë një ditë më vonë ndajnë mendime të kundërta nëse ky verpim i presidentit ka pasoja të rrezikshme ose jo për mbarëvajtjen e financave të vendit.

Arben Malaj, ish-Ministër i Financave dhe ekspert në fushën e Financave Publike mendon se nuk ka asnjë rrezik për financat e vendit kthimi i ligjit të buxhetit nga Presidenti në Parlament. “Nuk rrezikohet asgjë sepse ligji i menaxhmit të Financave Publike i ka dhënë të drejtën ligjore Ministrit të Financave të bëj çelje të Buxhetit 2019 sipas kuotave mujore të një viti të mëparshëm, pra të vitit 2018,”, thotë Malaj për Gazetën “Si”.

Edhe juristë të pyetur nga Gazeta deklarojnë të bindur referuar ligjeve në fuqi, se nuk mund të përbëjë ndonjë problem, pasi sipas praktikave nxirren akte normative, për pagat e buxhetorëve. “Deri në muajin mars, sa hyn në fuqi buxheti, sipas praktikave operohet me aktet normative nënligjore”, thonë ata.

Por eksperti i fushës së ekonomisë, Zef Preçi thotë se veprimi i Presidentit ka pasoja të rënda.

“Bllokohet ose mbyllet qeveria si në SHBA, institucionet detyrohen të punojnë me buxhet mujor sa 1/12 e vitit të mëparshëm”.
Deputeti Tritan Shehu e ka cilësuar veprimin e presidentit një akt racional që reflekton aktualitetin e dhimbshëm.“Kthimi në Kuvend nga Presidenti i këtij buxheti të varfërisë, abuzivizmit e stagnacionit një akt racional, që duhet shfrytëzuar pozitivisht”, shkruan ai.

Ditën e enjte ndërsa protestat e studentëve vazhdonin përpara Parlamentit, Presidenti Ilir Meta i ka çelur një tjetër vatër konflikti Kryeministrit Edi Rama me kthimin për rishqyrtim të ligjit për buxhetin e shtetit 2019. Meta nuk ka dhënë asnjë arsyetim juridik për refuzimin, por e ka lidhur vendimmarjen e tij me aktualitetin e protestive të studnetëve.

Presidenti Meta kërkon që mazhoranca të reflektojë në buxhetin e ardhshëm shqetësimet e studentëve protestues.
Kjo është hera e parë në 23 vjet që një President rikthen për shqyrtim ligjin për buxhetin e shtetit.

“Presidenti Ilir Meta, duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij. Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik”, ishte njoftimi i beftë i Presidencës, që zhvendosi disi vëmendjen e protestës së studentëve.”

Kryeministri Rama përmes një postimi në tweeter ka komentuar vendimin e Presidentit Meta në lidhje me kthimin për rishqyrtim të buxhetit 2019. Për të, burimi i vërtetë i këtij dekreti është disa metra më tutje nga Presidenca, tek zyrat e LSI-së.