Si duhet të reagojnë universitetet dhe shoqëria ndaj protestës? – ERTV

Si duhet të reagojnë universitetet dhe shoqëria ndaj protestës?

Çfarë do të ndodhë me të rinjtë e revoltuar në vendin tonë? A do të mund ta shërojë protesta e tyre sistemin e kalbur arsimor? Dhe mbi të gjitha a do të mund ta bëjë këtë pa ndihmën e universiteteve dhe vetë shoqërisë shqiptare?

Mënyra sesi bota akademike dhe shoqëria do t’u përgjigjet protestave të studentëve, do të përcaktojë rrugën që do të marrë arsimi i lartë në Shqipëri për dekadat nën vazhdim.

Në një artikull të publikuar në nëntor, pas një sërë protestash studentore në SHBA, Oiyan Poon, drejtoresha e Universitetit Shtetëror të Kolorados, shprehet se studentët janë aleatët më të çmuar të arsimit të lartë, pasi janë të vetmit që mund t’i detektojnë problemet nga brenda sistemit.

“Për pjesën më të madhe të pedagogëve dhe bordeve drejtuese, aktivizimi dhe revolta e studentëve shihet si një krizë për universitetin. Këto përshtypje vijnë për shkak të ndenjës së përgjegjësisë, pasi mësuesit priren të ndihen fajtorë për çdo kryengritje në ambientet ku japin mësim”, shkruan Poon duke theksuar se kjo frikë duhet të marrë fund. “Aktivizimi i studentëve është në thelb misioni më i lartë i vetë sistemit të arsimit të lartë. Ne duhet te jemi të kënaqur shohim studentët tek angazhon dhe merren me çështjet që kanë rëndësi”, thotë Poon.

Jo vetëm ajo, por të gjithë drejtuesit e universiteteve shtetërore në SHBA u janë bashkuar vazhdimisht protestave të studentëve duke i inkurajuar të rinjtë që të luftojnë për të drejtat dhe liritë e tyre. “Shpesh, kur studentët protestojnë dhe kërkojnë të flasin me mua ose administratën time, ne pranojmë sepse duam të dëgjojmë pikëpamjen e tyre. Mund të mos jemi gjithmonë në gjendje të pajtohemi për një çështje të caktuar, por e kemi për detyrë t’i dëgjojmë dhe të mundohemi të gjejmë një zgjidhje të përbashkët”, deklaroi Poon. “Sa herë që ka protesta ne jemi përkrah tyre duke mbajtur shënim”.

Por po çfarë ndodh me protestat studentore në vendin tonë? Edhe pse të rinjtë u kanë bërë vazhdimisht thirrje pedagogëve t’u bashkohen, të paktë janë ata që po dalim krah tyre. Edhe pse studentët kanë braktisur auditorët dhe janë mbledhur prej ditësh përpara Ministrisë së Arsimit apo Kryeministrisë, pedagogët kanë shkuar si normalisht në universitete, ku nuk i ka pritur asgjë përveçse sallave bosh.

Madje, siç zbuloi Gazeta Si, një pjesë prej tyre janë munduar të indimidojnë studentët në mënyrë që mos t’u bashkohen protestave, duke i kërcënuar me mungesa dhe penalizime note. Pedagogu i njohur Artan Fuga deklaroi ditën e sotme se bordet drejtuese po marrin në humnerë universitetet e studentët dhe i bëri thirrje qeverisë për shkarkimin e tyre.

“Arsimi i lartë shqiptar nuk do të ngrejë kokë kur universitetet i survejojnë, kontrollojnë, torturojnë, duke u bërë palë me korrupsionin, mediokritetin, banalitetin, mbi kurrizin e studentëve agjencitë që parashikon ligji i sotëm idiot i arsimit të lartë!”, shkruam ai. Por ndryshe nga Fuga, pjesë më e madhe e kolegëve të tij kanë vendosur të heshtin.

Duke iu referuar protestave studentore në SHBA, Eddie Cole ,një profesor në Kolegjin “William & Mary”, shprehet se zgjidhja e problemeve të arsimit të lartë nuk duhet të lihet vetëm në dorën e qeverisë, pasi ato që vendosin standardet janë universitetet.

“Vendimi për përgjigjen ndaj protestave studentore nuk duhet të shkojë deri të presidenti (amerikan)”, thotë Cole. “Strukturat universitare janë të parat që duhet t’u përgjigjen protestave dhe ankesave të studentëve”, thotë ai

Sipas profesorëve amerikanë, burokracia akademike është pikërisht ajo që mund të fundosë ose ta kthejë në sukses një protestë studentore. Për fat të keq, deri më tani, bordet drejtuese në universitetet shqiptarë janë duke u rreshtuar përballë dhe jo përkrah studentëve.

Si duhet të reagojë shoqëria?
Revolta e studentëve shënoi protestën e dytë jo-politikë kaq masive në Shqipëri në 28 vitetet e fundit. Miratimi i publikut për kauzën dhe kërkesat e tyre duket se është i madh. Shoferët janë filmuar duke i përshëndetur teksa marshojnë, ndërsa një sërë zonjash janë parë duke u sjellë ushqim. Por a është kjo e mjaftueshme?

Sipas një artikulli të publikuar nga Universiteti i Harvardit, sa herë që ka protesta studentore është shumë e rëndësishme që të gjithë të rriturit që të ndihmojnë dhe të mbrojnë nxënësit nga përgjigjet e papërshtatshme të udhëheqësve politikë, të cilët janë zakonisht të pritur për t’i ironizuar.

Sipas universitetit të njohur, është detyra e prindërve dhe shoqërisë të edukojnë studentët se si duhet t’u përgjigjen kritikave të shprehura në mënyrë të përshtatshme nga qeveria.

Edhe pse shumë njerëz mund të shfrytëzojnë kryengritjet e studentëve për të protestuar kundër padrejtësive të tjera, është detyra e shoqërisë në radhë të parë të dëgjojë dhe të luftojë “shkeljen me këmbë” të brezit të ri.

“Dëgjojini me vëmendje studentët dhe zbuloni se çfarë po i shqetëson ata. Pyetini çfarë peripecish janë detyruar të kalojnë dhe përse kanë ndërmarrë këtë nismë”, shkruhet në faqen zyrtare të Harvard, duke iu referuar një proteste studentore kundër ngacmimeve seksuale në universitetet amerikane.

“Pa marrë parasysh se çfarë mendoni për parimet apo kauzat që i kanë çuar studentët në protestë, është detyra e shoqërisë të mbrojë të rinjtë nga fyerjet politike. Braktisja e tyre nga shoqëria ku jetojnë është e pafalshme!”, thuhet në faqen e Harvard./// Marrë nga Gazetasi