Ekonomiku kërkon kokën e dekanit Kule – ERTV

Ekonomiku kërkon kokën e dekanit Kule

Pavarësisht nga moti me shi, studentët kanë vijuar protestën e tyre para godinës së kryeministrisë. Ndërkohë që një pjesë e tyre, të mbledhur në godinën e Fakultetit Ekonomik, kanë kërkuar dorëheqjen e dekanit Dhori Kule. Mësohet se studentët e Ekonomikut kishin kërkuar takim me Kulen, por ky i fundit nuk ka shkuar.

Ai kishte propozuar që studentët të ngrinin një përfaqësi prej 20 vetash dhe do t’i priste ata në takim pasditen e sotme për t’i dëgjuar lidhur me kërkesat.

Por studentët kanë refuzuar dhe mësohet se në takim, në ambientet e Fakultetit Ekonomik kanë qenë një numër i konsiderueshëm.

Nisur nga prezenca masive e studentëve, dekani Dhori Kule nuk ka shkuar në takim. Ky veprim i tij ka sjellë reagimin e studentëve të cilët i kanë kërkuar dorëheqjen.

Mbledhja ishte parashikuar për t’u zhvilluar në orën 16:00 të pasdites. Studentët kanë pritur 30 minuta dhe pasi kanë konstatuar se dekani nuk do të vinte, ata i janë drejtuar pjesës së studentëve që po protestojnë përpara Kryeministrisë

Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama mbajti një takim me dekanët dhe rektorët e universiteteve në vend, nga ku i cilësoi si të vetmit fajtorë për situatën e sotme të Arsimit të Lartë në Shqipëri.