Rama: S’ka ultimatume, disa prej kërkesave nuk i ka asnjë shtet i botës – ERTV

Rama: S’ka ultimatume, disa prej kërkesave nuk i ka asnjë shtet i botës

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar sërish dialog nga salla e Universitetit të Vlorës, duke iu përgjigjur deklaratave të studentëve që lanë takimin, e duke i garantuar ata se nuk mund të ecet gjëkundi me ultimatume.

“Këta që bërtasin dhe nuk duan të flasin, çfarë kërkojnë? Turp është të mos flasësh, jo të kërkosh të flasësh. Ja ku i ke ultimatumet, ai është 8 pika plotësoji, ka qenë një këngë e famshme në kohën e komunizmit, por nuk jemi në atë kohë. Duhen diskutuar, unë mendoj që duhet të kemi shkallëzim meritokratik të tarifat, nuk ka ultimatume, jo ata 40 vetë, por të gjithë mund të dilni dhe nuk fitoni asgjë, përkundrazi do humbni, të jeni të sigurt”- tha Rama.

Më tej u është përgjigjur atyre që braktisën takimin: “Një gjë i them asaj vajzës, keni keqkuptuar protestën, si e kam keqkuptuar unë? Duke thënë që ishte shuplakë për qeverinë? Që do të thotë se jo vetëm nuk e kam keqkuptuar, por e kam kuptuar më mirë se ajo, se e kam analizuar shumë thellë thelbin e shpërthimit”.

Për kryeministrin Rama disa prej kërkesave nuk zbatohen në asnjë vend të botës.

“50% të së drejtës së votës në zgjedhjet akademike. Në Bordin e administrimit të Universitetit të ketë studentë. Këto dy kërkesa nuk i ka asnjë vend në botë”, u shpreh Rama.