Dëbimi i ambasadorit, Irani: Shqipëria, viktimë e SHBA dhe Izraelit – ERTV

Dëbimi i ambasadorit, Irani: Shqipëria, viktimë e SHBA dhe Izraelit

Ministria e Jashtme iraniane e cilësoi të papranueshëm dëbimin e ambasadorit Gholamhossein Mohammadnia dhe një diplomati tjetër, duke e përshkruar si “rezultat të skenarëve të fabrikuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe disa grupe terroriste”.

Për zëdhënësin Bahram Ghasemi, Shqipëria vet ishte viktimë e këtyre përpjekjeve.

“Kjo sjellje e qeverisë shqiptare, e cila është e pajustifikueshme dhe pa asnjë bazë logjike, është mbështetur tërësisht në informacione të rreme e të fabrikuara, të cilat i janë siguruar nga disa shërbime sigurie. Është për të ardhur keq, që ata të cilët krijojnë bashkërisht skenare kundër Iranit, këtë herë i drejtuan skemat e tyre dashakeqe nga Shqipëria, e cila ka pasur gjithmonë marrëdhënie të mira me Iranin”.

Një lëvizje e tillë, sipas Ghasemit është pjesë e një fushate kundër Iranit dhe synon dëmtimin e marrëdhënieve të Republikës Islamike me Europën.

“Kemi dëshmuar muajt e fundit se, ndërkohë që Irani dhe Europa janë angazhuar në një bashkëpunim më serioz për t’i bërë të paefektshme sanksionet e njëanshme dhe të paligjshme të Shteteve të Bashkuara, më shumë skenarë janë orkestruar për dëmtimin e marrëdhënieve të Iranit me Europën, por natyrisht ato do të dështojnë për shkak të vigjilencës, kujdesit dhe zgjuarsisë së të dyja palëve”.

Ghasemi i kërkoi më tej Shqipërisë që të mbrojë “pavarësinë e vet” dhe të mos lejojë të tjerët të ndikojnë në marrëdhëniet e saj me Iranin “për arsye politike”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha ndërkohë se e mbështet fuqishëm kryeministrin e Shqipërisë për reagimin ndaj Iranit. “Kosova e radhit veten plotësisht me Departamentin amerikan të Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, sa u përket politikave për Iranin. Ajo dhe Ballkani Perëndimor janë sferë euroatlantike e lirë nga aktivitetet malinje jodemokratike”, ka shkruar Thaçi në Twitter.