Ligji Antishpifje, qeveria gjoba stratosferike për portalet “abuzive” – ERTV

Ligji Antishpifje, qeveria gjoba stratosferike për portalet “abuzive”

Janari i ardhshëm pritet të ndezë një betejë të re, ajo mes qeverisë dhe medias online. Paketa Antishpifje e proklamuar nga ana e kryeministri Edi Rama po bëhet objekt i konsultimeve nga Autoritetiti i Mediave Audiovizuale dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare mbi dy draftet që janë hedhur për konsultim publik nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.

Dy draftet “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” kanë një qëllim që të vendosin një kontroll të rreptë ndaj medieve online, apo portaleve. Duket paradoksale, pasi për kontrollin e medias do të zbatohen dy ligje njëherësh, duke përfshirë dy institucione si AKEP dhe AMA.

Të gjitha portalet me domain “.al” duhet të regjistrohen, por mbi të gjitha pranë AKEP duhet të regjistrohen edhe ato portale që nuk kanë domain “.al”, por që janë të regjistruara jashtë Shqipërisë, që mund të kenë adresën “.net”, apo domaine të tjera.

“Të gjitha institucionet, strukturat, organet apo çdo entitet tjetër që administron, mban e menaxhon informacion referuar pikave më sipër në këtë nen, është i detyruar të bashkëpunojë me AKEP për dhënien/marrjen e këtij informacioni të nevojshëm me qëllim mbarëvajtjen me efikasitet të këtij procesi. Me kërkesë të organeve të Tatim-Taksave, apo të çdo organi tjetër të ngarkuar nga legjislacioni, AKEP kryen procedurat deri në mbylljen e domaineve, nëse poseduesit e tyre nuk janë të regjistruar, sipas ligjit për ushtrimin e veprimtarinë së tyre ekonomike/tregtare që realizojnë përmes domaineve”, thuhet në projektligjin e propozuar.

Në këtë draft nuk është përcaktuar që regjistrimi të bëhet vetëm për uebsite që kanë sy synim të publikojnë online lajmet, duke bërë që pjesë e këtij ligji t’i nënshtrohen edhe ata persona që kanë hapur një adresë si blogje personale.

Kërcënimi dhe gjobat
Në një formulim të fshehur nëpërmjet nenit 5 të draftit, parashikohet një super gjobë ndaj këtyre portaleve nëse shkelin ligjin. “Në Kreun III, të nenit 137, pas pikës 2, shtohet 2/1 me këtë përmbajtje: 2/1 Nëse ofruesit e shërbimit të komunikimeve publike nuk zbatojnë urdhrat/vendimet e AKEP që lidhen me zbatimin e akteve/vendimeve të Këshillit të Ankesave dhe të AMA apo të nxjerra nga çdo organ tjetër me kompetenca ligjore në këtë fushë, sipas nenit 4 të këtij ligji”, thuhet nenin 5 të draftit.

Por pika 1 e nenit 137 të këtij ligjit AKEP parashikon një gjobë të papërballueshme për mediat online, të cilat edhe ashtu kanë të ardhura të pakta. “Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, si më poshtë: Me gjobë në vlerën nga 50 000 000 deri në 100 000 000 lekë, për shkeljet e mëposhtme të kryera nga personi juridik”. Kështu në rast të moszbatimit të urdhrave apo të vendimeve të AKEP media online mund të rrezikojë të gjobitet deri në 1 miliardë lekë (të vjetra). Ndërsa neni 4 i këtij ligji përcakton se organet kompetente në fushën e komunikimeve elektronike janë ministri, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Këshilli Kombëtar i Radio-Televizionit (KKRT).

Këshilli i Ankesave, organi shtetëror që do të gjobisë
Ofruesi i Shërbimit të Publikimeve Elektronike (OSHPE) që qeveria i cilëson në këtë draft çdo media online, blog apo portal tjetër, duhet të zbatojë një “Kod Etik” në publikimin e lajmeve. “Ofruesi i shërbimit të publikimit elektronik duhet të: a) sigurojë që publikimet të shfaqen në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive; b) sigurojë që trajtimi i ngjarjeve, përfshirë çështjet, që janë tema të debatit publik, të jetë i drejtë për gjitha subjektet e interesuara në këto çështje dhe të paraqitet në mënyrë të vërtetë dhe të paanshme; c) vendosin masa mbrojtëse për mospërdorimin e tyre për qëllime kriminale; ç) mos cenojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut; d) ofrohen për të gjithë përdoruesit njëlloj, pa dallime ndërmjet sekseve, racave, besimit, etnisë apo bindjeve të personave që i përfitojnë ato; dh) të mos cenojnë sigurinë kombëtare dhe sigurinë e publikut; e) mos cenojnë shëndetin publik; ë) respektojë rregullat e etikës dhe moralit publik dhe të mos lejojë shfaqen e publikimeve që mund të nxisin vepra penale; f) respektojë të drejtat e autorit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera ë lidhura me të; g) sigurojë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit”.

Gjithashtu një tjetër detyrim është që portalet duhet të “të publikojnë në mënyrë të qartë dhe të dallueshme informacionin për: emrin dhe adresën\në rastin e personave juridikë, emrin dhe adresën e përfaqësuesit të autorizuar; shenjën/dritaren ku mund të bëhet ankesë për lajmin e publikuar, si dhe të caktojë një person\persona përgjegjës për sektorin\sektorët përkatës të publikimeve emri\emrat dhe adresa\adresat e të cilit\cilëve duhet të publikohen qartësisht. Në caktimin e këtyre personave përgjegjës ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike mbajnë parasysh cilësitë profesionale dhe etiko-morale të tyre”.

Drafti për amendimin e ligjit për AMA-n.
Monitorimi i përmbajtjes së lajmeve është sanksionuar në nismën më të re dhë këtë detyrë do ta kryejë Këshilli i Ankesave, një organ që është në varësi të AMA-s.

Portalet (OSHPE-të) janë të detyruara sipas draftit që të shqyrtojnë ankesat e qytetarëve të paraqiturave nëpërmjet Këshillit të Ankesave, duke kërkuar heqjen e përmbajtjes së lajmit të transmetuar. “Ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike, nëse vendos për ushtrimin e të drejtës, publikon përgjigjen e personit ose institucionit që është prekur/përmendur nga publikimi, pa kosto financiare për personin e prekur/përmendur. Përgjigja duhet të publikohet e plotë, e dukshme dhe në të njëjtën faqe ku është publikuar materiali që kontestohet. Nëse publikimi hiqet nga faqja/portali përpara se përgjigja e personit të prekur/përmendur të publikohet, përgjigja duhet të sigurohet në një pozicion të krahasueshëm për të njëjtën kohëzgjatje si publikimi i mëparshëm”, thuhet në pikën 4 të nenit 10 të draftit që disponohet na Gazeta SI.
Por ndëshkimet ndaj portaleve janë të shkallëzuara. Këshilli kërcënon me pezullim/bllokim të aksesit në internet, për një afat 24 orë, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer 3 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj; Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat 7 ditor, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se katër kundërvajtje administrative.

Ndërsa ndëshkimi maksimal është pezullimi apo bllokimi të aksesit në internet për një afat njëvjeçar, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se 5 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj. Këshilli i propozon AKEP-it që të ndërmarrë masa të tilla ndëshkimore.
“Për ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike që nuk janë të regjistruara në AKEP: a) Bllokimin e aksesit të shërbimit të publikimit elektronik ne territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat 24 orësh, nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se tre herë gjatë një viti kalendarik; b) Bllokimin përfundimtar/mbylljen e aksesit të shërbimit të publikimit elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se katër herë gjatë një viti kalendarik.”, thuhet më tej në pikën dy të këtij neni.

Përveç kyçjes së aksesit online, në këtë draft parashikohen edhe masa të tjera ndëshkimore me gjobë për shkeljet që Këshilli mendon se nuk përbëjnë një vepër penale. “Shkeljet e mëposhtme, të kryera nga OSHPE-të, kur nuk përbëjnë vepër penale janë kundërvajtje administrative dhe dënohen: a) Me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 1.000.000 lekë kur nuk respekton detyrimet e nenit 33/1 të këtij ligji; b) Me gjobë në masën 800.000 lekë kur nuk respekton vendimin e Këshillit të Ankesave apo të drejtën e përgjigjes, sipas nenit 53/1 të këtij ligji.”, thuhet në nenin e fundit të këtij projektligji.

Në Shqipëri operojnë 700 portale. AMA dhe AKEP kanë nisur konsultimet e tyre në lidhje me një ligj të tillë, pasi siç paralajmërohet ky draft do të jetë i plotë më 7 janar, për t’u miratuar nga Qeveria dhe për t’u votuar më pas në Parlament.

Gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave të pranishme, në tërësi gjatë konsultave të kryera gjatë këtyre ditëve janë shprehur skeptikë për amendimet e propozuara. Mendimet e tyre u ndanë në tre shtylla kryesore: e para i shihte ndryshimet tërësisht antikushtetuese dhe në shkelje flagrante të lirisë së medias; e dyta që kishte mendimin se ligji ishte me vend të amendohej në disa pika por kjo nuk duhet të cenojë lirinë e shprehjes, por vetëm të merrte masa ndaj fenomenit “fake neës” dhe e fundit, që i konsideron amendimet jo efektive, pasi abuzuesit do të përdorin teknologji të reja, apo rrjetet sociale për t’u shprehur.

Kryeministri Edi Rama prej muajsh nisi një fushatë kundër portaleve online, duke i cilësuar në shumë raste si shpifës apo pjesë e “kazanit mediatik” dhe për të cilat do të hartonte një ligj të posaçëm të “pagëzuar” me emrin Paketa Antishpifja. Pas këtyre deklaratave, AKEP nxori urdhrin për të regjistruar të gjitha portalet pranë QKB-së, duke i detyruar që të publikojnë edhe numrin e NIPT-it në faqen online. Kjo solli reagimin e përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, i cili shprehu shqetësimin pas lajmërimit për një sistem të ri regjistrimi për 44 faqe interneti në Shqipëri dhe mbylljen e mundshme të tyre.

Në një letër drejtuar kryeministrit Edi Ram, Desir shprehej se “shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”.

Kryeministri Rama gjatë takimit me përfaqësuesin e lartë të OSBE-së, Desir

Përfaqësuesi i i lartë i OSBE-së ofroi edhe asistencën e tij ligjore. Désir solli në vëmendje rekomandimet e Zyrës së tij për mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në rregullimin e përmbajtjes online në Evropën Juglindore, duke theksuar se çdo rregullim i përmbajtjes online duhet të mbajë parasysh detyrimet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet në kuadrin e OSBE-së.
Në nëntor, kryeministri pati një takim me Désir në Vjenë, ku është diskutuar mbi Paketën Antishpifje. “Në selinë e OSBE në Vienë me @harlemdesir përfaqësuesi për Lirinë e Medias, pas një diskutimi të dobishëm mbi Paketën Antishpifje dhe kuadrin e ri rregullator të portaleve – së shpejti çelim konsultimin publik dhe pastaj në Kuvend pas Vitit të Ri”, do të shkruante Rama në Tëitter, duke paralajmëruar betejën e re për lirinë e medias dhe të faktit se nëse ky draft shkel ose jo nenin 22 të Kushtetutës. Pikërisht në këtë nen thuhet shprehimisht: “1. Liria e shprehjes është e garantuar. 2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar. 3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet. 4. Ligji mund të kërkojë dhënien e autorizimit për funksionimin e stacioneve të radios ose të televizionit”.