Vettingu në rrezik; Mungojnë ligjet për emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve – ERTV

Vettingu në rrezik; Mungojnë ligjet për emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Tashmë që po mbushet një vit nga hapja e seancave publike të vettingut çfarë mendojnë institucionet që po vëzhgojnë këtë proces? Avokatja e Popullit Erida Ballanca shikon me shqetësim funksionimin e KED që do të mbushë Gjykatën Kushtetuese, ndërsa drejtuesja e Komitetit shqiptar të Helsinkit thotë se KLGJ dhe KLP nuk mund të emërojnë gjyqtarë dhe prokurorë madje as për SPAK sepse Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar disa dispozita.

KLGJ dhe KLP janë në ngërç dhe nuk mund të kryejnë emërime gjyqtarësh dhe prokurorësh sepse janë të kufizuar nga shfuqizimi prej Gjykatës Kushtetuese të dy dispozitave të ligjit përkatës. Çka do të thotë me tej se KLGJ dhe KLP i kanë duart e lidhura për të emëruar prokurorë në SPAK dhe gjyqtarë ne GJKKO nëse nuk nuk plotësohet ky vakum.

Provimi i parë për KLGJ ishte në mbledhjen e dyte të saj, e cila u vendos në pozicion të vështirë për të emëruar 3 kryetarë gjykatash, pas tre vendimeve të shkarkimit nga vettingu.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit iu drejtuar me një letër të hapur kryetarit të Kuvendit ku shpreh shqetësimin para se këto këshilla të ngriheshin që të plotësohet vakumi i krijuar në ligjin për organet e qeverisjes së drejtësisë, çka do të thotë nëse ky vakum nuk plotësohet dhe nuk arrihet konsensusi dhe dialogu, mund të ketë një paralize specifike të këtyre dy këshillave që mund te ndikojnë në mënyrë të veçantë për krijimin e SPAK dhe GJKKO.

Po Përse Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjendet në Pamundësi për të kryer emërime e për pasojë edhe SPAK është në rrezik?

“Është mbledhja plenare e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të KLP që emëron gjyqtarët dhe prokurorët bazuar në propozimet e komisioneve për zhvillimin e karrierës. Kjo dispozitë është shfuqizuar dhe do duhet të plotësohet nga Kuvendi”, sqaron Erida Skendaj.

Por anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Vettingut Saimir Vishaj e lexon ligjin me optimizëm dhe sipas tij dy muajt e parë të 2019-s do të sjellin SPAK-un

“Në datën 10 shkurt është afati për të ngritur urgjentisht SPAK-un dhe GJKKO, por mendoj që në janar të gjithë individët që do kandidojnë qoftë për SPAK, qoftë për GJKKO do jenë subjekt i rivlerësimit të KPK, çka do të thotë se ata do të jenë në listën prioritare të vettingut”, u shpreh Saimir Vishaj, avokat.

Sfida tjetër ka lidhje me funksionalitetin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të zhbllokoje ngërçin e krijuar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne jemi vëzhgues në KED, aty ka probleme jo të vogla në lidhje me konstituimin e organit, në lidhje me konstituimin se si do të bëhet ky vlerësim dhe pastaj. Kryetar i KED është një individ, i cili garon dhe për në Gjykatën Kushtetuese, dhe i cili do duhet të bëjë rregullat për veten e vet dhe i duhet të ketë konflikt interesi përsa i përket procedures së përzgjedhjes”, tha Erinda Ballanca, Avokat i Popullit.

Në Gjykatën Kushtetuese presin 113 çështje, por aty ka mbetur vetëm një gjyqtar. Përfshi edhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese janë shkarkuar deri më tani 33 njerëz të drejtësisë. 42 janë konfirmuar në detyrë.

“Të gjithë menduan se nuk mund të ketë shtet pa një Gjykatë Kushtetuese, por vettingu duhet të niste pikërisht nga kulmi i gjyqësorit nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Larte”, shton Saimir Vishaj.

“Rezulton se janë vetuar rreth 10 përqind e subjekteve, ndërkohë që janë 700 të tillë, dhe mandati i Komisionit është vetëm pesë viteve. Kështu që nëse vazhdohet me këto ritme atëherë brenda pesë viteve ne do kemi vetëm gjysmën e njerëzve të drejtësisë të vetuar”, tha Erida Skendaj.

Dhe në kohen kur stoku në Gjykatën e Lartë ka mbërritur në 30 mijë dosje, Ylli Manjani rreshtohet në krahun e qytetarëve që presin drejtësi në gjykata.

“Ajo që shpresonin njerëzit çfarë ishte… të gjykohej shpejt, pa korrupsion. Ndërkohe numri i gjyqtareve vjen e rrudhet, nuk ka asnjë plan si do zëvendësohen sa më shpejt këto vendet vakante. Dhe ky është kaosi, tani në këtë kaos, nëqoftëse të zë halli të shkosh në gjykate, është një hall shumë i madh”, shprehet ai.