Drafti i PS për zgjedhjet, nga depolitizimi te vota e emigrantëve – ERTV

Drafti i PS për zgjedhjet, nga depolitizimi te vota e emigrantëve

Në draftin e dorëzuar në Kuvend në mënyrë të njëanshme në mes të dhjetorit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Partia Socialiste adreson disa rekomandime të OSBE/ODIHR, por jo kërkesën kryesore të Partisë Demokratike, që ka të bëjë me votimin dhe numërimin elektronik.

Socialistët propozojnë në draftin e tyre zbatimin e një projekti pilot dhe ja kalojnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të vendosë për zbatimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet pasaardhëse. Në thelb kjo do të thotë se do të jenë po vetë ata që do të vendosin për këtë temë, nisur nga fakti që KQZ është një institucion i politizuar, ku shumica parlamentare ka edhe shumicën e kartonëve në vendimmarrje.

Gjithsesi, edhe nëse projekti pilot i përdorimit të teknologjisë rezulton i suksesshëm, drafti i propozuar nga PS kushtëzon shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik shkallë-shkallë dhe jo në të gjithë territorin.

“Jo më vonë se tre muaj pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të radhës, parashikohet që KQZ të vendosë nisjen e procedurave për fazën pasardhëse të shtrirjes së teknologjisë në zgjedhje, duke përcaktuar në konsultim me partitë politike me përfaqësim të përhershëm në KQZ shtrirjen territoriale të teknologjisë për fazën pasardhëse”, thuhet në relacionin shoqërues të draftit të socialistëve.

Në draft propozohet ngritja e Njësive të Administrimit Zgjedhor, NJAZ. NJAZ-i do të jetë një strukturë në varësi të drejtpërdrejtë të KQZ-së, por e politizuar. Propozohet që këto njësi të përbëhen nga 6 anëtarë, të ndarë në mënyrë të barabartë mes shumicës dhe pakicës parlamentare.

Depolitizimi i procesit zgjedhor në vetvete nuk është një prioritet i opozitës, por është pjesë e rekomandimeve të ndërkombëtarëve. Socialistët propozojnë në draftin e tyre ngritjen e dy strukturave të tjera, të depolitizuara që do të menaxhojnë proceset zgjedhore. Anëtarët e këtyre strukturave do të përzgjidhen, trajnohen, mbikëqyren e ndëshkohen në rast shkeljesh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Struktura e parë që propozohet është Njësia e Administrimit të Votimit. NJAV-i formohet me përfaqësim nga tre zyrtarë zgjedhorë, zyrtari mbikëqyrës, ai i qartësimit dhe zyrtari i procedurave të votimit. Këta janë persona që emërohen nga KQZ me short nga lista e personave të trajnuar si administratorë zgjedhorë në sistemin e trajnimit të KQZ-së. NJAV-i merr vendimet me shumicë votash dhe ka në dorë hapjen, mbylljen ose pezullimin e votimit, si dhe të thërrasë forcat e policisë në mjediset e qendrës ku votohet në raste të prishjes së rendit.


Për numërimin e votave propozohet që të krijohet NJAN, Njësia e Administrimit të Numërimit, e përbërë nga katër anëtarë. Kjo e fundit merr në dorëzim materialet nga NJAV-i dhe ka në dorë procesin e tabulimit të rezultatit.

Drafti mundohet që të adresojë edhe votën e emigrantëve. Drafti propozon që për shtetasit shqiptarë me vendbanime të përhershme jashtë vendit të hartohet një listë unike, që t’i bashkangjitet Qarkut të Tiranës. Regjistrimi i tyre do të jetë me kod unik vendbanimi në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe në të do të pasqyrohen të gjithë emigrantët që më parë kanë shprehur vullnetin e tyre për të ushtruar të drejtën e votës.

Për këtë kategori votuesish lihet e hapur mundësia e votimit elektronik, ndërsa në rastet e votimeve manuale, ngarkohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të dërgojë me shërbimet postare në adresat e personave në fjalë fletën e votimit së bashku me udhëzimet përkatëse për mënyrën e votimit.

Por, Partia Demokratike thotë se ky propozim i socialistëve ka një handikap të madh. Përfshirja e emigrantëve në një listë unike që i bashkangjitet Qarkut të Tiranës do të pështjellojë listat zgjedhore në zonat ku emrat e këtyre personave figurojnë aktualisht, çka sipas opozitës është një hapësirë e mundshme manipulimi.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, kryetari grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, gjatë një seance parlamentare
=

Propozimi për votën e emigrantëve nuk është e vetmja vërejtje e opozitës. Në tërësi, PD nuk ka vërejtje vetëm për përmbajtjen e draftit, por edhe për mënyrën sesi është futur nga socialistët në Kuvend ky draft. Në seancën e 22 dhjetorit, Lulzim Basha akuzoi mazhorancën se ka shkelur procedurat.

“Jeni të poshtër si dreqi, por bëni budallain si gomari. E dini fare mirë që ka një komision. Si mund ta sjellësh pa kaluar komisionin?! E keni marrë mesazhin nga faktori ndërkombëtar. Jeni hileqarë, të poshtër!”, deklaronte Lulzim Basha.

Drafti ul gjithashtu pragun e donacioneve anonime nga 100 mijë në 30 mijë lekë të reja, ndëshkon me mospjesmarrje në tendera dhe koncesione me vlerë mbi 10 mln lekë personat që dhurojnë para për një kandidat të caktuar në fushatë elektorale, si dhe u lë në dorë kryetarëve të Bashkive përcaktimin e hapësirave publike për posterat dhe reklamimet e tjera të subjekteve elektorale.

Reforma zgjedhore është një kërkesë e ngutshme e ndërkombëtarëve, që kanë shtuar presionin ndaj klasës politike për miratimin e saj brenda këtij viti, me qëllim që kodi i ri zgjedhor të jetë gati për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Koha nuk premton dhe për këtë qëllim po përflitet së fundmi zhvillimi i një seance të jashtëzakonshme parlamentare të enjten e 27 dhjetorit për këtë çështje. Për ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, puna e bërë deri më tani nga Komisioni i Posaçëm është e mirë, por duhet përmbyllur. Por, ndasitë e thella mes palëve dhe klima politike vështirë se do të çojnë në një kompromis të mundshëm.