Rama: Do ta kap edhe protestën e studentëve; Reagon Basha – ERTV

Rama: Do ta kap edhe protestën e studentëve; Reagon Basha


Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se i sfidon të gjithë ata që mendojnë se ligji i Arsimit të lartë është “nëna” e të gjitha të këqijave.

Gjatë konferencës për shtyp, ku bëri publike vendimet e qeverisë në lidhje me kërkesat e studentëve, kreu i qeverisë mohoi në mënyrë kategorike anulimin e ligjit për arsimin e lartë.

“Nuk ka asnjë arsye që ligji i arsimit të lartë të preket. Nuk kam dëgjuar asnjë që të më japë një fakt që këtë zhvillim pozitiv të kërkuar e ka shkaktuar ligji i arsimit të lartë. Ligji i arsimit të lartë nuk preket. Një fjalë kam është shumë e rëndësishme të ndajmë pedagogët .. Ka shumë që janë heronj.. dhe përpara se pedagogët të shkojnë tek ligji është mirë që të provojnë veten e vet sa i takon ligjit” – tha ai.

Sipas Ramës, çdo kush ka të drejtë të kërkojë anulimin e këtij ligji, por theksoi se ai është “rezultat i mandatit që ka marrë shumica nga populli”.

Teksa prezantoi edhe projekte në bashkëpunim me qeverinë gjermane dhe atë turke, Kryeministri garantoi se brenda këtij mandati të gjithë konviktet e Republikës së Shqipërisë do të jenë të rindërtuara.

“Aktualisht funksionojnë tetë shoqëri për akomodimin e studentëve, tre në Tiranë, pesë të tjera në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër dhe Korçë. Marrin mbështetje buxhetore nga shteti dhe në të njëtën kohë janë shoqëri që kanë nevojë për një reformim të thellë, gjë për të cilën ne po punojmë, – shpjegoi Rama. – Ajo që është e rëndësishme, është që me aktin normativ të buxhetit janë 3 milion dollarë shtesë për investimet në infrastrukturën e konvikteve, po ashtu është duke u negociuar dhe praktikisht kemi marrë miratimin në parim për një projekt të dytë me vlerë 27 milion euro, nga të cilat 20 milion janë kredi me interesa të arsyeshme dhe 7 milion euro janë grant nga qeveria gjermane dhe që i shtohet dhe fazës së parë të projektit që tanimë ka filluar të zbatohet”.

Basha reagon: Të anulohet! Zanafilla e së keqes!
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cilësoi mashtrime për të çoroditur studentët dhe opinionin publik vendimet e marra sot nga qeveria. Sipas tij asnjë nga VKM nuk adreson kërkesat e studentëve dhe as nuk ofron zgjidhje.

“Cikërrimat dhe mashtrimet me të cilat doli sot nuk zgjidhin asnjë nga problemet e vërteta të thella financiare me të cilat përballen studentët dhe familjet e tyre. Konviktet tha se do bëhen në fund të mandatit, normal se nuk është Unaza. Paketa është mashtrim i plotë dhe shenjë e çoroditjes totale”, – tha ai.

Basha tha se zgjidhja e vetme është anulimi i menjëhershëm dhe i plotë i ligjit korruptiv për ligjin e arsimit të lartë dhe demokratizimi i Universiteteve, duke u dhënë autonomi më të plotë.

“Dua t’u them rrugët e daljes ku gjendet sot arsimi. I pari anulimi i plotë dhe i menjëhershëm i ligjit të arsimit, që është zanafilla e së keqes. Ky është gur themeli që qëndron kjo godinë korruptive. Nga njëra anë takson familjet shqiptare dhe nga ana tjetër tarifat sa vijnë e rriten. Drama e arsimit të lartë është kjo: kemi sot arsimin e lartë më të shtrenjtë dhe të lartë në europë dhe një nga cilësitë më të dobëta në botë, – u shpreh Basha. – Duhet hartimi i plotë dhe i ri i një ligji të ri, me studentë e pedagogë. Kjo do të thotë investim në infrastrukturën konviktore, sepse një pjesë rrinë në konvikte e me qira. Ne si PD, do ta konsultojmë me pedagogë e studentë këtë çështje në javët e para të janarit”.

“Shtylla e dytë është buxheti për arsimin e lartë, – vazhdon Basha. – Totali i buxhetit të arsimit të lartë është rritur afërsisht me 2 mln dollarë. Çfarë tarifash do përgjysmosh me 2 mln euro! Propozimi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: dyfishim i buxhetit, që do të thotë 74 mln dollarë të investuara më shumë; së pari për të subvencionuar tarifat e studentëve. Pra, prindërit e studentëve, nuk duhet të paguajnë as tarifën master e as atë bechelor dhe këtu bëhet fjalë për të gjithë ata studentë që vijnë me të ardhura 640 mijë lekë të vjetra në muaj”, – shpjegoi kryedemokrati në konferencën e tij për shtyp.