Rritet paga minimale, VKM: Nga 24,000 Lekë bëhet 26,000 Lekë – ERTV

Rritet paga minimale, VKM: Nga 24,000 Lekë bëhet 26,000 Lekë

Këshilli i Ministrave ka vendosur rritjen me 2000 Lekë të pagës minimale, duke e çuar nga 24,000 Lekë për 174 orë pune në muaj, në 26,000 Lekë.

Vendimi
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
1. Paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekë.

2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.

3. Paga bazë minimale orare të jetë 149 (njëqind e dyzet e nëntë) lekë.

4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.

5. Vendimi nr.399, datë 3.5.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2019.