Analizë — Si mund të frenohet “ikja e trurit” nga Shqipëria dhe Ballkani? – ERTV

Analizë — Si mund të frenohet “ikja e trurit” nga Shqipëria dhe Ballkani?


Ndonëse fokusi i publikut europian ka qenë vitet e fundit tek radhët e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika, problemi edhe më serioz është ai i radhëve paralele të profesionistëve që po bëjnë gati valixhet për t’u larguar nga Ballkanit Perëndimor. Ata po lënë në heshtje shtëpitë e tyre që nga vitet 1990. “Ikja e trurit”, pra emigrimi i individëve të aftë dhe të arsimuar në kërkim të vendeve të punës me paga më të larta ose të kushteve më të mira është padyshim plaga më e madhe sociale e rajonit.

Në një studim të botuar kohët e fundit nga Gallup për “ikjen e trurit, vendet e Ballkanit Perëndimor renditen të parat në Europë. Studimi, i cili u zhvillua mes viteve 2015 dhe 2017, përfshin gjysmë milion qytetarë nga 152 shtete. Ai tregon se 42% e qytetarëve të Kosovës dëshirojnë të largohen nga vendi, duke e renditur Prishtinën të parën në Europë dhe të tretën në botë. Në Shqipëri dhe Bosnje dhe Herzegovinë 32% qytetarë duan po ashtu të largohen nga vendi për një jetë më të mirë. Kjo renditje ndiqet nga Maqedonia me 30% dhe Serbia me 25%. Çuditërisht, Mali i Zi ka një rezultat disi më “pozitiv”, me 25% të të rinjve të arsimuar që duan të largohen nga vendi. Ekspertët shprehen se ky fenomen është përhapur edhe më shumë gjatë vitit që po lëmë pas, për shkak të lehtësirave të krijuara nga Gjermania dhe se në vitin e ardhshëm ka të ngjarë të rezultojë me largimin e më shumë të rinjve nga rajoni.

Sipas tyre, ky problem po bëhet gjithnjë e më shqetësues në Ballkan dhe është tanimë pjesë e agjendës e tubimeve të shumta të politikanëve. Anëtarësimi në BE ka të ngjarë ta përkeqësojë këtë plagë sociale, pasi heqja e barrierave kufitare ndaj Ballkanit, mund të çojë drejt vërshimit të popullsisë drejt vendeve të zhvilluara europiane.

“Nuk është vetëm papunësia”
Ndonëse të rinjtë shqiptarë, maqedonas apo serbë duket se po emigrojnë drejt vendeve të tjera për shkak të papunësisë, pagave të ulëta ose korrupsionit, Andan Ćerimagić, analist i njohur i politikave dhe problemeve të Ballkanit Perëndimor thekson se ka një sërë arsyesh të tjera.

“Ajo që është e rëndësishme të theksohet kur flasim për emigracionin në Ballkanin Perëndimor është fakti se ai është i ligjshëm. Në vitet 1990, nga Ballkan kishte refugjatë dhe azilkërkues, por sot njerëzit po largohen për të studiuar, për të punuar apo për t’u bashkuar me familjet e tyre “, thotë Ćerimagić.

Alida Vraçiq një tjetër eksperte e njohur e rajonit, ngre të njëjtin shqetësim. “Njerëzit po largohen për shkak të faktorëve ekonomikë ose pamundësisë për të gjetur një punë. Largimi i trurit nxitet nga pakënaqësia dhe zhgënjimi dhe ndjesia se ndryshimet politike po ndodhin ngadalë ose nuk po ndodhin fare,” thotë ajo.

Vraçiq mendon se një pjesë e njerëzve që zgjedhin të largohen janë të kënaqur profesionalisht, por nuk mund ta durojnë shtypjen e lirisë dhe të drejtave të tyre. “Ata thjesht nuk duan të jetojnë në një mjedis që i mbyt, prandaj nuk është çudi që lënë vendet e tyre për shtete ku nuk do të mund të punojnë në profesionin e tyre, por të paktën do të jenë të lirë”, shton ajo.

“Hyrja në BE do të rrisë trendin e emigrimit”
Që të dy ekspertët pajtohen se nuk mund të pritet që tendenca e emigrimit të zvogëlohet nëse i gjithë rajoni bashkohet me Bashkimin Europian. Përkundrazi, tendenca e largimit të trurit do të rritet. Për shembull, Kroacia u bë anëtare e BE-së në 2013 dhe numri i të papunëve nga mesi i vitit 2015 deri në mesin e vitit 2016 u ul me 95,000 persona, por numri i të punësuarve u rrit me vetëm 14,000, që do të thotë se 80,000 njerëz janë larguar nga vendi.

“Shembulli i Kroacisë fqinje, tregon se hyrja në BE ka sjellë një largim edhe më të madh të të rinjve të arsimuar nga vendi. Anëtarësimi nuk do të mbajë me zor askënd. Për sa kohë që sundimi i ligjit mungon, nuk ka përparim dhe nuk sigurohet një mjedis më i mirë për lirinë e shprehjes, anëtarësimi në Bashkimin Europian do t’u hapë njerëzve derën për t’u larguar “,theskon Vraçiq.

Ajo mendon se nëse gjërat në rajon vazhdojnë si më parë, pa investime në ekonomi dhe kërkime shkencore rajoni do të vazhdojë mbetet “flavela”e Europës.

Edhe Ćerimagić beson se “ikja e trurit” do të vazhdojë për aq kohë sa problemet ekonomike të rajonit nuk zgjidhen dhe për aq kohë sa udhëheqësit politikë nuk tregojnë vizion për t’i nxjerrë vendet e tyre nga “balta”.

Pasojat e “ikjes së trurit”

Ky fenomen është kthyet tanimë në një plagë sociale për rajonin. Vendet më të varfra janë më të prekurat.

Dhoma e Mjekëve të Bosnjës njoftoi se në vitin 2016 rreth 300 mjekë të kualifikuar u larguan nga vendi. Sipas Vraçiq, ky numër mund të jetë edhe më i madh, sepse disa mjekë largohen nga vendi menjëherë pas përfundimit të universitet dhe nuk janë të regjistruar në statistikat zyrtare.

“Disa media në Bosnjë dhe Herzegovinë llogarisnin se shkollimi i një mjeku kushton rreth 150,000 euro, fakt që tregon se më shumë se 50 milionë euro shpenzohen çdo vit për arsimimin e punonjësve të shëndetësisë që largohen nga vendi, duke çuar kështu në shkatërrimin e tërë sektorit. Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në Shqipëri, duke përhapur tanimë edhe sektorët e IT-së apo arsimit.

Përveç problemit të mungesës së stafit në pothuajse të gjithë sektorët, ky fenomen prek edhe mbulimin e fondit të pensioneve. Në Ballkanin Perëndimor, ashtu si në Bashkimin Europian, plakja e shpejtë e popullsisë po rritet me ritme të shpejta. “Sot, në katër njerëz në moshë pune, një pret të dalë në pension. Deri në vitin 2050, pritet që nga katër njerëz në moshe pune, dy të presin të dalin në pension”, thotë Vraçiq.

Por Adnan Ćerimagić beson se largimi i trurit nuk duhet të ketë domosdoshmërish vetëm pasoja negative. “Shumë kompani po rrisin pagat për punëtorë me shpresën se do t’i mbajnë, gjë që është pozitive për vetë punëtorët. Një tjetër aspekt pozitiv është fakti se ky fenomen ka nxitur shoqërinë të mbajë një debat publik rreth mënyrës se si po qeverisen dhe t’u tërheqin herë pas herë veshin udhëheqësve të tyre”, thekson Ćerimagic. “Ne nuk duhet të heqim dorë nga gjithçka, por duhet të kërkojmë instrumente për ta luftuar këtë fenomen “.

Shumë fjalë, pak rezultate

Më 19 dhjetor 2018, qeveria e Gjermanisë ka miratuar një ligj të ri emigracioni, me qëllim tërheqjen e fuqisë punëtore duke e bërë edhe më të lehtë për punëdhënësit gjermanë të rekrutojnë profesionistë jashtë Bashkimit Europian. Ligji ka alarmuar shumë prej udhëheqësve në Ballkan, për shkak të frikës se të tjerë profesionistë mund të marrin valixhet dhe të largohen nga rajoni. Për shembull, Zoran Gjorgjeviq, ministri i Punës i Serbisë, njoftoi se dikasteri i tij do të formojë një ekip, i cili do të ndihmojë qeverinë serbe në ketë fazë të largimit të trurit.

Megjithatë, ekspertët besojnë se deri më tani masat që po zbatohen në rajon për të luftuar këtë problem kanë qenë vetëm fjalë dhe premtime boshe.

Çerimagiç thotë se shumica e politikanëve në rajon nuk e pranojnë se të rinjtë duan të largohen nga vendi. “Problemi është se debati nuk po mbahet në një nivel parimesh, por propagande politike. Në mënyrë që kjo të ndryshojë, udhëheqësit rajonal duhet ta përqendrojmë në radhë të parë debatin mbi cilësinë e arsimit “, shton Ćerimagić. Ishte pikërisht ky i fundit ai që shkaktoi një maratonë protestash në vendin tonë, duke bërë që me mijëra studentë të dilnin në rrugë duke kërkuar përmirësimin e cilësisë së arsimit

Ćerimagić mendon se edukimi cilësor është hapi i parë për ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme, ndërsa Alida Vraçiq thotë se debati publik mbi cilësinë e arsimit as që ekziston fare, dhe masat e propozuara zakonisht janë të pakuptimta dhe nuk mund të zbatohen. Sipas saj, pakënaqësia e të rinjve të arsimuar fillon që në bankat e shkollës dhe vazhdon me perspektivat e pakta të punësimit.

Të dy ekspertët bihen dakord se duhet të dihet se kush po vjen dhe kush po largohet nga vendi, në çfarë periudhe dhe a ka mundësi që ata të rikthehen.

“Ikja e trurit” nga Shqipëria
Në një investigim të fundit, Gazeta Si zbuloi se shumica e të rinjve që regjistroheshin në kurset profesionale të hapura nga qeveria, e bënin me shpresën se do të mund të punësoheshin në Gjermani. Madje një pjesë e tyre ishin në pritje të lëshimit të vizave të punës nga ekonomia më e madhe e BE-së. Sikur të mos mjaftonte kjo, lajmi se në të gjithë Gjermaninë do të punësohen 13.000 infermierëve ka bërë që edhe një pjesë e bluzave të bardha tu drejtohen zyrave të ambasadës për punësim në vendin më të rëndësishëm të BE.

Tregu shqiptar duket se është një parajsë e vërtetë për Gjermaninë, pasi rreth 6000 infermierë janë të papunë për shkak të raportit të zhdrejtë prej vitesh ku diplomohen 3 fish më shumë se sa nevojat e tregut. Kjo është arsyeja përse profesionistët e shëndetit po mësojnë gjermanishten.

Në spitalet publike dhe jo publike hapen mesatarisht 550 vende të reja pune për infermierë në një vit, ndërkohë që diplomohen 1200-1500 vetë. Ky raport i zhdrejtë i të diplomuarve dhe të punësuarve sipas Urdhrit të Infermierit, ka krijuar një “stok” prej 6000 profesionistësh të shëndetësisë në treg.

Sabri Skënderi në një eksperiencë prej 12 vitesh në drejtim të Urdhrit të Infermierëve thotë se pamundësia për të pasur një punë, ka detyruar një pjesë të bluzave te bardha të kërkojnë tregje të huaja. “Për vitin që kaloi mund të kenë ikur rreth 700 infermierë. Mendoj se ky vit do ketë lëvizje edhe më të madhe. Deri në fund të vitit mund të lëvizin 300-500 të tjerë”, thotë ai.

Të njëjtin alarm ngre edhe Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve, i cili thekson se Shqipëria nuk ka asnjë shans në një treg të pambrojtur. “Nuk e di ku ta gjej një arkë me para për të ndaluar këtë fenomen. Kushtet e punës jashtë janë arsyeja kryesore pse mjekët duan të braktisin vendin”, thotë ai.

Sikur të mos mjaftonte kjo, një studim i Fondacionit Friedrich Ebert në Shqipëri zbuloi se 78% e mjekëve shqiptarë duan të largohen nga vendi, për shkak të mungesës së seriozitetit në punë, pagave të ulëta dhe kushteve të vështira./ Nga Xhuliana Toci — Gazeta Si