Rama: Rrogat për mjekët dhe infermierët do të rriten sërish – ERTV

Rama: Rrogat për mjekët dhe infermierët do të rriten sërish

Kryeministri Edi Rama nga prezantimi i flotës së re të autoambulancave për urgjencën kombëtare, ka treguar se rrogat për mjekët dhe infermierët do të rriten sërish gjatë vitit të ardhshëm.

Në fjalën e tij Rama tha se rritja do jetë e ndjeshme, por sërish është larg me atë që duhet të jetë.

Po ashtu theksoi edhe një herë faktin se qeveria do të mbështesë, studentët ekselentë në të gjitha fushat, por u ndal tek mjekësia duke shtuar se ata do kenë dhe mundësi shumë të mira punësimi.

“Pagat e mjekëve dhe infermierëve, janë larg së qeni ashtu siç duhet të jenë, por janë larg me atë çfarë ka qenë, por janë shumë larg me ca ishin. Vitin e ardhshëm do të rriten pagat e mjekëve dhe infermierëve, por dhe do të paguajmë dhe 1 200 dollarë për të gjithë studentët ekselentë.

Ne do ta bëjmë këtë dhe do i mirëpresim në sistem. Dhe ta në fund do zgjedhin Shqipërinë apo botën sipas dëshirës së tyre. Por krahas bursës për ekselentët do japim bursën për ata që vijnë në jetë, për bebet. Duke u uruar çifteve të reja të shtyjnë fort përpara, ju uroj suksese në urgjencën e re kombëtare”, shtoi ndër të tjera në fjalën e tij Kryeministri.

Ndër të tjera bëri dhe një apel për mjekët e rinj, duke i ftuar që të mos largohen nga vendi: Pas janarit do kemi 300 mjekë të rinj specialistë të cilët po ashtu në bazë të meritës dhe rezultateve do të mund të zgjedhin se ku dhe nëse duan të kontribuojnë. Për të gjithë ata që do kontribuojnë në ato zona që janë jashtë zonave të tyre të banimit, do marrin aq sa do merrnin nëse do ta fillonin punën në Gjermani. Aq marrin të gjithë mjekët që shkojnë jashtë Tiranës për të shërbyer si specialistë. Marrin rrogën si mjekë dhe marrin mbi rrogën 2 mijë deri në 2500 dollarë në muaj. Taksat këtu janë 5-fish më të ulëta se në Gjermani dhe këtu llogaritë iu dalin më mirë.

Ministria e Shëndetësisë, i ka shtuar flotës së saj mjekësore, edhe 52 autoambulanca të reja. Gjatë prezantimit të tyre, kryeministri Rama ka thënë se ndryshimi i urgjencës me të shkuarën, është tani si dita me natën.

“Se si ishte urgjenca mjekësore kjo është një histori që do të kërkonte kohë të gjatë për ty treguar dhe vështirësi të mëdha për tu pranuar, pasi thonë se të këqijat harrohen shpejtë. Ashtu sikundër mjekët e dinë shumë mirë se pacientët e harrojnë çfarë heqin sapo dalin nga spitali. Tashmë ambulancat nuk janë thjesht taksi, por shërbim ambulant që ka përgjysmuar 50% numrin e atyre pacientëve apo njerëzve në nevojë për shërbim, duke ua dhënë shërbimin në banesë”, – tha kreu i qeverisë.

Ai deklaroi se sot me shumë krenari mund të thuhet se e shkuara është përgjithmonë e shkuar, edhe pse e ardhmja është ende larg, për një urgjencë mjekësore që të jetë në lartësinë e sfidës për t’iu përgjigjur urgjencës së çdo familje apo qytetari në Republikën e Shqipërisë.

Sipas tij, sot ka një reformë domethënëse dhe se për të kërkuar urgjencën nuk kalon më nëpërmjet të spitalit dhe t’iu biesh telefonave që nuk përgjigjen që pasi lajmëron spitalin, spitali të lajmërojnë urgjencën.

“Sot urgjenca kombëtare shëndetësore, është një sistem autonom dhe e shndërruar nga një shërbim i degraduar dhe me imazhin e një funksioni të pashpresë të shtetit, në një shërbim që garanton pa diskutim asistencën bazë në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Personeli i urgjencës krahasuar me 5 vite më parë, sot është dyfishuar, kemi urgjencë kombëtare mjekësore të dixhitalizuar, kompjuterizuar, e cila i përgjigjet në kohë reale çdo thirrje”, u shpreh Rama.