Balla: 2019 vit i negociatave. Berisha: Revolucion demokratik – ERTV

Balla: 2019 vit i negociatave. Berisha: Revolucion demokratik

Për socialistët një ndër sfidat kryesore për vitin 2019 është ai i negociatave me BE-në. Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla nëpërmjet një postimi në në rrjetin social ka komentuar sfidat që e presin mazhorancën qeverisëse, ku tashmë nga shuplakat e dhënë nga studentët kemi një kabinet të ri qeveritar.

“Viti 2018, ishte i rëndësishëm në rrugën evropiane të Shqipërisë, po të kemi parasysh se Këshilli Europian hapi dritën jeshile për të vlerësuar dhe më pas për të filluar negociatat për anëtarësimin në BE. Ky është procesi më i rëndësishëm për ne si shqiptarë, po ashtu Reforma në drejtësi gjatë vitit 2018 eci sipas parashikimeve, dhe jemi brenda të gjithë afateve, të cilët ia kishim vendosur vetes”, theksoi Balla.

Për kreun e grupit të PS-së për këtë vit sfida e punësimit, mirëqenia dhe rritja e investime në infrastrukturë në çdo cep të Shqipërisë.

Duke folur për protestën e studentëve, Balla tha se studentët na dhanë një mesazh të gjithëve. “Ishte një mesazh që i dha shpresë Shqipërisë. Ne duhet ta kuptojmë më së miri. Siç me të drejtë kryeministri e vlerësoi, ishte një shuplakë për qeverinë, pavarësisht se ishte një grusht për opozitën. Opozita të shikojë pozicionin e vet, ndërkohë që me kemi marrë gjithë angazhimin për ta adresuar të gjitha kërkesat e tyre dhe për të ndryshuar komplet procesin e bashkëqeverisjes që nisëm në qershor të vitit 2018”, deklaroi Balla.

Por këto sfida të mazhorancës duket se s’janë të njëjta për opozitën, pasi ish-kryeministri me anë të një postimi në Facebook, ka deklaruar se për PD-në kryesorja është rrëzimi i kryeministrit Edi Rama.

“Viti 2018 do shenohet ne memorjen e kohes si viti i Kakistokracise (kakistos ne greqishten e vjetër më i keqi) pra, – viti ne te cilin ne patem qeverisjen me te keqe qe nga koha e regjimit totalitar. 2018 ishte viti i Kakistokracise sepse: – klika ne pushtet, ne raport me rrogat ka vendosur mbi qytetarët taksa shumë herë më të larta se te çdo vendi tjetër në Europë. Shqiptaret sot paguajnë litrin e naftës 30% më shtrenjte se sa në Gjermani, kurse ne proporcion me rrogat se paku 600% më shume. E njëjta gjë mund të thuhet për çmimin e energjisë elektrike, ujit, tarfat e shkollimit, transportit, mjekimit tëe tyre, etj etj”, shkruan Berisha.

Duke e lidhur me ngjarjen e protestave të studentëve, për Berishën kjo shërben për rrëzimin e qeverisë “Rama”.

“Viti 2018 është dhe viti i parë i ngritjes, pas vitesh shtypje të egër dhe padrejtësish ekstreme, të shqiptarëve në Kukës, Tiranë, studentëve të universiteteve në mbarë Shqipërinë, viti i përmbysjes së narkokabinetit më të korruptuar të globit. Ndaj dhe unë do ta mbyll këtë mesazh me shpresën dhe besimin tim të plotë se Viti i Ri 2019 do të jetë viti i triumfit të plotë dhe përfundimtar të revolucionit demokratik popullor që do fshijë nga faqja e dheut regjimin e kakistokracise dhe kalbësirat e tij”, shkruan Berisha në postimin e tij.