Betejat e 2019: Zgjedhjet, SPAK, Antishpifja dhe studentët – ERTV

Betejat e 2019: Zgjedhjet, SPAK, Antishpifja dhe studentët

Shqipëria la pas një vit të karakterizuar me zhvillime të vrullshme, që më tepër i erdhën si meritë e protestës së studentëve dhe jo partive politike, veçanërisht opozitës, e cila ende nuk po ka ndonjë kauzë të fortë të saj për t’u përballur me qeverisjen e timonierit të vetëm, të kryeministrit Edi Rama.

Pas rrëzimit të nismës së Vettingut në politikë, për momentin karta e vetme e opozitës në përballjen me qeverinë është denoncimi i asaj që ajo e cilëson si skandalin për projektin e ndërtimit të Unazës së Re. Afera e projektit të Unazës u denoncua me skandalin e falsifikimit të firmës amerikane Dunwell Haberman, nga dega e saj në Tiranë DH Albania. Kjo kompani ka fituar dy tendera për realizimin e punëve publike. Përveç ndërtimit të mbikalimit si pjesë e projektit të Unazës së re, me vlerë 18 milion euro, kompania kishte fituar garën dhe për ndërtimin e linjës 220 kv Burrel-Peshkopi, me një vlerë prej 11.7 milionë eurosh, në total dy projektet në vlerën e 40 milionë eurove.

Ndërsa denoncimi tjetër lidhet me tokën e ish-Serave pranë zonës së Unazës, ku PD akuzon qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës se kanë ndryshuar Planin Urbanistik dhe devijimin e Lumit Lana me qëllim krijimin e zone rezidenciale ndërtimi deri në 31 mijë metra katrorë, projekt që kushton 60 milionë euro.
Hetimi i nisur në SHBA për këtë aferë, pritet të jetë edhe karta e opozitës për betejën e ardhshme gjatë vitit 2019.

Fundviti u mbyll me një lëvizje të kryeministrit Rama me largimin e 7 ministrave dhe të zëvendëskryeministres. Habia e këtyre lëvizjeve ishte se ministrat u zëvendësuan në ministritë kyçe si i Jashtëm, i Financave dhe i Infrastrukturës, me njerëz teknikë. Dhënia e një imazhi të një qeverie teknike me kryeministër Ramën, si ‘deja vu’ e majit 2017, shihet si një nismë e kryeministrit për t’i paraprirë sheshimit të konflikteve mes mazhorancës dhe opozitës të ndodhura gjatë 2018-ës.

Ky vit që sapo trokiti përbën një sfidë të madhe për qeverinë dhe partitë politike, pasi më 30 qershor ata do të masin forcat përballë elektoratit. Zgjedhjet vendore shihen si sfidë për qeverinë për plotësimin e standardeve zgjedhore të kërkuara nga ana e ndërkombëtarëve, si një nga kushtet për çeljen e negociatave me BE-në. Shqipëria ka marrë rekomandimin pozitiv nga KE-ja për hapjen e negociatave, por se vendimi do të merret në qershor të 2019, që përkon me zgjedhjet me shqiptare dhe ato evropiane.

Por peng i politikës është reforma zgjedhore. Ndryshimi i Kodit Zgjedhor përpara zgjedhjeve lokale, si dhe gjashtë muaj përpara 30 qershorit është një nga apelet e ndërkombëtarëve. Mazhoranca dhe opozita duken larg arritjes së një konsensusi, çka jep sinjale jo pozitive. Eksperienca ka treguar se politika ka gjetur konsensus në momentet e fundit, por ligji aktual po të aplikohet për zgjedhjet e ardhshme për zgjedhjen e 61 kryebashkiakëve dhe të këshillave të ardhshëm bashkiak.

Zgjedhjet e 30 qershorit janë provë për partitë politike, të cilat do të masin forcat dhe do të shërbejnë edhe si një test për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Partia Socialiste, e mbetur e vetme në këto zgjedhje, duhet të përballet me opozitën, ku partisë më të madhe, Partisë Demokratike, i janë bashkangjitur dy aleatët e dikurshëm të socialistëve, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet.

Për qeverinë e majtë, e cila ka gati gjashtë vite në pushtet, shihet si një test i rëndësishëm, kjo për faktin se edhe një pjesë e bashkive të mëdha janë drejtuar nga PS-ja, e këto të fituara edhe me ndihmën e dy aleatëve të dikurshëm, LSI dhe PDIU.

Opozita këto zgjedhje i ka jetike për faktin se do të shihet tendenca e votës përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Bashkitë e mëdha si Tirana, Durrës, Elbasani janë disa nga objektivat më kryesore të së djathtës.

Shqipëria gjatë vitit 2019 parashikon të ngrejë strukturat e reja të organeve të drejtësisë. Pas krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, sfida e radhës është ngritja e Prokurorisë së Posaçme, SPAK-ut. Kjo strukturë e kërkuar nga ndërkombëtarët parashikon që të hetojë zyrtarët e lartë, politikanët dhe ministrat, dosjet e korrupsionit. Ndërkaq në pritje të zhvillimeve është edhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi kryeprokurorja aktuale Arta Marku ka një mandat të përkohshëm. Shkurti i këtij viti është parashikuar si afati i ngritjes së SPAK, ndërsa Qeveria parashikon që një proces i tillë të përmbyllet brenda marsit.

Përvec këtyre sfidave madhore, qeveria ka disa beteja të lëna pezull nga viti 2018. Ligji “Antishpifje” i proklamuar me bujë nga kryeministri Edi Rama që synon të vendosë rregull te mediat online, të cilësuar si portale.

Nisma që është duke u shqyrtuar paraprakisht që synon të rregullojë funksionimin e medias online, parashikon sanksione të mëdha, si dhe zbatimin e disa rregullave që më tepër synojnë të kushtëzojnë lirinë e shprehjes dhe të funksionimit të medias së lirë. Pikërisht “Antishpifja” pritet të jetë beteja e re mes Qeverisë dhe përfaqësuesve të gazetarëve përgjatë këtij viti.

Një betejë e pambyllur e qeverisë është ajo me studentët, të cilët kanë vendosur 8 kushte për t’u plotësuar. Pas 16 ditë protestash, studentët i kanë ndërprerë ato për t’i rifilluar më 8 janar. Tetë kushtet janë mbi tryezën e kryeministrit Edi Rama, i cili ka premtuar që t’i plotësojë. Rama deklaroi se studentët në janar nuk do të paguajnë tarifat e shkollës. Ndërkaq protestës së studentëve pritet t’u bashkëngjiten profesorët e disa fakulteteve, të cilët kanë paraqitur peticione dhe duan anulimin e ligjit “Për Arsimin e Lartë”.

Viti 2019, nisur nga këto zhvillime të pritshme, do të karakterizohet nga zhvillime të ashpra politike e sociale dhe jo me pak përplasje.