Protesta rinis aty ku u la… me dilemën se ku të manifestohet – ERTV

Protesta rinis aty ku u la… me dilemën se ku të manifestohet

Për të mësuar përmasat, vendosmërinë dhe unitetin e studentëve duhet pritur protesta e paralajmëruar për më 7 janar, por e sigurtë është që organizimi i tubimit ka nisur aty ku u la në 2018.

Grupe dhe faqe të ndryshme në rrjetet sociale prej disa ditësh postojnë thirrje për tubim, por jo të gjitha kërkojnë që tubimi të zhvillohet para Kryeministrisë, pikërisht aty ku u mbyll në 2019.

E përbashkëta e të gjithë postimeve është se bëjnë thirrje për t’u grumbulluar në fakultetet përkatëse dhe më pas nisja e marshimit në drejtim të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Këtu fillon ndasia. Një pjesë e organizatorëve duken se kërkojnë që protesta të mos zhvillohet para Kryeministrisë, por në Sheshin “Nënë Tereza”.

Gazeta “Si” kontaktoi me një grup studentësh të Arkitekturës, aty ku nisi gjithçka. Studentët na thonë se nuk kanë ndonjë preferencë të veçantë mes sheshit “Nënë Tereza” dhe bulevardit para Kryeministrisë.

“Rëndësi ka që të jemi me një zë në thirrjet për plotësimin e kërkesave tona dhe të jemi sa më shumë në protestë”, thonë ata.

Por ka nga ata që u druhen përfshirjes së forumeve rinore partiake dhe politizimit të protestës. “Tek sheshi Nënë Tereza është edhe Rektorati, që është një prej përgjegjësve kryesorë për gjendjen e arsimit të lartë në vend, ndaj protesta aty qëndron”, deklarojnë ata.

Në kuadër të organizimit për protestën e së hënës, një grup studentësh të Fakultetit të Ekonomikut u përpoqën që të hyjnë në ambientet e godinës pasditen e së shtunës. Por, ata u ndaluan nga rojet private dhe më pas edhe nga Policia e Shtetit.

Studentët e interpretuan këtë ndërhyrje të policisë si përpjekje për t’i intimiduar për të mos vijuar me protestën. Por, administrata e Universitetit të Tiranës është mbrojtur duke deklaruar se ambientet e fakulteteve janë të mbyllura në ditët e shtuna dhe të diela dhe ato ruhen nga kompania e sigurisë fizike, e kontraktuar për këtë shërbim.

Studentët protestuan masivisht për ditë me radhë para Ministrisë së Arsimit, për t’u zhvendosur para Kryeministrisë në ditët e fundit para marrjes së pushimeve të fundvitit. Këtu protesta vazhdoi 24 orë, ndërkohë që pas marrjes së pushimeve u zhvillua një ekspozitë simbolike me memet dhe pankartat më pikante të protestës studentore.

Më 28 dhjetor, ditën kur Kryeministri Edi Rama njoftonte shkarkimin e 7 ministrave të tij, Këshillat Studentorë, megjithëse jo në të gjithë fakultetet dhe universitetet janë funksionalë, dolën me një deklaratë me katër pika. Së pari, Këshillat Studentorë thonë se pakti për universitetin i prezantuar nga Qeveria nuk përmbush kërkesat e tyre, madje tenton t’u japë zgjidhje sipërfaqësore dhe jo konkrete.

Së dyti, Këshillat Studentorë thonë se së bashku me grupet e interesit po punojnë për ngritjen e një platforme të qartë, e cila do të paraqesë problematikat dhe zgjidhjet e mundshme sa më të shpejta bazuar në 8 kërkesat fillestare.

Ndryshimet në Qeveri, Këshillat Studentorë i interpretojnë si shmangie e përgjegjësisë direkte të Kryeministrit për situatën në vend, ndërsa në fund thonë se studentët do të jenë në mbështetje të çdo proteste që nuk ka prapavije partiake.

Organizatorët e protestës këmbëngulin në rishikimin e ligjit për arsimin e lartë. Ata thonë se ndryshimet përmes Vendimeve të Këshillit të Ministrave nuk janë të mjaftueshme dhe i druhen faktit se në të ardhmen, Qeveria mund të shfuqizojë këto vendime po aq shpejt sa i miratoi.

“VKM ndryshohet në çdo moment dhe në rrethana të vullnetit politik, prandaj që, ato pikat e kundërpropozuara nga Kryeministri mund të hidhen sërish poshtë me VKM me thjeshtësinë më të madhe, sicc ishte anulimi i tarifës prej 6750 lekësh për kreditë pas 5 orësh protestash përpara Ministrisë së Arsimit”, thonë studentët.