Ruçi fillon lobimin për çeljen e negociatave në qershor 2019 – ERTV

Ruçi fillon lobimin për çeljen e negociatave në qershor 2019

Çelja e negociatave është objektiv për Shqipërinë gjatë këtij viti. Ndërsa Rumania mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian nga 1 janari 2019 deri në 30 qershor 2019, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u është drejtuar me një letër Presidentit të Dhomës së Deputetëve, z.Nicolae-Liviu Dragnea dhe Presidentit të Senatit të Rumanisë, z.Calin Popescu-Tariceanu.

Në letër Kryetari i Kuvendit Ruçi uron Presidentin e Dhomës dhe Presidentin e Senatit rumun për marrjen nga Rumania të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian.

“Shqipëria shpreh besimin e palëkundur se Rumania do të drejtojë me lidership të suksesshëm Presidencën e saj të parë të Këshillit të Bashkimit Europian. Presidenca e Rumanisë do të arrijë plotësisht prioritetet e saj, për një Europë konvergjente e kohezive, që zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme; për një Europë më të sigurt, mikpritëse të emigrantëve dhe luftëtare kundër terrorizmit; për një Europë më të zgjeruar dhe më të fuqishme si aktor global; për një Europë që ndërton shoqëri bazuar në vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, solidaritetit, kundër racizmit, intolerancës dhe populizimit. Shqipëria është angazhuar maksimalisht për përmbushjen e të gjitha kushteve për çeljen e negociatave të pranimit dhe unë shprehim besim tim të fuqishëm se Presidenca e Rumanisë, ashtu si deri tani, do të jetë në mbështetje të çeljes së negociatave në qershor 2019.”, shkruhet në letrën e Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi drejtuar kryelegjislatorëve rumunë.

Me këtë rast, Kryetari i Kuvendit Ruçi, fton Presidentin e Dhomës së Deputetëve, Dragnea dhe Presidentin e Senatit, Popescu-Tariceanu të vizitojnë Shqipërinë gjatë muajve të parë të vitit 2019 dhe të vlerësojnë nga afër plotësimin e kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit.